Shqipëri-Kinë 75 vjet marrëdhënie diplomatike (Foto Argumentum.al)
Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë (Foto Shqiptarja.com)
Viti 2024 përkon me 75 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. Këto 75 vite shpalosin shumë arritje dhe përmasa, në të cilat ka spikatur bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe miqësor midis të dy vendeve.
Gjatë këtyre shtatë dekadave e gjysmë, si populli kinez, dhe ai shqiptar, kanë ushqyer simpati dhe respekt për njeri-tjetrin. Janë dy popuj, të cilët, në situatat e komplikuara të periudhës së Luftës së Ftohtë, kanë qenë shumë afër njeri-tjetrit dhe janë përpjekur të bashkëpunojnë dhe ndihmojnë njeri-tjetrin.
Sipas një ankete mbarëkombëtare për perceptimin e Kinës në Shqipëri, të realizuar kohët e fundit nga Instituti Shqiptar për Globalizimin dhe të zhvilluar në 16 qytete tonat me 1,800 të rinj, përgjigjet e të rinjve shqiptarë nga mosha 18-30 vjeç ishin shumë interesante. Anketa veçoi tre gjetje kryesore në perceptimin e të rinjve shqiptarë për Kinën:
1. Kurioziteti i lartë: Të rinjtë janë të interesuar të mësojnë më shume për Kinën dhe shprehen se nuk kanë informacion të mjaftueshëm për Kinën e sotme.
2. Pozitiviteti: Shumica e të rinjve të intervistuar kanë një pikëpamje të favorshme, pozitive për Kinën.
3. Inovacioni: Të rinjtë e lidhin Kinën me teknologjinë më të avancuar.
Anketa konkludon se “Brezi i ri i Shqipërisë si kudo është i bekuar me akses të paparë në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. Kjo qasje iu jep të rinjve një avantazh unik: aftësinë për të kuptuar, lidhur dhe bashkëpunuar me bashkëmoshatarët anembanë globit. Ata e shohin veten si pjesë e një bote më të madhe dhe të ndërlidhur, dhe veprojnë si qytetarë globalë, me dëshirë të qartë për të bashkëpunuar me të rinjtë kinezë”.
Në këto 75 vite bashkëpunim, të dyja vendet kanë lidhur mbi 60 marrëveshje ekonomike. Në vitin 2023, vëllimi tregtar mes të dyja vendeve i kaloi të 1 miliardë dollarët dhe Kina përfaqëson sot partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë.
Qeveria kineze përkrah dhe inkurajon kompanitë kineze, si shtetërore dhe private, për të investuar në Shqipëri në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore, etj.
Shqipëria është anëtare e Mekanizmit të Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe partnere në nismën “Një Brez, Një Rrugë”.
Në vitin 2023, Kina dhe Shqipëria nënshkruan Marrëveshjen e Heqjes së Ndërsjellë të Vizave dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Turistik.
Sipas INSTAT-it, në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Shqipërisë arriti në 47.7 miliardë lekë ose 480 milionë dollarë, me një rritje 25 përqind të eksporteve shqiptare drejt Kinës. Pavarësisht se vijnë nga një bazë e vogël, eksportet tona në Kinë, janë në shtim të dukshëm. Për periudhën janar-qershor 2024, eksportet e Shqipërisë drejt Kinës u rritën në nivelin e 55 milionë dollarëve, nga 43 milionë dollarë që ishin në janar-qershor 2023.
Të dyja palët kanë çuar përpara aktivisht edhe nënshkrimin e dokumentave të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, duke injektuar një vrull të ri në zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare. Mundësitë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës janë të hapura dhe të gjera, në të gjitha fushat e ekonomisë, kulturës dhe në fusha të tjera të interesit reciprok. Arian Starova, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ekspert i çështjeve ndërkombëtare në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) komenton marrëdhëniet 75 vjeçare midis dy vendeve
CMG: Këtë vit mbushen 75 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. Të dyja palët kanë një histori të gjatë e të pasur lidhjesh diplomatike, kulturore, miqësore dhe ekonomike. Një koment tuajin, ju lutem.
Arian Starova: Përgjatë 75 viteve, historia e dy vendeve tona është një histori e veçantë.
Në fakt, ka patur zigzaket e veta. Ndonjëherë prishje, ftohje apo ndërprerje të marrëdhënieve, por gjithsesi ka patur një komponent, një emërues të përbashkët, i cili ka vazhduar edhe në periudhat e heshtjes, ngrirjes. Ka mbetur ajo që unë do e quaja një interes ekonomik i ndërsjelltë midis dy popujve, një populli jashtëzakonisht të madh dhe një populli shumë të vogël, si shqiptarët.
Popuj që gjithsesi kanë ruajtur një simpati për njeri-tjetrin, simpati e cila, në ditët e sotme, sidomos pas viteve ’90-të të shekullit të kaluar, ka filluar të shpaloset nëpëmjet marrëdhënieve ekonomike. Nëpërmjet vizitave, nga ana e Kinës, nëpërmjet shtimit të vizitave turistike.
Pra, është një marrëdhënie që ka rezistuar gjatë në 75 vjet. Është e veçantë, por duhet respektuar dhe parë në këndveshtrim afatgjatë, pa patur parasysh debatet që bëhen sot. Kina ka arritur aty ku është dhe pritet të ecë më përpara.
Madje, në vitin 2030 komentohet dhe pritet të jetë ekonomia më e fuqishme e botës. Edhe pse ka akoma edhe 6 vjet, por, me këto ritme, besoj do të jetë e tillë.
CMG: Në Elbasan, një lagje e qytetit quhet “Lagjia e Kinezëve”. Më 24 qershor 2024, në këtë qytet u zhvillua aktiviteti “Dialogu i të Rinjve Kinë-Shqipëri”, me qëllim forcimin e lidhjeve mes të rinjve të të dy vendeve, duke promovuar një dialog të hapur dhe konstruktiv. Si e shikoni këtë aktivitet dhe a duhet të kemi më shumë nisma të tilla në të ardhmen, që të dyja vendet tona të njihen më mirë sot?
Arian Starova: Kur flasim për këto nisma rinore, ne brezi më i vjetër, baballarët e tyre, nuk kemi të drejtë të jemi kritikë: “Shiko se Kina larg, se në Kinë ka tjetër mënyrë organizimi politik, etj.”.
Mendoj që kur nismat vijnë nga poshtë duhen përkrahur, pasi shkëmbehen miqësi, vlera kulturore. Shkëmbehet mirësi dhe është gjë shumë e mirë nga kushdo që e merr këtë iniciativë. Dhe këto nuk bëhen me urdhëra. Shkëmbimi midis popujve sjell gjithmonë të mira. Ky është parim që vlen jo vetëm për marrëdhëniet Shqipëri-Kinë, por për këdo.
CMG: Në janar të vitit 2023, Shqipëria dhe Kina hoqën rregjimin e vizave për qytetarët e tyre. Që nga ajo kohë, numri i turistëve kinezë në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Madje, sipas INSTAT, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti është trefishuar numri i vizitorëve nga Azia.
Arian Starova: Kjo, e para tregon që kinezët e vazhdojnë atë simpatinë edhe me perceptimin për filmat shqiptarë në kohërat e vjetra, pavarësisht cilës periudhë i takonin ata filma. Por ndoshta, ndikon edhe simpatia në sytë e popullit kinez. Ndikimi përmes dhënies së informacionit, propogandës. Kjo, pasi atje propoganda është shumë e organizuar. Një propogandë e përqëndruar, dhe kjo ka krijuar ndjesi pozitive, e cila trasmetohet në breza.
Kinezët kanë një traditë të fuqishme familjare. Nuk ka të vërteta që mund të harrohen nga prindi tek fëmija. Aty është një organizim politik i qendërzuar, i organizuar më shumë se sa në vendet e tjera.
Ish ministri i jashtëm Arjan Starova në intervistë për CMG
Kjo është një gjë e mirë, pasi vijnë më shumë kinezë se më parë, sepse janë edhe më mirë ekonomikisht tani, por edhe kanë dëshirë të shohin pjesë të Europës.
Ndërsa numri është i vogël nga shqiptarët për të shkuar në Kinë, megjithë dëshirën që kanë. Por shqiptarët nuk kanë mundësinë financiare, pasi kosto e biletës është e lartë. Është hequr një pengesë, siç është ajo e vizës. Tregtarët marrin ndihmës për gjuhën kineze dhe po shkojnë gjithnjë e më shumë nga Shqipëria.
Dhe të shkosh atje si turist është shumë e bukur, por edhe bukur të shohësh jo vetëm gjërat moderne, por edhe gjërat e një historie madhështore që ata kanë.
CMG: Kina sot është partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë në importe. Pse kanë rëndësi mallrat kineze për zhvillimin tonë ekonomik sot dhe në të ardhmen?
Arian Starova: Edhe më parë vinin mallra kineze, por cilësia e mallrave kineze sot nuk ka të krahasuar me atë të dikurshmen. Mallrat kineze janë konkurruese në botë, nga gjërat më të vogla tek automobilat elektrikë.
Është normale që tek ne të ketë interes për importet nga Kina, e para. E dyta, çmimet janë nga më të ultat, krahasuar me të tjerët. Megjithëse kohët e fundit edhe çmimet e produkteve kineze kanë një rritje dhe kjo është normale. Por mallrat kineze janë edhe më lirë, në krahasim me mallrat e fuqive të tjera të mëdha.
Në këto kushte, tregtia atë synon, të marrë mallrat e larmishëm dhe i merr edhe më lirë, megjithë transportin e kushtueshëm, ngaqë tregu është aq larg.
CMG: Në nivel të investimeve të Kinës në ekonominë tonë, për fat të keq, mundësite në kuadër të Nismës “Një Brez, Një Rrugë” nuk janë shfrytëzuar si duhet deri tani. Shikoni oportunitet që këto investime, të cilat në disa vende të rajonit tonë kanë ecur shumë mirë, të ndihmojnë edhe Shqipërinë?
Arian Starova: Nisma “Një Brez, Një Rrugë” është një mundësi e madhe. Por shpeshherë, kur ka lëvizje të mëdha ekonomike, synime të mëdha ekonomike, këto është vështirë të shikohen me një sy ekonomik. Lëvizje kaq të mëdha shikohen me sy politik edhe nga vende të tjera perëndimore. Megjithëse mallrat e Kinës zbarkojnë në Evropë në vende të ndryshme, Porti i Hamburgut është një nga pikat kryesore të mallrave kineze.
Ky ekspansion i Kinës mund të përkthehet në dobi dhe vlera ekonomike. Unë e shoh si ekonomi. por është normale që çdo vend, çdo elitë politike të ketë edhe hezitimet e veta, të ketë kujdes. Por ky kujdes nuk është bërë bllokues nga asnjë vend i Europës. Në Kinë ka pafund edhe investime amerikane dhe në SHBA ka pafund investime kineze.
“Një Brez, Një Rrugë” mendoj që është perspektivë e shkëlqyer e marrëdhënieve. Ideja e kinezëve është që një shkëmbim i madh midis njerëzve është edhe shkëmbim vlerash.
Ka një perspektivë kjo nismë “Një Brez, Një Rrugë”. Para një viti isha në Azerbajxhan. Nisma ishte përkrahur dhe kishte plot pjesëmarrës nga rajoni ynë, ndryshe nga një pjesë e Ballkanit, që është ndikuar nga hezitimet politike që hidhen nga njerëz që nuk i mendojnë mirë. Krejt ndryshe, aty kishte entuziazëm për këtë lloj nisme dhe shikonin shumë interesa me Kinën.
CMG: Ende, megjithë interesimin e firmave kineze shtetërore dhe private për produktet tona të eksportit dhe potencialin, eksportet tona drejt Kinës janë në një nivel shumë modest. Si mund të rriten ato ndjeshëm në të ardhmen, duke parë interesin dhe gatishmërinë maksimale për bashkëpunim nga qeveria dhe kompanitë kineze?
Arian Starova: Kjo s’ka lidhje me marrëdhëniet Kinë-Shqipëri. Kjo ka lidhje me situatën ekonomike brenda vendit tonë. Kemi shumë probleme me nxitjen e investimeve të brendshme, investimeve nga jashtë dhe prodhimin vendas.
Kam dëgjuar se ka shumë ankesa për produktet bujqësore dhe blegtorale, me fasoneritë, etj. Kina nuk i pengon këto. Shpresoj që gjërat të ndryshojnë. Ngërçet dhe pengesat besoj do kapërcehen. Por ngërçe në marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë nuk ka.
CMG: Si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve diplomatike, kulturore, tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës?
Arian Starova: Është një marrëdhënie, e cila, përtej gjithë ngërçeve dhe zigzakeve, ka mbijetuar. Dhe kjo është meritë jo vetëm e popujve, por edhe e elitave politike, pavarësisht pikpamjeve të ndryshme që ato kanë.
Pjesa ekonomike është njësoj. Ata mund të kenë më shumë prona shtetërore, por shumë ekspertë perëndimorë e vlerësojnë këtë gjë, se kjo gjë shmang spontanitetin e krizave ekonomike.
Për shembull, një ekspert amerikan thotë që në krizën e vitit 2008, “Ne na u desh t’i referoheshim përvojës kineze, për të vepruar në ekonomi. Pra, të vepronim si forcë e centralizuar. Dhe e kapercyem krizën, duke ndërhyrë me Rezervën Federale”.
Në këtë pikëpamje, them se kjo mbijetesë në këto kushte tregon që perspektiva është e mirë, nuk ka pengesë. Instituti i Studimeve Nderkombetare Shqiptare, që e drejton Albert Rakipi dhe ku unë atje jam anëtar bordi, ka bërë një studim të ngjashëm. Fryma e studimit është pak a shumë sikurse e shpjegova. Pra, me Kinën nuk mund të shihet marrëdhënia me frikëra, me trysnira dhe me mosbesim.
Me Kinën është një marrëdhënie, e cila mund të zhvillohet, pasi ka perspektivë. Kjo varet si nga faktori ekonomik, por edhe patjetër, dhe nga ai politik.
Intervistoi Fatos Çoçoli