Presidenti Begaj dhe Van Horn (Foto ATSH)
Presidenti shqiptar Bajram Begaj, ka deklaruar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor mbetet vendimtar, shkruan rtsh.al.
Begaj e bëri deklaratën e tij gjatë një takimi me të ngarkuarën e re me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy Van Horn.
Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin dhe kontributin në rritje të Shqipërisë në këtë partneritet strategjik, duke shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen bujare dhe vendimtare ndaj vendit ballkanik.
Presidenti theksoi, gjithashtu, se mbështetja e SHBA-së rrit angazhimin e Shqipërisë për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit, përpjekje këto të qëndrueshme me synim finalizimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në takim u vlerësua roli i Shqipërisë për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal, përkushtimi në misionet ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, si edhe qëndrimi kundër përpjekjeve që cenojnë paqen përmes zgjerimit të konflikteve.(Fatosi)