Lojërat Olimpike Verore Paris 2024, risitë, performancat,gjithëpërfshirja
2024-08-09 10:40:45


Foto nga CMG

Lojërat Olimpike Verore, një event tepër i rëndësishëm për botën e sportit kanë shënuar edicionin e tyre të 33-të në Paris. Rreth 10.500 atletë nga 206 vende  marrin pjesë në Lojërat Olimpike Verore për 19 ditë, nga 26 korriku deri 11 gusht,  duke garuar në 32 lloje të ndryshme sporti, me synim fitoren e 329 medaljeve të arta. Shqipëria u përfaqësua në këtë edicion nga 8 sportistë në disiplina të ndryshme, ndërsa sportistët kosovarë kanë bërë një performance të mire. Të shoqëruara nga gara për medalje, polemika, kritika, por me një frymë gjithëpërfshirëse, Lojërat Olimpike Verore të Parisit shënojnë një ngjarje me rëndësi globale në sport, por dhe në shkëmbimet njerëzore dhe të kulturave. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës(CMG) gazetari Keivin Sula komenton zhvillimin e këtyre Lojërave në prag të mbylljes së tyre.

Foto nga VCG

CMG: Jemi në mbyllje të Lojërave Olimpike të Parisit. Si i vlerësoni ato? Cilat janë risitë e edicionit të 33-t të kësaj Olimpiade?

Keivin Sula: Deri tani ka patur shumë rekorde, por risia absolute ka qenë ceremonia e hapjes, sepse ishte hera e pare që nuk zhvillohej në një stadium por Parisi kishte vendosur ta zhvillonte përgjatë lumit Sena. Pati një organizim shumë të mire, thyerje rekordesh olimpike, por kemi dhe disa finale deri më 11 gusht. Sa i përket polemikave, mediat ndërkombëtare kanë shkruar për eventin, shoqëruar dhe me rrjetet sociale që i kanë përhapur dhe më shumë.

CMG: Pra në opinionin tënd ka qenë gjithçka në rregull?

Keivin Sula: Jo, nuk mund ta them këtë sepse për lumin Sena ka patur shumë polemika sa i përket ndotjes së tij. Belgjika për këtë shkak tërhoqi ekipin e triatlonit, duke u bërë një problem edhe më i madh sepse shumë gara të triatlonit janë shtyrë, madje ishte planifikuar se do të kishte stërvitje të sportistëve në lumin Sena, por dhe ato nuk u zhvilluan dot, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së lumit.

CMG: Nuk ka qenë vetëm kjo polemikë. Njera prej tyre është ajo sa i përket gjinisë së sportistëve dhe kjo është hera e pare që ngrihet një çeshtje e tillë në një Olimpiadë?

Keivin Sula: Rasti i boksieres algjeriane Imane Khelif mori përmasa shumë të mëdha dhe të gjitha mediat botërore shkruan për të, por dhe personazhe të famshëm, ndër to dhe kryeministrja e Italisë. Gjithçka ndodhi pas tërheqjes së boksieres italiane për 46 sekonda lojë, kur u shpreh se nuk ishte përballur kurrë me një force të tillë. Këto zëra dhe kritikat vendosi t’i shuante Thomas Bach, i cili tha se boksierja algjeriane ka lindur femër, kjo pasqyrohet dhe në pasaportën e saj dhe ka garuar në disa turne të femrave në boks. Indicja për polemika u mor nga përjashtimi i saj në Botërorin e 2023 nga Federata Botërore e Boksit pa dhënë arsyet e vërteta sepse raportet ishin konfidenciale. Ndërkohë kjo boksiere ka marrë pjesë rregullisht dhe në Lojërat Olimpike të Tokios ku është eliminuar nga një boksiere irlandeze, po ashtu dhe në Botërorin e një viti më pas sërish është eliminuar nga një tjetër irlandeze. Kështu ra poshtë pretendimi i sportistes italiane që nuk arriti ta mundte.

Foto nga VCG

CMG: Këto Lojëra janë shoqëruar me polemika të tjera, si përjashtimi i disa sportistëve për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, por dhe diskutimi dhe vënia në dyshim e rekordit të notarit kinez, rezultat i cili u quajt i pamundur. Komenti yt për këtë

Keivin Sula: Pan Zhanle është vetëm 20 vjeç dhe theu një rekord të pabesueshëm, sipas deklaratës së një ish tekniku Australian. Por sot e dime të gjithë që metodat e stërvitjes kanë ndryshuar, regjimi ushqimor po ashtu dhe asgjë nuk është e pamundur. Ne sa po vijmë nga një Kampionat Europian i Futbollit  ku ylli i i tij ishte një 16 vjeçar.. Ndaj mu duk e tepërt kjo polemikë sepse rekordi i notarit kinez ishte fantastik sepse u përmirësua me 0.4 sekonda dhe la gjurmë për këtë arritje.  Padyshim që do të komentohej

CMG: Ndërkohë ka dhe komente shumë pozitive sa i përket këtyre Lojërave Olimpike. Si paraqitet gjeografia e medaljeve të këtyre Lojërave, ndonëse jemi në vigjilje të finales së tyre?

Keivin Sula: Dueli SHBA-Kinë do të vazhdojë deri në 11 gusht, ndërsa vendi mikpritës Franca me shumë mundësi do të zerë vendin e tretë në Olimpiadë. Si dhe në edicionet e kaluara kanë spikatur Italia, Gjermania ndërkohë që gara duket e forte mes Kinës dhe SHBA-së. Ditët e fundit do të kemi shumë finale në disiplina të ndryshme dhe do të veçoja peshëngritjen ku Kina është “kockë e forte” dhe kjo do të bëjë diferencën e numrit të medaljeve të arta.

Ekipi shqiptar në Lojërat Olimpike të Parisit (Foto BoldNews)

CMG: Në Lojërat Olimpike të Parisit ekipi shqiptar përbëhej nga 8 sportistë të disiplinave të ndryshme  dhe kjo është pjesëmarrja e dhjetë e Shqipërisë në to. Si u paraqit ekipi kuqezi në këtë Olimpiadë ?

Keivin Sula: Pritshmëritë e Shqipërisë për një medalje që në fillim ishin tek mundësit. Janë tre mundës që kanë marrë medalje në Kampionatin Botëror, Abakarov, Valijev dhe Dudajev. Ndërkohë atletja Luiza Gega na zhgënjeu sepse prisnim të përsëriste veten  për t’u kualifikuar të paktën në finale  siç bëri në Tokio. Këta të katërt ishin sportistët e kualifikuar me normë, ndërsa nga sportistët e tjerë me ftesë nuk pritej ndonjë medalje. Atleti Franko Burraj ka bërë një performance shumë të mire, duke përmirësuar rekordin personal dhe pritej që të kualifikohej në 100 m, që është gara kryesore e atletikës, ku bëri një paraqitje dinjitoze.

Le të shpresojmë tek 3 mundësit për të na dhënë medaljen e pare olimpike

Foto nga VCG

CMG: Një performancë shumë të mire në Lojërat Olimpike të Parisit ka bërë ekipi i sportistëve nga Kosova.

Keivin Sula: Ashtu si në Tokio por  dhe më herët ekipi i Kosovës mori dy medalje me Distria Krasniqin medalje argjendi, Laura Fazliu medalje bronxi dhe pati më shumë pritshmëri si në rastin e Nora Gjakovës, që ishte medaliste e artë në Tokio, por për fat të keq nuk ia doli të kualifikohej, ndërsa vëllai i saj Agim Gjakova u kualifikua deri në gjysmëfinale dhe shkoi shumë pranë një medalje bronxi. Kosova duhet duartrokitur për performancën e saj në sportin e xhudos, ku sportistët janë ndër më elitarët në nivel europian.

CMG: Jemi në prag të finales së Lojërave Olimpike të Parisit, a kanë patur një publik të madh ato? Në Kampionatin Europian të Futbollit publiku ishte i jashtëzakonshëm dhe i ka ndjekur skuadrat e zemrës nëpër stadiume, si paraqitet mbështetja e publikut ndaj Olimpiadës?

Keivin Sula: Nëse futbolli është një sport që ndiqet në sheshe, Lojërat Olimpike janë më ndryshe, por ato janë gjithëpërfshirëse. Nëse tek futbolli gjithkush nuk e gjen veten, te këto Lojëra kanë mbi 30 sporte dhe secili mund të ndjekë njerin prej tyre. Impakti i këtyre Lojërave nuk është ende si një Kampionat Botëror Futbolli  në Shqipëri, por në botë ato ndiqen më shumë.

CMG: A është ndjekur ky edicion i Lojërave Olimpike në Shqipëri më shumë se edicionet e kaluara?

Keivin Sula: E kam këtë përshtypje sepse publikimi në media, por më së shumti në mediat sociale, por dhe polemikat e ndryshme  tërheqin më shumë vemendjen e publikut.

Intervistoi Eda Merepeza