Duleviç: Çmimet e paneleve diellore në rënie, qytetarët nxiten për t’i instaluar
2024-08-07 12:08:50

Instalimi i paneleve (Foto Vizion) plus

Instalimi i paneleve (Foto Vizion) plus

Familjet shqiptare kanë rritur investimet për instalimin e paneleve diellore.  Kjo duket nga shifrat e publikuara nga Censi i popullsisë dhe banesave ku nga rreth 756 mijë familje të anketuara, 11.4% e tyre deklaruan se e kanë të instaluar një teknologji të tillë. Në një intervistë për mediat Azmer Duleviç, ekspert për energjinë elektrike thotë se qytetarët gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohen për rëndësinë e tyre dhe kjo vjen edhe si pasojë e uljes së çmimit të paneleve.

“Ky është reflektimi i gjithë këtyre viteve, ku është folur sa i përket kursimit të energjisë elektrike, por duhet të bëjmë një saktësim të vogël pasi bëhet fjalë për panele diellore për ngrohjen e ujit panele sanitare. Por edhe këto panele diellore për ngrohjen e ujit reflektohen tek fatura e energjisë elektrike, nuk harxhohet energjia elektrike nga bolieret tradicionalë për ngrohjen e ujit. Kjo është një nismë që është mbështetur nga qeveria shqiptare me mbi 2 mijë abonentë që kanë aplikuar dhe kanë përfituar mbi 70% të kostos së instalimit dhe pjesën tjetër nga buxheti i tyre. Duhet të themi që ka dhe një ulje të çmimit të paneleve krahasuar me vitet 2010 apo 2011, pasi çmimet janë më të përballueshme nga buxheti i familjeve shqiptare dhe të gjitha këto kanë ndikuar që numri i familjeve që vendosin panele në banesat e tyre është rritur ndjeshëm dhe besoj edhe në vazhdim do të rritet akoma më shumë sepse çmimi i paneleve vazhdon të ulet dhe kush ka mundësinë ekonomike dhe teknike bën shumë mirë për t’i vendosur në banesat e tyre.”- tha Duleviç.

Eksperti Azmer Dulevi莽 (Foto Priza.al)

Eksperti Azmer Duleviç (Foto Priza.al)

Në rritjen e numrit të familjeve që përdorin panele ka ndikuar edhe mbështetja e qeversë me subvencionim 70%  për çdo familje që aplikon për panele diellore.

“Këto janë rezultat i çmimeve, por si pasojë edhe e nismës nga ana e qeverisë është e minimizuar sepse 2 mijë familje, pasi u tha në atë kohë do të jetë edhe për 20 mijë familje të tjera. Deri më sot nuk ka një thirrje që ky numër të shkojë në 20 mijë familje. Nëse do të shkonte do ishte shumë mirë për qytetarët kryesisht, për ata persona që kanë shtëpi private ose në zona rurale për t’i vendosur në banesat e tyre.”

Eksperti thotë se nisma të tilla duhen nxitur më tej për të shkuar drejt energjisë së gjelbër.

“Kjo është një nismë për t’u përshëndetur dhe duhet të zgjerohet. Madje unë jam ndër të parët dhe i vetmi që e kam thënë që duhet të zgjerohet edhe tek panelet foto voltaike për autokonsumatorët. Njëlloj siç ka subvencione për panelet për ngrohjen e ujit, panelet hidrosanitare duhet të ketë subvencione dhe për ata qytetarë që kanë mundësinë teknike dhe financiare që të mbështeten edhe me subvencione për panele fotovoltaike. Kjo është për të mirën e qytetarëve, por edhe më pak energji e marrë nga rrjeti pra kthehen qytetarët në aksionerë në prodhimin e energjisë elektrike, dhe këtu duhet të jetë dhe fokusi në vazhdim i qeverisë shqiptare sa i përket sektorit të energjisë elektrike.”

Panele  diellore(Foto panele diellore.com)

Panele  diellore(Foto panele diellore.com)

Janë të shumta përfitimet që vijnë nga instalimi i paneleve diellore.

“Përfitimi kryesor është direkt financiar, përkthehet në më pak lekë të dala nga xhepi i qytetarëve për faturën e energjisë elektrike. Ky është përfitimi direkt, kurse nga ana e OSHEE-së përfitimi është që më pak energji e marrë nga rrjeti, sepse 405 e faturës së energjisë elektrike ne si qytetarë e paguajmë vetëm për ngrohjen e ujit në banesë. Nëse ti e vetëprodhon ujin e ngrohtë në banesë, i bie që merr më pak energji nga rrjeti dhe nuk e ngarkon, sidomos gjatë verës kur jemi në pikun e vapës. Në këto momente që flasim përdoren në maksimum kondicionerët dhe nëse ti nuk merr energji dhe nuk e ngarkon rrjetin për ngrohjen e ujit, është një lehtësi dhe nuk e ngarkon në tërësi sistemin e shpërndarjes. Pra përveç përfitimit financiar që ka direkt ajo familje që e ka vendosur, përfitimi është edhe më i gjerë  në rrjetin e shpërndarjes që nuk ngarkohet në mënyrë që të mos plasin kabujt të mos dëmtohen linjat dhe të mos mbesin pa energji elektrike, zona apo fshatra të terë.”

Për Tv Scan eksperti i energjisë Duleviç tha se instalimi i paneleve diellore duhet të shihet me përparësi sidomos tek pallatet e reja për t’u shfrytëzuar në maksimum.

“Besoj që po, por duhet bërë edhe një rregullim, madje unë e kam ngritur edhe në media të tjera, për sa i përket pallateve, sidomos pallateve të reja, që u jepen leje dhe janë duke u ndërtuar, në tarracat e tyre duhet të shfrytëzohen dhe ndërtohen panele diellore, për energji apo për ngrohjen e ujit në mënyrë që banorët të përdorin ujin e ngrohtë që mund të kenë në banesa nga dielli. Por kjo rregullohet vetëm me ligj, pasi është e vështirë të ndahet se kujt i përket tarraca e pallatit, por bëhet fjalë gjithmonë për pallatet e reja, sepse për pallatet e vjetra është shumë e vështirë për ta marrë si nismë pasi shpeshherë janë dhe me depozita, nuk janë të përshtatshme, kanë pjesën e izolimit e kështu me radhë. Do ishte mirë të kishte një rishikim kur jepet leja.”

2 vite më parë, afro 2 mijë familje shqiptare përfituan nga mbështetja e qeverisë me 70% të kostos për panelet për ngrohjen e ujit.