25 milionë euro për Ekonominë Blu, Denaj: Zhvillim të qëndrueshëm sektorit të peshkimit
2024-08-07 14:39:19

Peshkim (Foto RTSH)

Peshkim (Foto RTSH)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se programi për ekonominë blu kontribuon duke iu ofruar institucioneve dhe sektorit privat mundësi të reja në procesin e anëtarësimit në BE.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ministrja shkruan se Shqipëria garanton 25 milionë euro për ekonominë blu, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë detare dhe bregdetare falë marrëveshjes së bashkëpunimit Shqipëri – Itali, projektvendimi i së cilës u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, citon “ATSH”.

“Ky program përputhet me Strategjinë për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021-2027 dhe synon përmirësimin e infrastrukturës së peshkimit dhe mbështet peshkimin në shkallë të vogël në të gjithë bregdetin shqiptar”, - tha ajo.

Ndër të tjera, ministrja theksoi se ky hap do të ndihmojë në nxitjen e punësimit, formalizimin, modernizimin e sektorit, duke rritur konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Investimi kontribuon në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së 2030, për sigurinë ushqimore, modelet e qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit dhe ruajtjen e burimeve detare”, - shkruan Denaj. (Elona)