Fluksi i lartë i turizmit dhe rritja e kredisë në lekë zhvlerëson euron
2024-08-06 11:48:45

Fluksi i lartë i turizmit, euro (Foto ATSH)

Fluksi i lartë i turizmit dhe rritja e kredisë në lekë, ka sjellë mbivlerësimin e monedhës shqiptare, shkruan ATSH.

Që prej prillit, niveli i euros në kursin e këmbimit po lëviz pranë niveleve minimale historike duke u këmbyer me përafërsisht 1 euro - 100 lekë.

Sipas ekspertëve të tregut valutur, kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektin e faktorit sezonal, me një prurje e madhe e valutës së huaj.

Të dhënat tregojnë se kulmi i efektit i sezonit veror mbi kursin e këmbimit arrihet mes fundit të muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht.

Ardhja e më shumë turistëve në vend nënkupton më shumë valutë në tregun vendas dhe së fundmi kësaj tendencë i është shtuar edhe fakti që euro është dobësuar në tregun ndërkombëtar

Në këto kushte Banka e Shqipërisë po blen direkt monedhën europiane në treg për të mos lejuar rënien e saj poshtë kufirit të 100 lekëve.

Vetëm në periudhën janar-mars, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 32.60 milionë euro duke pasur si synim rritjen e rezervës valutore, por njëkohësisht edhe si një masë për të mos lejuar dobësim të mëtejshëm të monedhës europiane.

Në këto tre muaj, Banka Qendrore ka zhvilluar tre ankande, ndërsa në muajt e verës parashikohet që ndërhyrja të rritet.

Gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka parashikuar që të tërheqë nga tregu rreth 330 milionë euro.