Impiante (Foto RTSH)
Energjia e prodhuar nga centralet fotovoltaike shënoi rritje gjatë 6-mujorit të parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare, në total u gjeneruan rreth 208 000 mWh energji apo 169 mijë mWh më shumë se 6-mujori i vitit të kaluar.
Kjo rritje i atribuohet veçanërisht hyrjes në prodhim të centralit diellor të Karavastasë, që ka gjeneruar dhe pjesën dërrmuese të energjisë, bën të ditur “RTSH”.
Për periudhën janar – qershor ky impiant prodhoi 135,653 mWh apo 3.1% të energjisë totale të gjeneruar në vend.
Gjithashtu, në muajin maj të këtij viti ka hyrë në prodhim edhe centrali “Blue 1”, që është një prodhues i pavarur energjie.
Sipas të dhënave zyrtare në muajt maj – qershor nga ky central u prodhua 14 mijë mWh energji.
Hyrja në prodhim e këtyre impianteve ka rritur edhe peshën e energjisë diellore, në raport me totalin e gjeneruar nga të gjitha burimet energjetike në vend. Për periudhën 6-mujore, energjia diellore e prodhuar nga të gjitha impiantet fotovoltaike arriti në 4.8% të totalit, shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë. Ndonëse në raport me energjinë totale të prodhuar në vend kjo sasi është modeste, ajo paraqet rëndësi në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht Shqipëria është e varur nga burimet hidrike. (Elona)