Veliaj, apel bizneseve: Mos i hidhni mbetjet në koshat për familjarët!
2024-08-07 11:45:46

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Gjatë vizitës te streha e kafshëve në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ndal edhe te një tjetër çështje problematike, që prek jo vetëm qytetarët, por edhe kafshët.

Ai foli për fushatën e pastrimit që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës, teksa apeloi për bizneset që të mos i hedhin mbeturinat aty ku i hedhin familjarët, shkruan “ATSH”.

“Sa i përket çështjes së pastrimit, ne kemi pasur një fushatë të jashtëzakonshme gjobash, sidomos për kompanitë private. Bizneset nuk mund t’i hedhin mbetjet aty ku i hedhin familjarët. Të hedhësh të gjitha copat e mbetura të sfungjerit apo të lëkurës dhe tekstilit nga fasoneritë tek koshi i plehrave të qytetarëve është shkelje e ligjit dhe duhet dënuar me gjobë. Mjafton të shikosh faturat për të gjetur se cili restorant ose biznes i hedh për të aplikuar gjobën”, - tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se kjo është një gjë e pandershme, është një mungesë qytetarie dhe në një qytet ku është shtuar shumë volumi i mbetjeve, sidomos prej të huajve, restoranteve dhe lokaleve që janë shtuar jashtëzakonisht me konsumin e tyre prej turizmit, tregon se ne që jemi vendas duhet të tregojmë vëmendje maksimale. (Elona)