Ilir Alimehmeti (Foto RTSH)
Virusi ethet e Nilit Perëndimor ka mbërritur në Shqipëri, por mjeku Ilir Alimehmeti shprehet se nuk ka vend për panik. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “RTSH24”, mjeku tha se është një virus që prek më shumë moshën e tretë dhe personat me sëmundje të tjera kronike, por që ka një rrezikshmëri shumë të ulët për jetën.
“Është një sëmundje që prek numra të vegjël njerëzish dhe një pjesë e mirë e tyre nuk shfaqin asnjë simptomë, duke mos e kuptuar që janë prekur. Një numër i vogël që shfaqin simptoma do të kenë kryesisht dhembje trupi, koke, temperaturë. Ka një shkallë shumë të ulët rrezikshmërie për jetën.Është një virus që e njohim, një virus me simptoma që i njohim dhe me vdekshmëri 0.1 për qind dhe një mundësi për të kaluar në forma të rënda kryesisht te moshat e mëdha.
Nuk transmetohet nga njeriu te njeriu, por vetëm nga mushkonjat”,- tha mjeku.
Në spitalin infektiv në QSUT ndodhen të shtruar 9 persona të prekur nga disa forma të rënda si pasojë e etheve të Nilit Perëndimor. (Elona)