foto: VCG
Hyri në fuqi zyrtarisht akti normativ për ndryshimet në “Urdhrin e mjekëve”. Ndryshimet parashikojnë që mjeku të mos punojë në sistemin shëndetësor jopublik më shumë se 30 për qind të orëve mujore që punon në sistemin shëndetësor publik. Gjithashtu, mjeku nuk duhet t’u kërkojë pacientëve, që i janë paraqitur në institucionin shëndetësor publik për trajtim dhe shërbime, në përputhje me specialitetin e tij, që t’i drejtohen institucionit shëndetësor jopublik, ku ai ushtron profesionin e tij, shkruan “Panorama”. Në aktin normativ nënvizohen edhe kushtet dhe procedura që një mjek në një institucion shëndetësor publik mund të ushtrojë profesionin në një institucion shëndetësor jopublik.
Ndërkohë, anëtarët e “Urdhrit të mjekëve”, që mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor publik dhe në Universitetin Mjekësor Publik, nuk mund të mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor jopublik.
Në çdo rast, angazhimi i mjekut në institucionin shëndetësor jopublik nuk duhet të pengojë kryerjen e detyrës së tij/saj në institucionin shëndetësor publik.
Ndryshimet parashikojnë edhe masat disiplinore ndaj mjekëve në rast të shkeljeve, nga gjobat, te pezullimi i shërbimit dhe deri te heqja e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut. (Elona)