Ekspozita homazh për mjeshtrin e Operës së Pekinit
2024-08-06 10:27:56

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Në Muzeun e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Kinës është hapur një ekspozitë, si një homazh i mrekullueshëm për të përkujtuar 130-vjetorin e lindjes së Mei Lanfang (1894-1961), mjeshtrit të Operës së Pekinit, jeta dhe arti i të cilit vazhdojnë të rezonojnë thellësisht brenda kulturës kineze dhe më gjerë.

Nga fotot e vjetra deri te kostumet e Operës së Pekinit, nga pikturat te pllakat e gramafonit, kjo ekspozitë retrospektive, që do të zgjasë deri më 23 tetor, paraqet karrierën e shkëlqyer të Mei, si dhe thellimin në ndikimet e tij të hershme, përpjekjet e tij pioniere në promovimin global të Operës së Pekinit dhe trashëgiminë e qëndrueshme të tij.

Opera e Pekinit, ose jingju, është një formë arti 200-vjeçare që ndërthur këngën, kërcimin, akrobacinë dhe artet marciale. Në vitin 1790, kur katër trupa të Operës Huiju vizituan Pekinin si pjesë e festimeve të 80-vjetorit të ditëlindjes së perandorit Qianlong (1711-99) të dinastisë Qing (1644-1911), ata qëndruan në kryeqytet. Opera Huiju është një formë tradicionale e operës nga provinca Anhui, nga e cila më vonë lindi Opera e Pekinit.

E ndikuar kryesisht nga Opera Huiju, Opera e Pekinit nisi formalisht të merrte formë rreth vitit 1840, duke u rritur me shpejtësi si një formë arti tërheqëse për familjet mbretërore dhe masat.

Opera e Pekinit u regjistrua në vitin 2010 në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s.

Në ceremoninë e hapjes, më 23 korrik, artistët e Operës së Pekinit që trashëguan stilin e interpretimit të themeluar nga Mei, duke përfshirë Hu Wenge, Guo Xiao dhe Wei Hai-min nga Tajvani, vunë në skenë disa nga pjesët më të njohura të Operës së Pekinit të Meit.

Sipas një prej kuratorëeve të ekspozitës, Zheng Guangxu, drejtoresha e Bibliotekës së Akademisë Kombëtare të Arteve Kineze, e cila është një nga bashkorganizatorët e ekspozitës, u desh mbi një vit për të punuar për ekspozitën, duke përzgjedhur më shumë se 200 ekspozita që lidhen me Mein, duke përfshirë afro 120 sende me vlerë të ekspozuara për publikun për herë të parë.

Me gjashtë seksione, ekspozita hapet me jetën e hershme të Meit, i cili lindi në Pekin dhe u prezantua në botën e Operës së Pekinit në një moshë të vogël falë familjes së tij. Babai i tij, Mei Zhufen dhe gjyshi, Mei Qiaoling, ishin të dy artistë të famshëm të Operës së Pekinit. Xhaxhai i tij, Mei Yutian, ishte një lojtar i famshëm i huqin, një instrument muzikor tradicional kinez me tela që përdoret kryesisht për të shoqëruar shfaqjet e Operës së Pekinit.

Pjesa e parë në ekspozitë është një pikturë rreth 3.18 metra e gjatë dhe 0.82 metra e gjerë, një kopje e bazuar në veprën e artit të artistit të dinastisë Qing, Shen Rongpu, të titulluar “Tongguang Shisan Jue” (Trembëdhjetë Mjeshtrit e Mbretërimit Tongzhi dhe Guangxu, me 13 pjesëtarë të Operës së Pekinit, duke përfshirë dhe Mei Qiaoling.

Babai i Mei Lanfang vdiq kur ai ishte një fëmijë shumë i vogël dhe nëna e tij vdiq kur ai ishte 14 vjeç. Mei Lanfang filloi të studionte Operën e Pekinit në moshën 8-vjeçare, duke bërë debutimin e tij në skenë në moshën 11-vjeçare.

Ai u specializua në interpretimin e roleve nandan, në të cilat burrat luajnë personazhe femra, një praktikë kohës feudale kur gratë ndaloheshin të dilnin në skenë.

Në ekspozitë shfaqen foto të Mei Lanfangut të ri dhe mësuesit të tij, Wu Lingxian. Nga dokumentet historike, shikuesit mësojnë se si Mei Lanfang i përmirësoi aftësitë e tij në teknikat e Operës së Pekinit, duke zotëruar ndërlikimet e modulimit vokal, gjestet dhe shprehjet dramatike.

Në vitin 1913, Mei Lanfang bëri performancën e tij debutuese në Shangai. Në ekspozitë shfaqet kontrata që ai nënshkroi në vitin 1923 me Xu Shaoqing, i cili e ftoi në Shangai. Shfaqjet e tij në metropol i dhanë atij një reputacion kombëtar.

Nga viti 1912 deri në 1932, Mei Lanfang përshtati disa pjesë klasike të Operës së Pekinit, krijoi vepra të reja dhe gradualisht formoi stilin e tij unik të artit, i cili më vonë u njoh si meipai, ose “stili i artit të Meit”.

Kulmi i nandanit ishte në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, kur Mei Lanfang, Shang Xiaoyun (1900-76), Cheng Yanqiu (1904-58) dhe Xun Huisheng (1900-68), të quajtur Katërshja e Madhe Dan (për rolet e femrave), krijuan katër stilet dan të Mei, Shang, Cheng dhe Xun.

Në vitin 1925, Mei Lanfang dha premierë veprën e tij origjinale “Taizhen Waizhuan” (Anekdotat e Taizhenit), e cila u frymëzua nga “Changhen Ge” (Kënga e pikëllimit të përjetshëm), një poemë narrative në të cilën poeti i dinastisë Tang (618-907), Bai Juyi, portretizoi aferat e dashurisë të konkubinës legjendare mbretërore Yang Yuhuan të dinastisë Tang dhe perandorit Xuanzong.

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Taizhen  ishte emri taoist i Yang,  pasi dikur ishte një murgeshë taoiste.

Mei Lanfang e tregoi historinë romantike dhe tragjike të dashurisë së Yang dhe perandorit përmes Operës së Pekinit. Me këngë dhe koreografi origjinale, e gjithë shfaqja zgjati katër net dhe pati një sukses të madh.

Një kostum i veshur nga Mei Lanfang kur luante rolin e Yang shfaqet për herë të parë në ekspozitë.

Sipas një prej kuratoreve, Xiang Qian, kostumet tregojnë krijimtarinë e Mei Lanfang. Krahasuar me kostumet e Operës së Pekinit të kohës që mbanin babai dhe gjyshi i tij, Mei Lanfang zgjeroi mëngët dhe integroi elementet e shuixiu, mëngë të gjata mëndafshi të bardha të ngjitura në kostumeve të personazheve femërore.

Interpretuesit, ndërsa interpretonin, krijonin lëvizje të ndryshme, duke portretizuar hijeshinë e personazheve femra ndërsa shprehnin emocione.

 “Taizhen Waizhuan” (Anekdotat e Taizhenit) interpretohej rrallë për shkak të skenës së madhe dhe ekstravagante dhe numrit të madh të aktorëve në skenë. Ajo është bërë një nga veprat më të famshme të Mei Lanfang”,- tha Xiang.

Në vitin 1926, këngët nga shfaqja u publikuan në pllaka gramafoni. Gjatë ekspozitës, kur vizitorët qëndrojnë përballë kostumit të bukur, ata mund të dëgjojnë njëkohësisht këngët e luajtura në një disk të stilit të vjetër.

Në qendër të trashëgimisë së Mei Lanfang është roli i tij kryesor në popullarizimin e Operës së Pekinit në skenën globale.

Ai bëri turne në Japoni në vitet 1919, 1924 dhe 1956. Në vitin 1930, ai bëri turne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rreth dy muaj, duke dhënë shfaqje në Nju Jork, Uashington dhe San Francisko, ndër të tjera. Në vitin 1935, ai performoi në ish-Bashkimin Sovjetik dhe, në të njëjtin vit, bëri turne në Europë, duke mahnitur audiencën perëndimore me performancat e tij magjepsëse.

Nëpërmjet kostumeve të punuara me përpikëri dhe fotografive të rralla nga këto turne, ekspozita nxjerr në pah arritjet e Mei Lanfang në kapërcimin e barrierave kulturore dhe shfaqjen e traditave të pasura të Operës së Pekinit për një audiencë ndërkombëtare.

Po ashtu në ekspozitë shfaqen edhe fotot e Mei Lanfang duke shtrënguar duart me Charlie Chaplin, si dhe të artikujve të publikuar për performancën e tij në SHBA.

Mei Lanfang vdiq në Pekin në moshën 67-vjeçare. Djali i tij i nëntë, Mei Baojiu (1934-2016), performoi gjithashtu si nandan, trajnoi artistë të rinj të Operës së Pekinit dhe çoi përpara trashëgiminë e babait të tij.

Pikat e tjera kryesore në ekspozitë përfshijnë kontributin e Mei Lanfang në zhvillimin e artit të vendit pasi ai shërbeu si drejtori i parë i Kompanisë Kombëtare të Operës së Pekinit në Kinë në vitin 1950 dhe drejtori i parë i Institutit të Operave Tradicionale Kineze më 1951-shin, i cili më vonë u bë Akademia Kombëtare e Arteve.

Wang Yong, drejtori aktual i Kompanisë Kombëtare të Operës së Pekinit thotë: “Si vizitor, u preka kur pashë këtë ekspozitë, e cila paraqet evolucionin artistik të Mei Lanfang, nga një interpretues i ri i jashtëzakonshëm deri te maestroja që revolucionarizoi Operën e Pekinit, përmes mjeshtërisë së roleve nandan, personazhe femra të portretizuara me hir dhe ndjeshmëri të pashoqe.

“Kompania jonë ka trajnuar artistë të rinj për të mbajtur gjallë trashëgiminë e Mei Lanfang; jo vetëm stilin e ti, por edhe shpirtin e tij artistik”,- thekson Wang.