Banka e Shqipërisë: Çmimet e konsumit në rënie, pranë nivelit 2.1%
2024-08-09 14:17:08

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko (Foto RTSH)

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%. Kjo ecuri u diktua nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, në veçanti të frutave e perimeve, sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Në një konferencë për shtyp, guvernatori tha se inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër, citon “ATSH”.

Sejko tha se rënia e inflacionit gjatë tremujorit të dytë ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste shfaqen më të qëndrueshme.

“Në veçanti, ngadalësimi i shpejtë i inflacionit të ushqimeve në vend ka ecur paralelisht me një ecuri të ngjashme në tregjet ndërkombëtare, duke sugjeruar se kjo ecuri pasqyron një goditje pozitive oferte. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste mbështetet si nga kërkesa solide për mallra e shërbime, ashtu edhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit”,- tha guvernatori Sejko. (Elona)