Shqipëria ngre grupe kontrolli për të frenuar hyrjen nga Greqia të murtajës së bagëtive të imëta
2024-08-11 16:48:36

Autoritetet e Shërbimit Veterinar në zonat kufitare të Shqipërisë me Greqinë njoftuan marrjen e masave të posaçme për të parandaluar hyrjen e murtajës së bagëtive të imëta që ka prekur vendin fqinj.

Shërbimi Veterinar shqiptar është në terren në Qarkun e Gjirokastrës me 7 grupe kontrolli, shkruan “Panorama”.

Zyrtari i Shërbimit Veterinar lokal, Krenar Veliu, deklaroi se po monitorohen fermat e mëdha të bagëtive të imta dhe sidomos transporti i bagëtive, po kryhen kontrolle për raste të dyshuara dhe deri tani në Shqipëri nuk është evidentuar asnjë rast me murtajën e bagëtive të imëta.

Dele (Foto Panorama)

Dele (Foto Panorama)

Sipas tij, murtaja e bagëtive të imëta (deleve dhe dhive) që është shfaqur në Greqi, së fundi, është një sëmundje që nuk transmetohet nga bagëtitë te njerëzit, por dëmton rëndë ekonominë blegtorale.

Burime zyrtare bënë të ditur se grupe monitorimi janë ngritur edhe në Shërbimet Veterinare rajonale në disa qarqe të tjera të vendit si atë të Korçës, Beratit dhe Elbasanit.

Shërbimi Veterinar shqiptar po bën përpjekje të ndërgjegjësojë barinjtë, sidomos në zonat kufitare me Greqinë, për rrezikshmërinë e lartë të sëmundjes për ekonomitë e tyre.

Rasti i parë i murtajës së deleve dhe dhive u regjistrua më 11 korrik në Greqinë qendrore dhe disa mijë bagëti të prekura janë asgjësuar nga autoritetet veterinare në disa zona të Greqisë.

Sipas udhëzimit të Bashkimit Europian, kafshët që rezultojnë të prekura duhet të asgjësohen. (Elona)