Rëndësia e jashtëzakonshme e Xizang-ut (Tibetit) për qeverinë qendrore në Pekin, për dekada ka qenë në qendër të vëmendjes, por ajo u shfaq më qartë kur në fund të korrikut 2021, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, zgjodhi Tibetin për turneun e tij të parë inspektues pas 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës (PKK-së). Ky veprim përçoi një mesazh të fuqishëm: harmonia etnike është një prioritet kyç në agjendën politike të Kinës. Në ndjekje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe progresit social, sinergjia ndërmjet qeverisë qendrore dhe vendore, e mbështetur nga një filozofi e unifikuar e bëri Xizang-un si një shembull të këtij bashkëpunimi të suksesshëm, dëshmuar kjo në arritjet transformuese të rajonit.
Viti 2024, shënon 30 vjetorin e nisjes së programit të ndihmës për Rajonin Autonom Xizang, që shfaqet si një rregullim i posaçëm i qeverisë kineze për të mbështetur zhvillimin e këtij rajoni. Gjatë këtyre viteve, qeveria qendrore ka prezantuar një sërë politikash të favorshme pë Xizang-un, duke mbuluar fusha të rëndësishme si taksat dhe financat, infrastrukturën, zhvillimin industrial, arsimin, shëndetësinë, ruajtjen e kulturës dhe mbrojtjen e mjedisit. Si rezultat, banorët e rajonit gëzojnë një mjedis të qëndrueshëm shoqëror, prosperitet ekonomik dhe kulturor, një mjedis ekologjik të shëndoshë dhe rrjedhimisht standarde jetese më të mira.
Dreka ushqyese e garantuara në shkollat e Tibetit/CFP
Nga plani, në aksion, në rezultate konkrete
Kina ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës në pllajën tibetiane, e cila është subvencionuar thellësisht nga Pekini, dhe kanë ndryshuar në mënyrë mbresëlënëse. Forumi i Tretë për Punën në Xizang, përkon me vitin 1994 dhe shënoi një moment të rëndësishëm me politikën e tij historike të përgjegjësisë rajonale për Rajonin Autonom të Xizang-ut. Gjatë tre dekadave të fundit, kjo strategji ka dhënë fryte të jashtëzakonshme, duke formësuar trajektoren e rajonit drejt progresit dhe prosperitetit. Që atëherë, gjithë kombi ka intensifikuar angazhimin e tij ndaj Xizang-ut, me organet shtetërore, provincat dhe qytetet e ndryshme dhe ndërmarrjet shtetërore që luajnë rol kryesor në këtë përpjekje madhështore.
Vetëm nga viti 2012 deri në vitin 2022, u vendosën 8,153 kuadro dhe ekspertë të lartë, u përfunduan 6,302 projekte ndihme dhe një investim marramendës prej 53,6 miliardë juanë (7,37 miliardë dollarë) u dërgua në rajon. Për më tepër, nismat që synojnë përmirësimin e jetesës së banorëve të Xizang-ut kanë sjellë përmirësime të rëndësishme në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe punësimin, duke e ngritur mirëqenien e njerëzve të rajonit në nivele të reja. Ndikimi i këtyre përpjekjeve rezonon thellë, duke reflektuar një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të begatë për Xizang-un.
turistët në Tibet/CFP
Jetesa e njerëzve në Rajonin Autonom Xizang është përmirësuar ndjeshëm në aspekte të ndryshme që nga çlirimi në vitin 1951. Më 1951 pritshmëria e jetës në Xizang ishtë 35.5 vjeç, të mposhtur nga shekuj feudalizmi dhe kolonializmi tibetianët ndër dekada kanë parë mbarë kombin kinez që ka rritur mbështetjen e tij për rajonin. Popullsia tibetiane në Xizang është rritur nga 2.41 milion në 2000 në 3.14 milion në 2020-ën , sipas regjistrimit të popullsisë.
Ndihma industriale, në veçanti, është shfaqur si një gur themeli i zhvillimit të Xizang-ut, duke i dhënë frymë të re industrive unike lokale të rajonit. Duke shfrytëzuar pikat e forta të njësive mbështetëse dhe të vetë Xizang-ut, projektet kanë katalizuar një rritje të cilësisë së lartë. Duke krijuar të ashtuquajturat parqe demonstrative, sidomos për industritë moderne të bujqësisë dhe blegtorisë, përforcuar nga teknologjia e avancuar, kanë udhëhequr transformimin dhe modernizimin e bujqësisë tradicionale, duke përfituar 19 qytete dhe 28 zona të kultivimit të perimeve. Ndihma industriale, në veçanti, është shfaqur si një gur themeli i zhvillimit të Xizang-ut, duke i dhënë frymë të re industrive unike lokale të rajonit. Duke shfrytëzuar pikat e forta të njësive mbështetëse dhe të vetë Xizang, projektet industriale kanë katalizuar një rritje të cilësisë së lartë.
Rajoni Autonom Xizang ka ndryshuar shumë gjatë 30 viteve me anë të programit të ndihmës dhe një nga ndryshimet është përmirësimi i infrastrukturës së transportit. Tani, Xizang ka të paktën 121,400 kilometra rrugë, kur vetëm pak më shumë së një dekadë më parë ishtë afro 65 mijë km.
Ndihmë e shënjestruar dhe arritje specifike
Programi i ndihmës "të stilit grupor", ose ndihma e "stilit të grupit" i referohet një qasjeje të koordinuar dhe sistematike për ofrimin e mbështetjes dhe ndihmës, veçanërisht në rajone me nevoja specifike. Në kontekstin e nismave të Pekinit në Xizang, ky koncept përfshin vendosjen e ekipeve të profesionistëve dhe ekspertëve nga fusha të ndryshme, si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe sektorët teknikë, për të punuar kolektivisht në rajon. Kjo metodë karakterizohet nga vendosja e bazuar në ekip, përpjekjet e qëndrueshme, përfshirja shumë-sektoriale, ndërtimi i kapaciteteve dhe zhvillimi bashkëpunues.
sektori i çajit në Linzhi të Tibetit/CFP
Në vend që të dërgohen ekspertë individualë në mënyrë sporadike, ekipe të tëra ose grupe profesionistësh dërgohen për të punuar së bashku në rajon. Kjo siguron një qasje më gjithëpërfshirëse dhe kohezive për adresimin e nevojave lokale. Ndihma nuk është afatshkurtër ose e përkohshme; përkundrazi, ekipet shpesh vendosen për periudha të gjata, duke lejuar zhvillimin e zgjidhjeve afatgjata dhe përmirësime të qëndrueshme në infrastrukturën dhe shërbimet lokale. Fokusi kryesor i asistencës së stilit grupor është në ngritjen e kapaciteteve, që do të thotë jo vetëm ofrimi i ndihmës së menjëhershme, por edhe trajnimi dhe fuqizimi i profesionistëve dhe institucioneve vendore për të vazhduar punën në mënyrë të pavarur në të ardhmen.
Qasja e Pekinit vë theksin në bashkëpunimin ndërmjet ekipeve ndihmëse, autoriteteve dhe komuniteteve lokale. Ky partneritet siguron që ndihma t'u përshtatet nevojave dhe kontekstit specifik të rajonit, dhe që aktorët lokalë të përfshihen aktivisht në procesin e zhvillimit. Në rastin e Xizang-ut, ndihma e stilit grupor është aplikuar në fusha të ndryshme.
Udhëhequr në mënyrë inovative nga qeveria qendrore kjo qasje ka trajtuar në mënyrë strategjike nevojën akute për ekspertizë profesionale dhe teknike në kujdesin shëndetësor dhe arsimin në Xizang. Për shembull, edukatorët nga Tianjin kanë kontribuar ndjeshëm në një shkollë fillore, duke krijuar kurse të avancuara në programimin e dronëve dhe robotikën, duke pasuruar kështu kurrikulën teknologjike. Në mënyrë të ngjashme, edukatorët nga Shaanxi dhe provinca të tjera kanë prezantuar klasa të reja dhe aktivitete plotësuese, duke bërë transformime thelbësore në filozofinë arsimore, praktikat pedagogjike dhe metodat administrative brenda shkollave fillore dhe të mesme në Xizang. Provinca Jiangsu, duke shfrytëzuar modelin e saj të partneritetit provincial-shkollë, ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse mbështetëse që përfshin të gjitha nivelet arsimore nga arsimi parashkollor në arsimin e lartë.
Mjekësia tibetiane/CFP
Në vitin 2015, fillimi i programit të ndihmës mjekësore "të stilit grupor" shënoi një zhvendosje thelbësore nga ndihma e fragmentuar, afatshkurtër në përpjekje të qëndrueshme dhe të koordinuara. Spitale të ndryshme provinciale dhe bashkiake, së bashku me ato direkt nën Komisionin Kombëtar të Shëndetit, dërguan profesionistë mjekësorë në Xizang. Deri në fund të vitit 2021, Xizang kishte zhvilluar kapacitetin për të trajtuar mbi 400 sëmundje të mëdha brenda rajonit dhe brenda qyteteve të tij, duke rritur kështu jetëgjatësinë mesatare nga 68.2 vjet në 2015 në 72.19 vjet në 2021. Në vitin 2019, Spitali Popullor Lhasa përuroi bazën e standardizuar të trajnimit për mamitë në nivel provincial, të ndihmuar nga ekspertë mjekësorë nga Pekini. Kjo nismë shënoi fillimin e trajnimit të strukturuar të mamive në Xizang dhe themeloi bazën e parë të trajnimit në nivel provincial në mbarë vendin.
Praktikisht ndihma e "stilit grupor" në thelb mishëron parimin "të gjithë për një dhe një për të gjithë". Ai përfshin një përpjekje kolektive ku profesionistë dhe ekspertë të shumtë nga sektorë të ndryshëm bashkohen për të mbështetur dhe ngritur një rajon në nevojë. Duke punuar së bashku, këto ekipe mund të arrijnë përmirësime më domethënëse dhe më të qëndrueshme sesa çdo përpjekje individuale mund të arrijë vetë.
Në Rrugën e Mëndafshit të Jugut
Forumi i Tretë për Zhvillimin e Xizang-ut, i mbajtur në vitin 1994, u shqua për standardet e larta, shkallën e gjerë dhe numrin e konsiderueshëm të çështjeve të trajtuara. Forumi prezantoi një model të standardizuar për ndihmën e çiftëzuar, vendosi parimin e ruajtjes së stabilitetit social duke përshpejtuar zhvillimin e Xizang-ut dhe u angazhua për të mbështetur 62 projekte ndërtimi në rajon.
Gjatë dekadës së fundit, Xizang është shfaqur si një lojtar kryesor në avancimin e nismës “Një brez, një rrugë” ose BRI duke shfrytëzuar rëndësinë historike dhe gjeografike si një kanal kyç për shkëmbimet kino-aziatike. E lidhur historikisht me "Rrugën e Mëndafshit të Jugut" dhe "Rrugën e lashtë të kuajve të çajit", Xizang-u ka përqafuar rolin rajonal në epokën moderne duke përmirësuar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me vendet partnere të BRI. Janë investuar 342 milionë dollarë në 24 projekte të huaja - kryesisht në Nepal, me sipërmarrje shtesë në Myanmar dhe Taxhikistan - që përfshijnë transportin ajror, zhvillimin e mineraleve, shitjen me pakicë, tekstile dhe shërbime.
çaji i Tibetit/CFP
Për t'u lidhur me qëllimet e BRI-së, Xizang-u ka integruar në mënyrë strategjike zhvillimin e tij me provincat fqinje si Sichuan, Yunnan dhe Qinghai, duke maksimizuar avantazhet e saj logjistike dhe tregtare. Kjo përfshin përshpejtimin e ndërtimit të një brezi të hapur ekonomik përgjatë kufijve të tij, nxitjen e integrimit të brendshëm-të jashtëm dhe kontributin në Korridorin e Bashkëpunimit Ekonomik Trans-Himalayan dhe Korridorin Ekonomik Bangladesh-Kinë-Indi-Myanmar.
Duke u fokusuar në lidhjen e porteve dhe industritë e orientuara drejt hapjes, Xizang po drejton zhvillimin e korridoreve të rëndësishme tregtare në Azinë Jugore. Rruga tregtare tokësore Kinë-Nepal tani lehtëson aksesin për pesë provinca në brendësi, duke përmirësuar rrjetin ndërkombëtar të tregtisë dhe logjistikës që shtrihet në perëndim të Kinës dhe më gjerë. Krijimi i korridorit të ri tokë-det përmes rajonit jugperëndimor të Kinës forcon më tej lidhjet ekonomike me ASEAN-in dhe tregun global.
Duke përqafuar një qasje të hapur zhvillimi, rajoni po fokusohet gjithashtu në turizëm dhe industri të teknologjisë së lartë, duke përfshirë krijimin e një porti digjital për Azinë Jugore, duke nxitur një ekonomi rajonale të avancuar dhe të ndërlidhur digjitale. Si një lidhje jetike midis Kinës dhe vendeve të Azisë Jugore, Xizang-u mishëron angazhimin e BRI-së për një rritje të hapur, gjithëpërfshirëse dhe reciprokisht të dobishme.
Xizang-u ilustron se si një qasje e integruar, me të gjithë palët e interesuara që punojnë së bashku, mund të kapërcejë sfida të mëdha dhe të realizojë qëllime ambicioze, jo vetëm brenda por edhe jashtë kufijve rajonalë dhe kombëtare.
Si përfundim, qeveria qendrore pati një kuadër vizionar, duke vendosur objektiva dhe politika të qarta që synojnë zhvillimin rajonal të Xizang-ut. Duke njohur nevojat dhe kushtet unike të komunitetit tibetian, i përshtati këto strategji në plane vepruese, duke u siguruar që ato të adresonin sfidat specifike rajonale duke u përafruar me prioritetet kombëtare. Ky partneritet dinamik lehtësoi krijimin e programeve dhe nismave të synuara që rezononin me nevojat e njerëzve. Mendësia kolektive për punën, jo vetëm që nxiti përpjekjet nëpër sektorë të ndryshëm, por gjithashtu nxiti një ndjenjë komuniteti dhe përgjegjësi të përbashkët. Rasti i Xizang-ut ilustron fuqinë transformuese të unitetit politik dhe mirëqeverisjes. Kjo histori suksesi qëndron si një dëshmi praktike e efikasitetit të përpjekjeve të koordinuara dhe ndikimit të thellë të një qasjeje të bashkuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Dr. Marsea Musabelliu