Qeveria britanike planifikon ashpërsim të rregullave ndaj mediave sociale
2024-08-11 17:26:52

foto: VCG

foto: VCG

Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se qeveria duhet të kontrollojë më gjerësisht mediat sociale pas trazirave të fundit.

Informacioni i rremë i përhapur në mediat sociale në lidhje me identitetin e sulmuesit të supozuar me thikë në Southport duket se ka luajtur një rol kyç në ndezjen e dhunës së fundit, duke bërë që të vendosen rregulla më të ashpra, shkruan “ATSH”.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, ka qenë ndër ata që kanë bërë thirrje për reforma, duke thënë se ngjarjet e fundit kanë treguar se rregulloret që do të hyjnë në fuqi, sipas Aktit të Sigurisë në internet, janë të papërshtatshme për qëllimin.

foto: VCG

foto: VCG

I pyetur nëse ishte dakord me Khan, kryeministri Keir Starmer u tha transmetuesve: “Unë mendoj se do të duhet të kontrollojmë më gjerësisht në mediat sociale pas trazirave. Drejtuesit e medieve sociale duhet të jenë të ndërgjegjshëm për prioritetin, që është të sigurojnë që komunitetet tona të jenë të sigurta”.

Roli i medieve sociale në trazira ka qenë një temë kryesore e reagimit ndaj tyre, me policinë që tashmë ka marrë masa kundër disa individëve për postime në internet.

foto: VCG

foto: VCG

Një 28-vjeçar nga Leeds, Jordan Parlour, u dënua pasi u deklarua fajtor për nxitjen e urrejtjes racore në një sërë postimesh në “Facebook”, ndërsa Policia e Cheshire ndaloi një 55-vjeçare në lidhje me disa postime që përmbanin informacione të rreme për të dyshuarin e Southport.

Ndërkohë, ekspertët kanë nxjerrë në pah një sërë figurash të profilit të lartë në internet që ndajnë informacione të rreme për të dyshuarin, i quajtur Axel Rudakubana. (Elona)