Kryeministri Edi Rama në takimin për arsimin profesional (Foto Tirana Diplomat)
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e një epoke të re në arsimin profesional me krijimin e Arsimit Profesional Dual, i cili krijon mundësi që nxënësit të mësojnë pranë sipërmarrjeve. Në një takim me përfaqësues të sipërmarrjeve, partnerët ndërkombëtarë, drejtuesit e shkollave profesionale dhe ekspertët e reformës së re të arsimit profesional, Rama nënvizoi domosdoshmërinë për të ruajtur kapitalin njerëzor ekzistues dhe për ta rritur fuqinë e këtij kapitali në ekonominë tonë.
“Këtu nuk bëhet fjalë për t’i sjellë sipërmarrjeve disa vajza dhe djem në moshë shumë të re që të përdoren si shërbëtorë në mjediset e punës. Këtu, bëhet fjalë për të sjellë pranë sipërmarrjeve nxënës, të cilët gjatë kohës që qëndrojnë në mjediset e sipërmarrjes duhet të bëjnë shkollën dhe duhet të trajtohen me maksimumin e kujdesit, duke ndaluar rreptësisht abuzimin me ta dhe abuzim në këtë rast do të thotë t’i marrësh nga procesi mësimor dhe t’i fusësh në punë, ndërkohë që ata po përgatiten që të hyjnë ne punë, por nuk janë aty për të bërë punë që vijnë nga nevoja e sipërmarrjes përkatëse dhe nga mungesa e burimeve njerëzore që mund të ketë sipërmarrja. E thënë ndryshe, nëse dikush vjen në një hotel për të marrë arsimimin e nevojshëm profesional për recepsionin, kjo nuk do të thotë që ai vjen për t’u vënë atje në recepsion meqë ne recepsion mungon dikush, apo meqë në recepsion duhet dikush. Ky është një investim, i cili sigurisht kthehet si çdo investim, por nuk funksionon si një investim që kthehet në të njëjtën kohë që zhvillohet investimi. Kjo duhet të jetë shume e qartë dhe kulturalisht, ne kemi ende një problem të madh në botën e sipërmarrjes, po jo vetëm në botën e sipërmarrjes sonë. Unë besoj që ne ketë e kemi problem kulturor edhe në sektorin publik.”
Shkolla profesionale (Foto Scan Tv)
Rama solli shembullin e sipërmarrjeve të mëdha ndërkombëtare, ndërsa theksoi se “pozicioni i tyre në treg është në proporcion 100% të drejtë me investimin e brendshëm të tyre për burimet njerëzore”.
“Nëse shohim sipërmarrjet mëdha globale, ndërkombëtare dhe nëse futemi pak tek investimet që ata bëjnë në burimet njerëzore, do të shohim diçka mbresëlënëse; sa më shumë te investojnë tek burimet e tyre njerëzore, aq më shumë rritet suksesi, norma e suksesit të tyre në aspektin e pozicionit në treg. Ka plot shembuj dhe grafikë që e ilustrojnë. Nëse marrim për shembull, kompanitë më të mëdha globale në botën e teknologjisë, do të shikojmë që pozicioni i tyre në treg është në proporcion 100% të drejtë me investimin e brendshëm të tyre për burimet e tyre njerëzore. Kush e ka ndërtuar këtë hotel, nuk e ka pasur absolutisht problem që të bëjë më të mirën për të marrë gjithë këto mallra nga importi, duke paguar për të krijuar këtë sallë, por pa diskutim nuk ka menduar që në të njëjtën kohë të investojë tek njerëzit që do të mirëmbajnë këtë sallë. Në planet e investimit të kompanive tona, ky komponent është në rastin më të mirë, minimal dhe në rastin më të përgjithshëm, zero. “
Arsimi profesional (Foto Albanian Construction Portal)
Plani për fuqinë punëtore duhet të jetë parësor, sipas kreut të qeverisë.
“Ashtu siç bëhet gjithë volumi i investimit për gjithçka ka hoteli, nga muret, tek dyshemetë, tek krevatet, tek dyshekët, jastëkët e të tjerë, duhet bërë dhe plani paralelisht që të fillojë ndërkohë që po e ndërton hotelin, të investosh që në momentin kur hoteli ka mbaruar, bashkë me jastëkët dhe me çarçafët të jenë dhe njerëzit që ato materiale të shtrenjta që janë futur aty të dinë t’i menaxhojnë, t’i mirëmbajnë dhe sigurisht të dinë t‘i harmonizojnë me kulturën e shërbimit.”
Në shtator pritet të nisë pilotimi i sistemit DUAL në kuadër të reformës së arsimit profesional, i cili do të bëjë të mundur që të rinjtë e përfshirë në një program profesional, të kryejnë 3 ditë në javë praktikën pranë një biznesi dhe vetëm dy ditë mësim teorik pranë shkollës profesionale. 1% e shpenzimeve të bizneseve të mëdha do shkojë për arsimin profesional dual.
“Ne jemi përgatitur të hyjmë në këtë fazë me një vit pilotimi. Ne nuk mund të presim që ndryshimi kulturor të ndodhë kur të ndodhë. Prandaj që sot, punëdhënësit e mëdhenj, të gjitha bizneset e mëdha të Republikës së Shqipërisë duhet ta dinë që 1% e shpenzimeve të tyre totale do të shkojë për këtë punë dhe ose do të shkojë për këtë punë ose do t’u merret për këtë punë. Do të krijojmë Fondin Kombëtar të Aftësimit, i cili do të mbështesë gjithë këtë proces, duke mos e lënë thjesht në vullnetin e sipërmarrjeve, mbi një bazë sistemi kuotash dhe kontributesh që do të shkojnë për të financuar pikërisht zhvillimin e kapitalit njerëzor si dhe gjithë këtë skemë të arsimit profesional dual. Tani, ende jemi duke diskutuar opsionet dhe natyrisht këtu është shumë e rëndësishme që të vazhdojë diskutimi që është hapur me kompanitë, por opsioni më i mundur është që ky 1% do të duhet të investohet për trajnimin në vazhdim të personelit dhe për pjesëmarrjen në këtë skemë të arsimimit dual. “
Arsimi profesional në Shqipëri (Foto ATSH)
Shpenzimet e bëra në kuadër të pagesës së nxënësve që do të marrin pjesë në arsimin dual do të konsiderohen shpenzime të zbritshme nga taksat.
“Ndërkohë që, kush nuk do të futet në këtë proces do të duhet ta derdhë këtë si kontribut plus taksës, pra 15% taksë, po. Mbi këtë 15% do të jetë një kontribut ekstra që, sipas madhësisë së kompanive, sipas madhësisë së xhiros etj, që do të shkojë nga 0,5 deri 1% të shpenzimeve totale vjetore dhe që do të derdhet në Fondin Kombëtar të Aftësive. Sigurisht që fondi do të jetë një fond publik, por do të menaxhohet bashkë me përfaqësuesit e sipërmarrjes dhe do të shpenzohet vetëm për këtë punë, nuk do të jenë të ardhura siç janë të ardhurat që vijnë nga taksat dhe që shpërndahen për nevojat e investimeve dhe shpenzimeve të shtetit, por do të jenë të ardhura që do të jenë në këtë fond dhe që do të shpenzohen vetëm për këtë punë. Patjetër që fondi do të shërbejë edhe për të nxitur kompanitë e mesme dhe të vogla që të përfshihen edhe ato në skemat e arsimit profesional dual, gjë që sot nuk ua kërkojmë. Ka dhe një komponent tjetër që është dhe investimi që duhet bërë për këtë gjë.”
Kjo gjë tha Rama nuk mund t’u kërkohet hoteleve ekzistuese sepse ato i kanë të gjitha mjediset e përcaktuara, por sigurisht që hotelet ekzistuese do duhet të përfshihen në këtë skemë dhe në të gjitha proceset e reja që do të lidhen dhe me lejet e ndërtimit për të gjitha llojet e sipërmarrjeve, ne do të fusim komponentin e hapësirës për arsimin dual dhe për zhvillimin profesional.
‘Është shumë e rëndësishme që sipërmarrja të jetë e qartë që këtu nuk bëhet fjalë për ta futur sipërmarrjen në një rresht ushtarak të detyruar. Këtu bëhet fjalë për t’i hapur sipërmarrjes një perspektivë në aspektin e kryesores, sepse sot sipërmarrja jonë në tërësi nuk e ka mungesën e perspektivës te asnjë element tjetër, sot Shqipëria nuk është më ajo që ishte. Mungesa e perspektivës deri dje për të investuar lart dhe për të pretenduar për të pasur klientë të çfarëdo lloj fushe të interesuar që të justifikojnë investimin, sot nuk ekziston. ‘
Projekti pilot i sistemit dual në kuadër të reformës së arsimit profesional, nis në shtator. Angazhimi i tyre 18 orë në javë pranë një biznesi do të paguhet me një shumë monetare sa paga minimale.