Nis ndërtimi i korsive të dedikuara për autobusët në Njësinë 7
2024-08-10 14:44:14

Veliaj inspektim (Foto RTSH)

Veliaj inspektim (Foto RTSH)

Bashkia e Tiranës e ka nisur nga Njësia 7 projektin për korsitë e dedikuara për autobusët, duke u përqendruar fillimisht në segmentet: “Rrethrrotullimi Zogu i Zi - 21 Dhjetori”, “21 Dhjetori - Vasil Shanto”, “Vasil Shanto” - kryqëzimi i Brrylit dhe “Rruga e Kavajës - kryqëzimi 21 Dhjetori”. Projekti i realizuar me ndihmën e GIZ dhe KfW, synon krijimin e infrastrukturës për shtrirjen e korsive të dedikuara për shërbimin e transportit qytetës në disa rrugë kryesore të Tiranës, optimizimin e stacioneve të autobusëve dhe informatizimin e tyre, bën të ditur “RTSH”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi nisjen e punës, duke e vënë theksin te rëndësia e projektit, i cili ndihmon në qarkullimin më të mirë të autobusëve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

Projekti i korsive të dedikuara dhe i rinovimit të shërbimit të autobusëve quhet “Urbani” dhe parashikon vendosjen e stacioneve në “Google Maps”, pajisjen e tyre me tabela informuese, numrin e itinerarit etj. (Elona)