foto nga VCG
Shen Yiqin, përfaqësuese e posaçme e Kryetarit të Shtetit të Kinës Xi Jinping dhe anëtare e Këshillit të Shtetit, mori pjesë të dielën në Ceremoninë e Mbylljes së Lojërave të 33-ta Olimpike dhe përgëzoi Francën për mbajtjen me sukses të Olimpiadës.
Ajo i bëri deklaratat gjatë takimit me Presidentin Emmanuel Macron dhe gruan e tij Brigitte, para ceremonisë së mbylljes.
Gjatë takimit, Shen përcolli përshëndetjet e përzemërta të Presidenti Xi dhe bashkëshortës së tij Peng Liyuan, si edhe shprehu mirënjohjen për palën franceze dhe mbështetjen që i dhanë delegacionit olimpik kinez.
foto nga VCG
Presidenti Macron dhe bashkëshortja i kërkuan Shen të përcjellë përshëndetjet e tyre të sinqerta për Presidentin Xi dhe gruan e tij. Ata përgëzuan atletët kinezë për performancën e jashtëzakonshme dhe falënderuan qeverinë kineze për mbështetjen ndaj Francës në zhvillimin e Lojërave Olimpike.
Gjatë takimit me Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Thomas Bach të shtunën, Shen tha se Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin e saj miqësor të nivelit të lartë me këtë institucion. Gjithashtu është e gatshme të punojë me Komitetin për të dhënë kontribute të reja dhe më të mëdha në promovimin e zhvillimit të lëvizjes olimpike dhe ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
foto nga VCG
Duke përgëzuar delegacionin olimpik kinez për arritjet e jashtëzakonshme në Lojërat Olimpike të Parisit, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar falënderoi qeverinë kineze për mbështetjen e vendosur ndaj kauzës olimpike.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pret të vazhdojë një bashkëpunim të ngushtë me Kinën, si edhe të dërgojë sinjale pozitive në mbështetje të multilateralizmit, shtoi ai. Palët ranë dakord të kundërshtojnë politizimin e sportit.
Gjatë qëndrimit në Paris, Shen vizitoi delegacionin kinez dhe përcolli përshëndetjet e përzemërta dhe urimet e ngrohta të Presidentit Xi, Komitetit Qendror të PKK-së dhe Këshillit të Shtetit.
Ajo inkurajoi sportistët kinezë të vazhdojnë të çojnë përpara sportivitetin dhe olimpizmin kinez, si edhe të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të arritur suksese të reja për vendin. (Fang Xiaoyu/Elona)