Celibashi: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u lejojnë emigrantëve të votojnë
2024-08-09 11:38:51

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi (Foto RTSH)

Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor i kanë hapur rrugën procesit të votimit nga jashtë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Deklarata u bë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Sipas tij, me ndryshimet e fundit është përmbushur edhe urdhri i Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës Kuvendi i Shqipërisë do të duhej të plotësonte boshllëqet ligjore, me qëllim që për zgjedhjet e vitit 2025 të mundësohej votimi nga jashtë.

Celibashi konfirmoi se të gjithë ata qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, të cilët gjenden në ditën e votimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të drejtë të votojnë, citon “RTSH”.

“Ka një ndryshim në lidhje me këtë çështje, krahasuar me variantin e parë, ku, sipas këtij varianti, ideja ishte që vetëm ata të cilët kishin një rezidencë të deklaruar mund të votonin. Tani, kushdo që vërteton që gjendet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në ditën e votimit, ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës atje ku ai është ditën e zgjedhjeve”,- tha komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Celibashi u shpreh se KQZ-ja akoma nuk ka përgatitur listën e dokumenteve të cilat do të duhet të paraqesë një votues për të vërtetuar që është jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas tij, regjistrimi do të bëhet përmes një platforme elektronike, e cila do të ndërtohet dhe do të administrohet nga KQZ-ja.

Celibashi bëri të ditur se qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të votojnë vetëm nëpërmjet postës. (Elona)