Rama - Erdogan (Foto RTSH)
Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, patën një bisedë telefonike të enjten, për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale dhe globale. Kjo u bë e ditur nga Drejtoria e Komunikimit të Turqisë. Erdogan tha se marrëdhënia Turqi-Shqipëri është në një nivel të avancuar dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohet më tej përmes kontakteve tregtare, ekonomike dhe ushtarake, citon “RTSH” median turke.
"Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve zhgënjyese të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO) për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se vendi ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar",- shkruan “Anadolu Ajansı”.
FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fethullah Gulen, sipas zyrtarëve të lartë turq, orkestruan grushtin e shtetit të dështuar të korrikut 2016 në Turqi. Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor. (Elona)