Gjader (Foto RTSH)
Shtyhet hapja e kampit të refugjatëve në Gjadër. Gazeta “La Repubblica” ka publikuar këtë të martë një artikull, ku bën me dije se kontingjenti italian që do të menaxhojnë qendrat e emigrantëve do të mbërrijë në Shqipëri më 20 gusht, bën të ditur “RTSH”.
Ndonëse hapja e kampit në Gjadër ishte parashikuar të ndodhte në fillim të muajit gusht, “La Repubblica” raporton se kjo do të bëhet e mundur në fund të këtij muaji dhe në fillim të shtatorit.
"Testi i parë nga inxhinierët ushtarakë, për të hapur vetëm një pjesë të qendrës së paraburgimit në Gjadër, është caktuar në 20 gusht, ndërsa i dyti që duhet të japë dakordësinë për dorëzimin përfundimtar në Ministrinë e Brendshme do të jetë më 1 shtator",- thuhet në artikull.
Po ashtu, nisja e kontingjentit të parë prej 500 burrash, përfshirë policë e karabinierë, të cilët do të duhet të sigurojnë funksionimin e protokollit të Shqipërisë, është planifikuar gjithashtu për 20 gusht.
Marrëveshja Shqipëri – Itali parashikon që emigrantët, të cilët mbërrijnë në Itali, të dërgohen në Shqipëri dhe të qëndrojnë aty derisa vendi fqinj të përcaktojë nëse ata do të kthehen në vendin e origjinës apo do t'u pranohet kërkesa për azil. (Elona)