Media italiane: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024
2024-08-05 10:12:12

Pamje mahnitese nga shqiptare - foto ilustruese ATSH

Thehi- foto ATSH

Cilat janë vendet e rekomanduara në Shqipëri për pushimet verore 2024? Kështu e nis artikullin e vet e përditshmja italiane, e cila e përcakton Shqipërinë “një vend pak i njohur, djep i bukurisë”. Gazeta merr përsipër të tregojë disa nga vendet më të bukura dhe që paraqesin interes për turistët e huaj, duke nisur me kryeqytetin tonë, Tirana.

Tirana: zemra e gjallë e Shqipërisë

“Niseni udhëtimin tuaj nga kryeqyteti, Tirana!”, shkruan gazeta. “Qyteti, i karakterizuar nga një atmosferë e gjallë dhe kozmopolite, është një ndërthurje magjepsëse e modernitetit dhe traditës. Duke ecur nëpër rrugët e saj, mund të zbuloni ndërtesa shumëngjyrëshe, kafene në modë dhe monumente historike.

Sheshi Skënderbej është qendra e qytetit, i rrethuar nga ndërtesa të rëndësishme si Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia e Et’hem Beut dhe Teatri i Operas dhe Baletit.

Mos e humbisni rastin të ngjiteni në Kullën e Sahatit për një pamje panoramike të qytetit.

Për një eksperiencë më të thellë kulturore, vizitoni Bunk’Art, një muze i vendosur në një bunker rrëshqitës, i cili ofron një pasqyrë të historisë shqiptare të para viteve ’90”.

Plazhet shqiptare - foto ilustruese ATSH

Plazh ne Himare - foto ATSH

Plazhet e jugut: Riviera Shqiptare

“Pasi të eksploroni Tiranën, rekomandon artikullin, shkoni në jug për të zbuluar Rivierën mahnitëse Shqiptare. Ky rajon, shpesh i krahasuar me Côte d’Azur – riviera franceze, krenohet me disa nga plazhet më të bukura në Mesdhe, me ujëra të kristalta dhe peizazhe mahnitëse.

Saranda është porta hyrëse e Rivierës. Ky qytet i gjallë bregdetar ofron një ndërthurje plazhesh me rërë të bardhë dhe guralecë, ujëra bruz dhe një jetë nate të gjallë.

Nga këtu, është e lehtë të arrish në sitin arkeologjik të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili strehon rrënojat që datojnë që nga koha greke, romake dhe bizantine.

Duke vazhduar përgjatë bregdetit, do të mbërrini në Ksamil, një fshat i vogël – i famshëm për ishujt dhe plazhet magjepsëse. Ishujt e Ksamilit, të arritshëm me varkë, ofrojnë një vendstrehim perfekt për turistët që kërkojnë qetësi dhe bukuri natyrore.

Duke vazhduar udhëtimin, ndaloni në Himarë, një qytet piktoresk që ruan ende hijeshinë e një vendi të lashtë peshkimi.

Plazhet e Livadhit dhe Gjipesë janë të paharrueshme: i pari ndodhet në një vijë bregdetare të gjerë me rërë, ndërsa i dyti është një liman i fshehur, i aksesueshëm nëpërmjet një shtegu ecjeje ose me varkë”.

Mrekullitë natyrore

Në artikullin e vet, gazeta italiane nënvizon faktin se Shqipëria nuk ofron vetëm plazhe; vendi ofron edhe peizazhe spektakolare malore si dhe fshatra historikë magjepsës.

“Një nga vendet që nuk duhet humbur është Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit, një zonë e mbrojtur që ofron mundësi për shëtitje, ngjitje dhe zbulimin e manastireve të lashta.

Një tjetër destinacion i padiskutueshëm është Parku Kombëtar i Thethit, i vendosur në Alpet Shqiptare. Ky park është një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe sporteve në natyrë. Këtu mund të ecni përgjatë shtigjeve të shënuara, të vizitoni Ujëvarën e Grunasit dhe të admironi kullat tradicionale të vrojtimit.

Jo shumë larg Thethit, shtrihet fshati Valbonë, një tjetër xhevahir i fshehur në male. Valbona është baza ideale për të eksploruar Parkun Kombëtar të Valbonës, me peizazhet e saj mahnitëse dhe shtëpitë tradicionale prej guri”.

Berati- foto ATSH

Qyteti i Beratit: “qyteti i një mbi një dritareve”

Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është një vend i UNESCO-s që ofron një përvojë magjepsëse në historinë dhe arkitekturën shqiptare. Ky qytet gjen pasqyrohet edhe në listën e gazetës.

Aty përshkruhen shtëpitë osmane të ruajtura mirë dhe kështjella mesjetare me pamje nga qyteti, të cilat janë dëshmi e një të kaluare të pasur dhe të larmishme.

“Ecja nëpër rrugët e ngushta të shtruara me gurë do t’ju kthejë pas në kohë”, shkruan artikulli. “Vizitoni Kalanë e Beratit, e cila ende strehon shtëpi dhe kisha të lashta, si dhe Muzeun Onufri, kushtuar piktorit të famshëm shqiptar të ikonave”. Pamja panoramike nga maja e Kalasë mbetet e paharrueshme.

Gjirokastra: “qyteti i gurtë”

“Një tjetër qytet i trashëgimisë së UNESCO-s që ia vlen të vizitohet i njohur si “qyteti i gurtë”, është Gjirokastra”, vijon përshkrimin e qyteteve shqiptare gazeta italiane.

“Me shtëpi historike prej guri dhe një Kala mbresëlënëse, Gjirokastra ofron një përvojë unike dhe autentike. Kalaja e Gjirokastrës, e cila dominon qytetin, strehon një muze ushtarak dhe ofron pamje spektakolare të luginës përreth.

Shtëpia-muze e Ismail Kadaresë, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, është një tjetër pikë interesi që nuk duhet humbur”.

Kuzhina dhe mikpritja shqiptare

Kuzhina shqiptare është një tjetër aspekt që I kushtohet vëmëndje në artikull. “Kuzhina shqiptare do ta bëjë udhëtimin tuaj të paharrueshëm. E ndikuar nga traditat mesdhetare dhe ballkanike, vendi ofron pjata të pasura me shije dhe përbërës të freskët.

Shqiptarët shquhen për mikpritjen e tyre. Kudo që të shkoni, do të përshëndeteni me ngrohtësi dhe mirësi. Mos u habitni nëse ju ofrohet një gotë raki, një pije e fortë vendase, si shenjë Mirëseardhjeje!”, përfundon artikulli I gazetës italiane Tag.24.

Përgatiti: N. Kraja