Nasi Kërraj është këngëtar i muzikés popullore, kryesisht i trevës së jugut të Shqipërisë. Ai ka nisur të këndojë që kur ishte i vogël dhe është rritur në një ambient familjar me tradita muzikore. Nasi ka realizuar dy kolazhe këngësh popullore të përpunuara si dhe disa këngë solistike, të kompozuara dhe të orkestruara nga kompozitorë të njohur të muzikës shqiptare. Ai së fundit ka marrë pjesë në Maratonën “Këngë Moj”, dhe së shpejti do të publikojë këngën e tij të re. Në intervistë për Radio Ejani Nasi tregon për fillimet në muzikën popullore, aktivitetet dhe projektet në vazhdim.
Nasi Kerraj gjate nje performance (Facebook)
CMG: Si ka lindur pasioni për muzikën popullore tek ti?
Nasi Kërraj: Pasioni për muzikën popullore ka lindur tek unë që i vogël, në fëmijërinë time këndoja dhe performoja këngë popullore. Kam patur ndjeshmëri shpirtërore për muzikën, në vendet ku kam jetuar, jam rritur dhe shkolluar. Gjithmonë e kisha ëndërr dhe pasion këngën popullore dhe jam munduar të arrij këtu ku jam sot.
CMG: Këtë traditë të këngës popullore e ke trashëguar nga familja?
Nasi Kërraj: Unë e kam trashëguar këtë traditë nga prindërit, mami im ka pasur deri diku vesh muzike. Prindërit apo dikush nga familja jonë nuk i kanë rënë një instrumenti dhe nuk kanë qenë këngëtarë. Mami ka kënduar nëpër gëzimet tona familjare këngë labe, por nuk ka ecuar më tej apo ka bërë këngë.
CMG: Ti ke interpretuar këngë polifonike?
Nasi Kërraj: Patjetër që kam kënduar këngë polifonike në dasma dhe gëzime të tjera familjare. Gjithmonë kam qenë i apasionuar kur dëgjoja që këndonin më të vjetrit, mua më pëlqenin shumë dhe kam kënduar me ta. Në fëmijërinë time ato mundësira ishin.
Nasi Kerraj duke kenduar (Facebook)
CMG: Ke jetuar disa vite jashtë vendit, besoj se ke marrë pjesë në koncerte për bashkëatdhetarët?
Nasi Kërraj: Unë kam 14 vite që jam larguar nga Shqipëria dhe emigracioni e largësia bën te veten. Kam marrë pjesë në disa evente jashtë vendit.
CMG: Sa këngë ke publikuar në kanalin YouTube dhe si janë pritur nga artdashësit ?
Nasi Kërraj: Kam realizuar deri tani katër këngë me videoklipe dhe dy kolazhe popullore të trevës së jugut, sepse atë trevë performoj. Këngët janë pritur mjaft mirë nga publiku. Sidoqoftë, unë jam në fillimet e mia dhe e kam pasion këngën, ku do udhëtoj deri në pafundësi për të arritur atje ku dua.
Nasi Kerraj (Facebook)
CMG: Përveç këngëve solistike ke bërë duete me këngëtarë të tjerë?
Nasi Kërraj: Deri tani nuk kam bërë duete dhe nuk kam preferuar apo kërkuar të bashkëpunoj në duete, me gjithë respektin e miqve dhe kolegëve. Unë dua të eci me veten time dhe ta fitoj vetë famën në publik. Gjithmonë do eci vetë dhe pritshmëritë e publikut kanë qenë të mira, pa sponsorizime apo publicitet me pagesë.
CMG: Me cilët ke bashkëpunuar për realizimin e produksioneve muzikore?
Nasi Kërraj: Unë punoj me disa kompozitorë, që janë miqtë e mi. Gjej rastin t’i falenderoj shumë nga zemra Adi Hilën, Genci Malajn, Vani Rushitin dhe të tjerë, të cilët kanë orkestruar këngët e mia deri sot.
Nasi Kerraj me kengetarin Ervis Behari (Facebook)
CMG: Ke sjellë vetëm krijimtari të re popillore apo dhe këngë të vjetra popullore?
Nasi Kërraj: Përveç dy kolazheve që janë këngë të dëgjuara popullore, dhe unë i kam risjellë me orkestracion të ri, këngët e tjera janë të reja. Kam bërë një këngë për vendlindjen time, një këngë tjetër që titullohet “S’lidhet fati me zinxhira”, këngën “Mali i Gripës” që i dedikohet vendlindjes time, si dhe një këngë për djalin tim që e dua shumë dhe është jeta ime. Këtë këngë e kam bërë pa videoklip, orkestracionin e muzikën i ka realizuar miku im i mirë Vani Rushiti. Të gjitha këngët janë të bukura, por suksesi normalisht vjen në rrugëtim e sipër.
CMG: Kush i ka shkruar tekstet e këngëve të reja?
Nasi Kërraj: Tekstin e këngës për vendlindjen time e ka shkruar mësuesi im i shkollës fillore dhe tekstin e këngës tjetër e ka shkruar poeti i ndjerë Arben Duka. Gjithashtu është dhe një miku im që jeton në Gjermani, Anastas Qirici, i cili ka shkruar një tekst kënge. Këta janë njerëzit që unë vazhdoj të punoj përsa i përket teksteve për këngët popullore.
CMG: Përveç këngëve të trevës së jugut a këndon dhe këngë të trevave të tjera?
Nasi Kërraj: Normalisht trevën e jugut lëvroj më tepër, dhe pse nganjëherë këndoj dhe këngë të Shqipërisë së mesme, por i jam përkushtuar 100 për qind trevës sime.
Nasi Kerraj ne nje koncert (Facebook)
CMG: Cila ka qenë axhenda e koncerteve dhe aktiviteteve të tjera muzikore këtë periudhë?
Nasi Kërraj: Nuk kam patur një ngarkesë të madhe, sepse kam qenë selektiv këto pesë vite, pasi para pesë vitesh jam kthyer në Shqipëri për probleme familjare. Jam në pritje të një projekti të ri muzikor, një këngë të kompozuar nga miku im Nexhip Seraj dhe orkestracioni nga Adrian Hila. Aktualisht jam angazhuar në Maratonën “Këngë Moj” në disa qytete të Shqipërisë.
CMG: Si je pritur nga publiku gjatë maratonës “Këngë Moj”?
Nasi Kërraj: Publiku na ka pritur me shumë duartrokitje, shikoj që e ka vlerësuar këngën time. Kënga nuk ka dalë akoma, por besoj se pas 15 gushtit do të publikohet. Kështu që le të kënaqet publiku dhe ta vlerësojë vetë këtë këngë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Nasi Kërraj: Përshëndes dëgjuesit tuaj dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke ju uruar pushime të mbara.
Intervistoi: Gazmend Agaj