Foto nga RTSH
Kryeministri Edi Rama ndau të dielën pamje nga hapja e tunelit nënujor të Porto Palermos, shkruan ATSH. Kreu i qeverisë u shpreh se, me hapjen e këtij tuneli nënujor nis projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer Gjirin magjepsës të Panormës në një destinacion të turizmit historik.
Rama shtoi se në këtë destinacion do të ndërthuret natyra e paprekur e gjirit, vendosur nën mbrojtje nga qeveria shqiptare, me rijetëzimin e godinave të vjetra ushtarake, krijimin e muzeut të Luftës së Ftohtë, si edhe jetësimin e kalasë së famshme të Ali Pashës
Hapja e portës prej çeliku e këtij tuneli ujor të veshur me betonarme ka vënë për herë të parë në lëvizje pas shumë kohësh mekanizmin e saj. Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur. (Fatosi)