Miranda Hashani, mes dy dashurive, muzikës dhe dizajnit
2024-08-11 19:04:22

Këngëtarja Miranda Hashani ka lindur në Paris në vitin 1973 dhe më pas u kthye në Shkup me familjen. Muzikën e ka nisur që kur ishte 5 vjeç, duke u angazhuar në  festivalet për fëmijë, ku u spikat si talent. Në fillim të viteve 2000 ajo ishte në kulmin e karrierës artistike, ka marrëpjesë në Festivalin e 40'të këngës në RTSh, në festivalin "Kënga Magjike", etj. Miranda është diplomuar për dizajn dhe përveç muzikës ka marrë pjesë në  ekspozita të ndryshme. Për Radio Ejani, ajo flet për këngën e saj të re "Dashnia mbeti histori", por edhe projektet artistike që e presin gjatë vjeshtës.

Miranda Hashani  (Foto nga facebooku)

Miranda Hashani  (Foto nga facebooku)

CMG: Miranda, sapo ke sjellë materialin tënd  të ri muzikor "Dashnia mbeti histori", një këngë me videoklip. Na trego për këtë këngë?

Miranda Hashani: Sa herë e kujtoj  fillimin e karrierës time, gjithmonë kam qenë e lidhur me Tiranën. Unë edhe pse jetoja në Shkup, vija shpesh në Tiranë dhe dy albumet e mia i kam realizuar në studion e Shpëtim Saraçit, në atë kohë kam bashkëpunuar edhe me të ndjerin Alqi Boshnjaku, i cili ka realizuar shumë tekste të miat dhe prandaj kam shumë nostalgji për Tiranën. Përveç bashkëpunëtorëve të mi, këtu publiku më ka dhënë shumë dashuri, e cila këto  kohë më ka munguar. Nuk do e bëj më këtë gabim, që të mungoj kaq shumë, do rikthehem në Tiranë edhe me projekte të tjera. Kam realizuar baladën në Prishtinë, me kompozitorin Neki Emra, në studion e Florent Boshnjakut, videoklipin e realizova në Tiranë me Max Producion. Po më duket sikur po fillon një epokë e re për mua, për të mos munguar kaq shumë në të ardhmen.

CMG: Cila ka qenë arsyeja që ke munguar kaq shumë?

Miranda Hashani: Arsyeja e kësaj shkëputjeje kanë qenë dy djemtë e mi, Doni dhe Deti, të cilët i solla pak me vonesë në jetë, mendova që nuk duhet t’u mungojë mami e të vrapojë pas karrierës. Unë mendoj se një artist i vërtetë sado që të mungojë në skenë, kur vjen momenti që kthehet, e gjen aty ku e ka lënë, e vetëm vazhdon përpara.

CMG: Kënga e fundit është një baladë, që i këndon shumë bukur.

Miranda Hashani: I kam dashur shumë këngët që kanë më tepër ndjenjë brenda dhe emocion, aty e gjej dhe unë veten.  Është tjetër gjë kur këndoj nëpër koncerte këngë me ritëm dhe tjetër gjë kur këndoj baladat.

Miranda Hashani (Foto nga facebook)

Miranda Hashani (Foto nga facebook)

CMG: Kjo është një këngë dashurie, bëhet fjalë për një dashuri të humbur. Kujt i dedikohet kjo këngë?

Miranda Hashani: Po, kënga flet për një dashuri të humbur, por  nuk i dedikohet dikujt në veçanti.

CMG: Ti ke kënduar edhe një baladë shumë të bukur këngën "Mos ik", e krijuar në periudhën e Covidit. Po ajo këngë e ndjerë, kujt i dedikohej?

Miranda Hashani: Kënga "Mos ik" ka qenë një kompozim i Afrim Maculës me tekst të Valerinës, e cila në atë kohë humbi nënën nga Covid, më pas u realizua kjo këngë si dedikim "Mos ik". Ka qenë një emocion i papërshkruar kur e kam kënduar atë këngë në atë kohë, pasi edhe ne humbëm shumë njerëz të afërt, familjarë edhe miq.  Për mua ka qenë shumë e rëndë gjatë realizimit të videoklipit sepse mund të gjeja shumë njerëz brenda asaj kënge kur e këndoja, jo vetëm një njeri.

CMG: Miranda, edhe pse nuk ke qenë shpesh fizikisht, nuk ke munguar me materialet muzikore, të cilat i ke sjellë herë pas here.

Miranda Hashani: Po, është vërtetë. Kam qenë e pranishme me materiale të reja muzikore. Në Kosovë kam qenë më shpesh e pranishme, sa i përket koncerteve dhe spektakleve, ndërsa një vit më parë isha në një koncert që u mbajt në Durrës, transmetuar nga Tv Klan, aty isha bashkë me kantautorin Neki Emra.

CMG: Kanë qenë të shumta bashkëpunimet e tua me Neki Emran, prej sa kohësh njiheni ju?

Miranda Hashani: Kemi rreth 6 vite që bashkëpunojmë, por për herë të parë me një këngë të re për mua, sepse Neki prej vitesh kompozon dhe këndon për vete. Një ditë i thashë të më realizonte një këngë vetëm për mua.

Miranda Hashani gjatë xhirimeve të videoklipit të ri (Foto nga facebook)

Miranda Hashani gjatë xhirimeve të videoklipit të ri (Foto nga facebook)

CMG: Të mungon  prezenca e publikut që të ka ndjekur live në skenë?

Miranda Hashani: Para katër vitesh  realizova koncertin e 30 -vjetorit të karrierës time artistike në Shkup. E shoh që kohët e fundit aty mungojnë koncertet solistike dhe bashkëpunimet. Tani që janë hapur rrjetet sociale ka humbur tradita e rrethit familjar. Unë dikur me famijen time, motrat e vëllezërit, visheshim bukur dhe shkonim që të ndiqnim një koncert apo një dramë a teatër. Prandaj atë koncert që  realizova, doja shumë që ta sillja edhe këtu në Tiranë e më gjerë, po në pamundësi u realizua vetëm në Shkup. Aty e vërejta se sa shumë më kishin munguar duartrokitjet e publikut. Ajo ndjenja që sa u shfaqa në skenë, tek duartrokitjet e publikut e vërejta se dhe atyre u kisha munguar.

CMG: Je mami i dy djemve. Si ndjehen ata kur shohin suksesin e mamit?

Miranda Hashani: Ata mua më thërrasin "Mretëresha ime",  ndërsa unë mendoj se po trajtohem në atë mënyrë. Unë kam shumë dashuri brenda mureve në shtëpi, aq sa kam brenda, kam edhe jashtë, sepse jam munduar që kam hyrë e kam dalë, e me këdo që jam takuar të mbjell dashuri, si në shoqëri e gjithandej.

CMG: Përveçse një këngëtare shumë e mire  ke studiuar për dizajn. Si është marrëdhënia jote sot me të?

Miranda Hashani:  Pas diplomimit, ka qenë një periudhë e gjatë që nuk jam marrë fare me artin figurativ, dizajnin. Ishin vetëm disa ekspozita kolektive, për të cilat më kanë shtyrë kolegët e mi që i kisha në grup. Kam marrë pjesë me fotografi, pikturë grafikë, më pas u shkëputa një kohë të gjatë deri në periudhën e pandemisë. Në atë kohë të gjithë artistët filluan të këndonin nga shtëpia, ndërsa unë në atë periudhë kam pikturuar.

Shumë shpejt do të kthehem me një miken time,  Lebibe Topalli, e cila organizon Festivalin e Muraleve në Ferizaj, e kemi menduar që të sjellim bashkë së shpejti një ekspozitë me pikturat tona. Mendoj se do vazhdoj edhe këtë pjesë tjetër të artit figurativ, sepse profesorët e mi e kanë dalluar talentin tim edhe në pikture, madje u vinte keq që unë jam pasive në këtë pjesë. Por karriera ime si këngëtare dhe fakti që duhet të qëndroja më shumë me fëmijët, më ka penalizuar pak.

Miranda Hashani në skenë  (Foto nga facebook)

Miranda Hashani në skenë  (Foto nga facebook)

CMG: Kur do jetë kjo ekspozitë?

Miranda Hashani: Do jetë këtë vit, nga muaji tetor -nëntor, më pas do të kemi edhe aktivitete të tjera, sepse po krijojmë bashkë edhe një fondacion të artit dhe muzikës në Shkup me disa artistë të tjerë. Në vazhdim do të ndodhin shumë gjëra të bukura.

CMG: Cilat nga dy fushat e artit do  më fort?

Miranda Hashani: Kur pikturoj apo modeloj e gjej veten edhe duke kënduar, duke realizuar punimet. E shoh që janë të lidhura bashkë e nuk mund t'i ndaj. Normal që kohë më e gjatë ka qenë me këngën dhe për mua kënga ishte më afër shpirtit. Tani me punimet e fundit që kam bërë, e shoh veten që i jap shumë dashuri pikturave dhe punimeve të mia.

CMG: Tani që fëmijët janë rritur, po shoh që përkushtimi do të jetë më i madh në muzikë dhe në pikturë. Po sheh një rilindje tënden?

Miranda Hashani: Edhe unë ashtu mendoj. Do jetë një epokë tjetër e imja.

CMG: Ke realizuar 4 vite më parë koncertin tënd recital të 30 vjetorit të karrierës në Shkup. Vitin tjetër bëhen plot 35 vite karrierë. E ke menduar që të organizosh një koncert edhe në Tiranë?

Miranda Hashani: Kam folur me kryetarin e komunës në Shkup, ata kanë bashkëpunime me Bashkinë e Tiranës, do flas patjetër me ta, që vitin e ardhshëm ta sjell atë koncert në Tiranë.

Miranda Hashani në intervistë në Radio Ejani

Miranda Hashani në intervistë në Radio Ejani

CMG: Cilat janë planet dhe projektet e tjera në vazhdim?

Miranda Hashani: E nisa verën me baladën "Dashnia mbeti histori" ,  për të vijuar në muajin shtator ku do të prezantojë një serenatë për qytetin e Vlorës, ndërsa në nëntor do kem një bashkëpunim me një këngëtare të Kosovës, të cilin nuk dua të zbuloj gjë tani.

Doja të falenderoja të  gjithë ata që nuk janë shkëputur asnjëherë nga jeta ime, për shoqërinë time, familjen time, dhe patjetër publikun, i cili më ka dhënë dashuri dhe i kam dhënë dashuri, pa të cilin unë nuk do ekzistoja në skenë. U jam falenderuese të gjithë bashkëpunëtorëve të mi që më kanë ndejtur afër dhe gjithmonë janë munduar që të nxjerrin më të mirën prej meje. Faleminderit shumë të gjithëve!

Intervistoi: Sava Lena