Tomini: 17 raste të konfirmuara me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri
2024-08-06 11:18:21

Eugena Tomini drejtore e ISHP (Foto ATSH)

Eugena Tomini drejtore e ISHP (Foto ATSH)

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi të hënën se janë 17 raste të konfirmuar me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri, shkruan ATSH .Në një intervistë televizive, Tomini tha se 3 rastet e personave që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje janë të moshës mbi 62 vjeç, pacientë që kanë sëmundje bashkëshoqëruese dhe me imunitet të deprimuar.

“Rreth 8 shtete europiane duke përfshirë edhe rajonin sigurisht që kanë pasur prezenca të Nilit Perëndimor që në muajin prill. Franca Austria, Rumania, Serbia, Spanja, Greqia, Italia kanë raste të virusit të Nilit Perëndimor. Disa prej këtyre shteteve kanë pasur edhe më herët, por që nga muaji prill kanë pasur këtë prezencë të hasjes me virusin e Nilit Perëndimor”, theksoi Tomini.

Sipas saj, rreth 80 % e rasteve, Nilin Perëndimor e kalojnë asimptomatik pas një pickimi nga mushkonjat dhe e kalojnë në mënyrë të qetë. Por ka edhe forma neoinvazive apo me prekje të sistemit nervor qendror në persona me imunitete të deprimuar sigurisht që kalojnë në forma të rënda dhe ka edhe humbje jete.

“Por duhet të theksojmë se prekja e formave neuroinvazive është një përqindje e vogël krahasuar me totalin e rasteve që mund të preken në mënyrë asimptomatike, por rëndesa e tyre jep edhe humbje të jetës. Format e thjeshta kalojnë me dhimbje koke, të barkut, dobësi trupore, dhimbje muskulare, të cilat nuk reflektojnë specifikisht virusin e Nilit, por ndërkohë kur kemi prekje të sistemit nervor që mund të jetë konfuzioni mendor, prekja e trurit, meningjeve, sjell konfuzionin, humbje të koshiencës, kalimin në gjendje kome”, nënvizoi Tomini.

Sa i përket procesit të dezinsektimit, Tomini bëri të ditur se ka filluar që vitin e kaluar dhe  ka vijuar edhe këtë vit.

“Janë kryer 5 trajtime për secilin lot në zonën bregdetare ligatonore, ka  vijuar çdo dy-tre javë në varësi të topikës dhe hotspotit. Janë me qindra hektarë të dezinsektuar me kanale, pellgje dhe zona ligatinore dhe habitatet ku ne kemi specifikuar procesin e dezinsektimit”, tha Tomini.

Ethet e Nilit është një nga sëmundjet më të zakonshme që transmetohen nga mushkonjat dhe varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë. Simptomat e këtij virusi janë të ngjashme me ato të gripit, temperaturë, gjendje parehati e përgjithshme, etj. Virusi nuk përhapet nga njeriu te njeriu.(Fatosi)