Kryeministri rumun Marcel Ciolacu bëri të ditur të martën se ai do të refuzonte pjesëmarrjen në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Parisit, pasi një rishikim i pikëve e la gjimnasten rumune Ana Barbosu jashtë podiumit të medaljes.
Barbosu mendoi se kishte fituar medaljen e bronztë, pasi konkurroi të hënën në "Bercy Arena" në Paris, duke u renditur e treta. Por trajnerët e gjimnastes amerikane Jordan Chiles, deri atëherë e renditur në vendin e pestë, apeluan që rezultati i Chiles-it të rishikohej.
Ky rishikim bëri që Chiles të merrte një medalje bronzi, duke e lënë Barbosu-n jashtë podiumit me lot në sy.
“Vendosa të mos marr pjesë në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Parisit, pas situatës skandaloze në gjimnastikë, ku sportistet tona u trajtuan në mënyrë absolutisht të pandershme,” ka shkruar Ciolacu në "Facebook".
“Është e papranueshme që në një konkurrim kaq të madh që promovon vlerat si respekti, mirëkuptimi dhe përsosmëria, një fëmije që kishte fituar me ndershmëri medalje, t'i hiqet brutalisht rezultati i punës për katër vjet."
Ish-gjimnastja rumune Nadia Comaneci, e njohur për rezultatin e saj të përsosur prej 10 pikësh në Lojërat Olimpike të Montrealit të vitit 1976, shprehu keqardhjen që Barbosu u la jashtë podiumit pas rishikimit.
“Nuk mund ta besoj që ne luajmë me shëndetin mendor dhe emocionet e sportistëve në këtë mënyrë,” shkroi ajo në X.(Xu Guang)