Turizmi po fuqizon ekonominë e Shqipërisë
2024-08-06 11:47:53

Në vitet e fundit, turizmi është bërë një nga sektorët më të rëndësishëm dhe në rritje të vrullshme, në ekonominë e Shqipërisë.

Vendi po rekomandohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik nga operatorë turistikë të huaj, nga udhëzuesit ndërkombëtarë të udhëtimit dhe nga mediat ndërkombëtare. Arësyet kryesore pse Shqipëria ka hyrë përfundimisht në hartën botërore të destinacioneve turistike, për të qëndruar gjatë aty, janë tre:

Së pari, vendi ofron një turizëm të zhvilluar bregdetar, me produktin kryesor turizmin “plazh dhe diell”, i përqëndruar në destinacionet tona kryesore bregdetare si Velipoja, Shëngjini, Durrësi në Detin Adriatik, si dhe Vlora, Dhërmiu, Himara, Saranda dhe Ksamili në Detin Jon. Produkti “plazh dhe diell” në disa rajone të Shqipërisë, ofron avantazhe në mjedisin natyror, njësitë e zhvilluara të akomodimit, shërbimet e kuzhinës dhe shërbime të sportit detar.

Bregdeti shqptar (Foto Revista Monitor)

Bregdeti shqptar (Foto Revista Monitor)

Së dyti, Shqipëria ofron një turizëm intensiv kulturor, me burime të shumta nga trashëgimia arkeologjike dhe historike e vendit, me potencial të konsiderueshëm. Destinacionet kulturore janë identifikuar si atraksionet kryesore të Shqipërisë nga vëzhgimet e ndryshme të vizitorëve te huaj dhe harta e udhëtimeve nga tregjet e huaja. Shqipëria ofron tre vende të Trashëgimisë Botërore: Parku Arkeologjik i Butrintit, zonat UNESCO Berat dhe Gjirokastër, pasuar nga një numer i konsiderueshëm atraksionesh dhe monumentesh historike dhe kulturore.

Së treti, përmes nismave të saj për 100 Fshatrat Turistikë dhe mbështetjes ndaj bujtinave, qeveria po ndihmon sektorët e turizmit natyror, atij rural dhe ekoturizmin.

Vendi ofron një klimë  mesdhetare, një gjeografi dhe shumëllojshmëri fizike të territorit, të përfaqësuar nga një sërë malesh, liqenesh, lumenjsh dhe lagunash shumë të bukura. I gjithë ky atraksion fizik shoqërohet me biodiversitet të pasur të florës dhe faunës.

Pamje nga Saranda (Foto Shqiptarja, com)

Pamje nga Saranda (Foto Shqiptarja, com)

Këto asete janë të pranishme në një numër parqesh kombëtare dhe rezervash natyrore brenda vendit. Zonat natyrore dhe rurale në Shqipëri ofrojnë mundësi të pamata për zhvillimin e turizmit rural, ekoturizmit dhe aktiviteteve të bazuara në natyrë (rafting lumor, paragliding, mountain biking, fishing, trekking, ngjitje në mal, hiking, shëtitje me kuaj, udhëtime studimore, turizmin e aventurës, etj.).

Sot dhe në vijimësi, turizmi po konsiderohet nga qeveria si një nga motorrët kryesorë të rritjes kombëtare. Qeveria shqiptare ka përqëndruar disa nga investimet kapitale të buxhetit të shtetit në Jug të vendit, në ndihmë të zhvillimit të qendrueshëm të turizmit, si ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, me një kosto rreth 200 milionë euro, i hapur për automjetet më 5 korrik të këtij viti.

Qeveria shqiptare ka nxitur edhe investimet private për të ndihmuar turizmin, sikurse është organizimi i tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, që parashikohet të fillojë operimet në mars ose prill të vitit 2025, organizimi i tenderit për segmentin rrugor Thumanë-Kashar, autostradën e kategorisë “A” të Bashkimit Evropian, hapur për automjetet më 30 qershor 2024, etj.

Po ashtu, qeveria po përgatitet të hapë tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Gjirokastrës brenda këtij viti.

Turistë në Krujë (Foto Gazeta Shqip)

Turistë në Krujë (Foto Gazeta Shqip)

Turizmi shqiptar po merr njohje dhe vlerësime nga shumë organizma botërore të fushës. Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit është autoriteti global për kontributin ekonomik dhe social të Udhëtimit dhe Turizmit. Anëtarët e Këshillit janë mbi 200 kryetarë, presidentë dhe CEO të bizneseve kryesore private të udhëtimit dhe turizmit në botë. Çdo vit, Këshilli përgatit dhe publikon një studim të thelluar me titull “Ndikimi Ekonomik i Udhëtimit dhe Turizmit”.

Studimi “Ndikimi Ekonomik i Udhëtimit dhe Turizmit 2024” ka nxjerrë në pah një vit historik për sektorin e Udhëtimit dhe Turizmit në Shqipëri, i cili në vitin 2023 kontribuoi më shumë në ekonominë kombëtare dhe mbështeti më shumë vende pune se çdo vit më parë në historinë ë Shqipërisë.

Ai zbulon rëndësinë e udhëtimit dhe turizmit në Shqipëri, në detaje të hollësishme, në shumë tregues. Treguesit e studimit përfshijnë kontributet absolute dhe relative të Udhëtimit dhe Turizmit në prodhimin tonë kombëtar dhe punësim, shpenzimet ndërkombëtare dhe vendase në Shqipëri, të dhëna për investimet kapitale, shpenzimet qeveritare dhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit, etj..

Bazuar në treguesit e studimit, mund të thuhet me plot gojën se turizmi po fuqizon në mënyrë të dukshme ekonominë e vendit, duke kontribuar në shtimin e të ardhurave, rritjen e eksportit të shërbimeve, uljen e inflacionit dhe të borxhit publik.

Studimi i Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit permban tabela që rendisin Shqipërinë kundrejt destinacioneve të tjera konkurruese në rajon dhe përtej, krahasuar me mesataren botërore dhe rajonale, me grafikë që krahasojnë të dhënat për çdo vit nga viti 2014 deri në vitin 2024.

Turistë në Tiranë (Foto Konica.al)

Turistë në Tiranë (Foto Konica.al)

Sipas studimit “Ndikimi Ekonomik i Udhëtimit dhe Turizmit 2024”, kontributi i turizmit në ekonominë tonë ishte 5.6 miliardë euro për vitin 2023, ose 37 përqind më shumë se viti ynë më i mirë turistik i mëparshëm, viti 2019.

Një në çdo katër lek që vendi prodhoi më shumë vjet, vinin nga industria numer nje e Shqiperise, nga turizmi.

Sipas studimit, turizmi punësoi në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në Shqipëri mbi 269 mijë vetë, ose afërsisht një të katërtën e fuqisë punëtore të vendit. Turizmi gjeneroi në vitin 2023 rreth 10 mijë vende të reja pune, ose më shumë se ndërtimi dhe bujqësia të marra së bashku.  

Studimi i Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit vlerëson kontributin e qeverisë shqiptare në zhvillimin e turizmit në vend, duke pohuar se investimet e drejtpërdrejta nga Buxheti i Shtetit dhe ato private me impakt të drejtpërdrejtë në industrinë turistikë janë dyfishuar në vitin 2023, në krahasim me vitin 2014, viti bazë të cilin studimi merr për krahasim.

Në tërësi, qeveria shqiptare ka mbështetur zhvillimin e turizmit, përmes politikave dhe masave të saj për ruajtjen dhe zhvillimin e aseteve natyrore dhe trashëgimisë kulturore të vendit, duke theksuar mikpritjen tradicionale, ushqimet tradicionale, plazhet e bukura dhe ekosistemet e pasura të Shqipërisë.

Turistë të huaj në Gjrokastër (Foto Kapitali.al)

Turistë të huaj në Gjrokastër (Foto Kapitali.al)

Megjithatë, rajonet e ndryshme në vend, sidomos bashkitë turistike, duhet të punojnë më shumë me karakteristikat unike të tyre, që të bëhen një destinacion i përgatitur dhe artikuluar në mënyrë inteligjente, duke përdorur sa më shumë teknologjinë e informacionit.

Kjo është rruga e vetme dhe e suksesshme, për të nxitur produktivitetin dhe efektivitetin e bazuar në inovacion në industrinë tonë turistike, duke ruajtur dhe zhvilluar mjedisin.

Fatos Çoçoli