Etno Fest Saranda (Foto ATSH)
Në kulmin e sezonit turistik Etno Fest ka mbërritur në Sarandë, shkruan ATSH.
Eventi bën bashkë në qytetin e bukur të Sarandës, të gjitha trevat shqiptare, në një panair kulturor që shpalos vlerat kombëtare.
Nga data 2 deri më 12 gusht në stendat e panairit të vendosura në shëtitoren e Sarandës dhe Ksamil, po ekspozohen punime të mjeshtërisë artizanale, vepra të artistëve vendas, të shoqëruara me këngë dhe valle tradicionale.
Ky aktivitet është një etnomozaik dhe bën së bashku artizanë, zejtarë, piktorë, skulptorë për të promovuar trashgiminë kulturore duke qenë dhe një produkt turistik i shtuar për qytetin e bukur të Sarandës.
Ngjarja ku spikat autenticiteti tradicional shqiptar po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, duke e bërë një vlerë të shtuar për turizmin në Shqipëri.
Mbrëmjeve në Sarandë dhe Ksamil, shëtitoret janë të mbushura me pushues nga vende të të ndryshme të botës, vëmendjen e të cilëve këtë fillimgushti e ka tërhequr dhe tradita shqiptare.