Elsa Alijaj, Miss Grand Albania që ruan traditat shqiptare ne Itali
2024-08-05 10:18:38

Elsa Alijaj (Instagram)

Miss Grand Albania 2024 Elsa Alijaj duke pozuar ne Tirane (Instagram)

Miss Grand Albania 2024 Elsa Aliaj do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin e bukurisë “Miss Grand International”. Bukuroshja me origjinë nga Laçi ka lindur dhe jeton në Itali.  Prindërit e saj emigruan në Itali në vitet 2000 dhe si shumë emigrantë kjo familje ka kaluar sakrifica për të ndërtuar një jetë më të mirë. Elsa ndan rrugëtimin, aspiratat dhe historitë e saj personale, duke ofruar një vështrim më të thellë në jetën dhe vlerat e saj. Pavarësisht se ka lindur dhe është rritur në Itali, Elsa ka mbetur gjithmonë thellësisht e lidhur me rrënjët e saj shqiptare dhe historia e saj është një dëshmi e lidhjes së qëndrueshme me trashëgiminë e saj. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani Elsa  tregon për jetën e saj në Itali, ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare si dhe eksperiencën në spektaklet e bukurisë.

CMG: Ke lindur dhe jeton në Itali, duke folur një shqipe të pastër. Si e ke mësuar gjuhën shqipe kaq mirë?

Elsa Alijaj: Shumë faleminderit për komplimentin. Në fakt kam qenë shumë e lidhur me origjinën dhe kur kishim pushimet apo kohë të lirë, gjithmonë vinim me familjen në Shqipëri dhe qëndronim me familjarët që jetojnë këtu. Normal që duke komunikuar me ta, me kohën kam mësuar që shqipja të jetë më e rrjedhshme. Në fillim ishte pak me vështirësi, por edhe me të shkruar dhe lexuar, familjen gjithmonë e kam patur në zemër që të ma përcjellin këtë gjë, që edhe unë ta përcjell tek fëmijët e mi.

CMG: Kur kanë ikur prindërit tuaj në Itali?

Elsa Alijaj: Prindërit e mi kanë më shumë se 20 vite në Itali. Mami ka qenë në moshën 19-20 vjeçare kur ka emigruar me babin. Ka qenë një sfidë e madhe për ta, pasi nuk e dinin se ku po shkonin. Kanë patur një dëshirë të madhe për të ndërtuar një familje, dhe për t’i patur bazat e sigurta. Jam shumë krenare për zgjedhjen që kanë bërë dhe u jam falenderuese atyre për atë që jam unë sot.

CMG: Kur ke ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe si të është dukur në atë kohë?

Elsa Alijaj: Kam qenë shumë e vogël kur kam ardhur në Shqipëri, besoj një vjeçe ose më e vogël, por mbaj mend ndjesinë që kisha kur isha e vogël. Në fillim vija me traget dhe kur shkelja tokën shqiptare, kisha një ndjesi të veçantë. Nuk e di nëse e ndjejnë të gjithë këtë ndjesi për vendin tim dhe tokën time. Unë e kam përjetuar shumë origjinën time dhe kur kthehesha  në Itali e vuaja shumë. Zemra ime është e ndarë në dy pjesë, Italia dhe Shqipëria. Nuk mund të ndjej më shumë për Italinë dhe as më shumë për Shqipërinë. Të dy shtetet kanë vendin e tyre.

CMG: Sa i ruan traditat shqiptare dhe kulturën tonë në një vend të huaj?

Elsa Alijaj: Unë i ruaj shumë traditat shqiptare, gjithmonë dëgjoj muzikë tradicionale sepse e kemi si terapi më vete, si atë të Kurbinin ashtu dhe të Tropojës. Gjithmonë i kërkoja mamit të dëgjonim këngë popullore tradicionale dhe të merrnim valle të gjithë bashkë në shtëpi pasi kishim ngrënë darkën. Pra e kemi si një terapi, një moment ku ne mblidhemi me dashuri. Është një ndjesi shumë e bukur, sepse muzika dhe kultura të lidh realisht njëri me tjetrin.

CMG: Ke ndonjë këngëtar të preferuar të muzikës popullore tradicionale?

Elsa Alijaj: Në fakt më pëlqejnë të gjithë, por këngëtaren Fatmira Breçani e kam shumë për zemër sepse është shumë alegre, dhe mua më jep një ndjesi të veçantë. Gjithashtu kam dhe hallën time Dhurata Alijaj, një këngëtare e njohur e Kurbinit, se dhe ajo jep ngrohtësinë e Kurbinit. Pra i kam të ndara, në Kurbin Dhurata Alijaj dhe në Tropojë Fatmira Breçanin.

CMG: Kostumin popullor tradicional të Tropojës e ke veshur ndonjëherë?

Elsa Alijaj: Kostumin popullor e kam veshur shumë here dhe para një muaji kam bërë një festival, ku kemi përfaqësuar gjithë vendet e Shqipërisë më veshje tradicionale, me kërcimet dhe historinë. Unë kisha veshur kostumin tradicional të Tropojës, me lulet dhe ngjyrat e tij. Është shumë i bukur, dhe unë e pëlqej shumë.

Elsa Alijaj ne Tirana (Instagram)

Elsa Alijaj ne Tropoje (Instagram)

CMG: Je përfaqëësuese e Miss Grand Albania 2024 në Miss Grand International. Një vajzë e bukur, por dhe e zgjuar. Si i ke bërë bashkë bukurinë dhe mençurinë?

Elsa Alijaj: Besoj se gjithmonë bukuria dhe mençuria shkojnë në të njëjtin ritëm. Kjo gjë ka të bëjë me familjen time, që gjithmonë më kanë shtyrë të jem më e mira e vetes time dhe unë kam pranuar t’i kaloj sfidat që kanë ardhë në jetë, të përmirësoj veten duke mos u ndalur kurrë. Nuk i kam marrë gjërat më frikë, por t’i fitoj ato. Është familja, por dhe karakteri personal i njeriut që të çon për të përcjellë diçka jo vetëm me pamjen e jashtme, por edhe nga brenda.

CMG: Prej disa vitesh ke jetuar në Dubai. Si ka qenë për ju kjo eksperiencë jete atje?

Elsa Alijaj: Unë e kam patur si objektiv që kur të mbushja 20 vjeç të largohem nga shtëpia dhe të jem më e pavaruar, t’i bëj gjërat më mirë vetë. Kështu që vendosa të shkoja në Dubai. Jam gjithmonë shumë e hapur ndaj eksperiencave të reja. Kur shkova në Dubai, ishte realisht një eksperiencë shumë e fortë, sepse kulturat ishin shumë ndryshe. Kam jetuar në Dubai dy vite, ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, por nuk ishte vendi im, dhe pse mundova të marr më të mirën atje, por ishte shumë robotike. Atje nuk ke kohë për veten, është një vend me një ritëm shumë të shpejtë. Unë jam natyrë më paqësore dhe e qetë, dhe ndoshta më pëlqen më shumë jetesa në fshat sesa në atë ritëm të shpejtë.

CMG: Çfarë është bota spirituale për ty?

Elsa Alijaj: Spirutualiteti për mua ka qenë një filozofi jete, që e kam ruajtur ndaj kohës sepse më ka ndihmuar shumë ndaj eksperiencave, marrëdhënieve njerëzore dhe marrëdhënieve me veten time. Kështu që është një disiplinë që e kam kuptuar se dua ta ndaj dhe me të tjerë, sepse duke jetuar në këtë qetësi, ndoshta njerëzit nuk të kuptojnë. Në momentin kur ti hapesh dhe i mbledh të gjithë bashkë, ndoshta dhe ato ndjejnë këtë qetësi dhe krijojnë një kolektivitet shumë më të bukur. Unë shpresoj që t’ja arrij dhe në Shqipëri, që të përcjell këtë filozofi.

CMG: Së shpejti do përfaqësosh Shqipërinë në Miss Grand International. Si e prisni këtë event bukurie?

Elsa Alijaj: Jam shumë e lumtur, ku po marr gjithë këto energji me këtë punë që po bëj këtu në Shqipëri, po i mbledh të gjitha në zemrën time që të më japin forcë për t’ja dalë në skenë. Jam njeri që transmetoj shumë, dhe shpresoj t’ja arrij të transemtoj gjithë krenarinë që kam, dhe krejt traditat tona më të mira. Realisht mezi po e pres këtë event bukurie.

CMG: Do dëshiroje të shkoje në Kinë për të marrë pjesë në ndonjë event bukurie apo modelingu?

Elsa Alijaj: Kina më ka interesuar gjithmonë si vend, sepse më duken sikur kanë një vision shumë të ngjashëm me mua. Kam patur gjithmonë ëndërr të shkoj atje, dhe jam shumë e hapur ndaj universit, që të vijë në çdo bekim për këtë gjë. Do jem shumë mirënjohëse për çdo mundësi që do kem, por të shohim se çfarë ndodh në jetë.

CMG: Çfarë projektesh të tjera ke në të ardhmen?

Elsa Alijaj: Unë po merrem me projekte në Shqipëri, ku kam pasur dhe një event spiritual para disa ditësh me një komunitet. Dallova që kjo është gjëja që unë dua realisht të bëj. E kam marrë përsipër ta kryej këtë projekt, por nuk po tregoj më shumë sepse akoma jam duke e mbrojtur këtë gjë. Objektivi im individual është sesi unë mund të jem e vlefshme, ose sesi mund ti ndihmoj njerëzit konkretisht.

CMG: Së fundi një mesazh përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Elsa Alijaj: Besoj se i vetmi çelës në këtë eksperiencë të jetës, është që të jetojmë lirshëm dhe të japim dashuri. Jam shumë mirënjohëse të gjithë atyre që po më mbështesin këto ditë, ku besoj e shpresoj që të kthehet në bekime në jetën e tyre.

Intervistoi: Gazmend Agaj