Banka Botërore: Investimet në arsim dhe teknologji, nxitje për rritjen e ekonomisë
2024-08-07 14:37:28

Banka Boterore (Foto RTSH)

Banka Boterore (Foto RTSH)

Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe rritja e investimeve në arsim e teknologji nxit më tej rritjen ekonomike të vendit, sugjeron Banka Botërore në Raportin e fundit të Zhvillimit Botëror për vitin 2024. Sipas Bankës Botërore, vendet me të ardhura të mesme janë në një garë me kohën. Që nga viti 1990, shumica e vendeve në botë, përfshi edhe Shqipërinë, kanë bërë mjaftueshëm për t’u shpëtuar niveleve me të ardhura të ulëta dhe çrrënjosjen e varfërisë ekstreme.

Por tani ambiciet duhet të rriten për të arritur statusin me të ardhura të larta brenda dy ose tri dekadave të ardhshme, shkruan “ATSH”.

Sipas Bankës Botërore, pikat kyçe ku realizohet kjo arritje është një ekonomi e bazuar në inovacion dhe investimet në kapitalin njerëzor.

Rruga e vetme për të siguruar prosperitet është qasja e ekonomisë në zhvillimin teknologjik dhe nxitja e talenteve. Banka sugjeron se qeveritë në vendet më të ardhura të mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, duhet të huazojë teknologji dhe ide për zhvillimin nga jashtë.

Përveç teknologjisë, vendet si Shqipëria duhet të investojnë në burimet njerëzore dhe te talentet, të cilët çojnë para forcën krijuese. Ndaj, investimet në arsim konsiderohen si mjeti kryesor për të shënuar progres në nxitjen e ekonomisë. (Elona)