Kina e quan NED-in "dorezat e bardha" të qeverisë amerikane
2024-08-09 21:01:46

CFP

Ministria e Jashtme kineze/CFP

Ministria e Jashtme kineze publikoi të premten një raport, ku demaskon Fondin Kombëtar për Demokracinë (NED), duke e quajtur atë "dorezat e bardha" të qeverisë amerikane.

Ky raport, i titulluar "Fondi Kombëtar për Demokracinë: Çfarë është dhe çfarë bën", vë në dukje se NED është angazhuar prej kohësh në përmbysjen e pushtetit shtetëror në vende të tjera, duke u përzier në punët e brendshme të vendeve të tjera, duke nxitur ndarje e konfrontim, duke mashtruar opinionin publik dhe duke kryer infiltrim ideologjik, të gjitha këto me pretekstin e promovimit të demokracisë.

NED-i në vitet e fundit ka vazhduar të ndryshojë taktika dhe ka shkuar edhe më tej në veprimtarinë e vet kundër prirjes historike të paqes, zhvillimit e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, si edhe është bërë më i njohur për përpjekjet e tij për infiltrim, përmbysje e sabotim kundër vendeve të tjera, thekson raporti, duke shtuar se veprime të panumërta djallëzore të NED-it kanë shkaktuar dëme të rënda dhe janë dënuar fort nga bashkësia ndërkombëtare.

“Është e domosdoshme të demaskohet NED-i dhe të paralajmërohen të gjitha vendet mbi nevojën për të parë ngjyrat e tij të vërteta, për të luftuar përpjekjet e tij përçarëse e sabotuese, për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë e interesat e zhvillimit të tyre kombëtar dhe për të mbështetur paqen e zhvillimin botëror dhe drejtësinë e barazinë ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Raporti vë në dukje se NED-i, që pretendon se është një organizatë joqeveritare, është zbatuesi i operacioneve të fshehta të CIA-s dhe financohet nga qeveria e ShBA-së. Sipas raportit, në vitin 1983, kur u krijua NED-i, Kongresi i ShBA-së i dha 18 milionë dollarë dhe sipas të dhënave nga uebsajti "USAspending.gov", NED-i mori 315 milionë dollarë në vitin fiskal  2023.

Sipas raportit, NED nxiti revolucionet me ngjyra për të përmbysur pushtetin shtetëror në vende të tjera, duke përfshirë Iranin, Ukrainën, Korenë e Veriut dhe vendet arabe.

Ministria e Jashtme e Kinës vuri në dukje se, nën maskën e demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, ShBA-ja e ka përdorur NED-in për infiltrim, ndërhyrje dhe përmbysje pushteti në vende të tjera.(Xu Guang)