Ministria e Mbrojtjes e BM: Rusia po përjeton numër të madh viktimash në luftën kundër Ukrainës!
2024-08-05 11:10:12

Ministria britanike e Mbrojtjes (Foto ATSH)

Sipas analistëve në Ministrinë e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Rusia po përballet me një shkallë të lartë viktimash në luftën e saj kundër Ukrainës, në mes të ofensivave të vazhdueshme përgjatë një fronti të gjerë midis Kharkivit dhe Robotynes, njofton RTSH.

”Më shumë se 1 000 ushtarë rusë ka të ngjarë që vazhdojnë të vriten ose plagosen mesatarisht çdo ditë në gusht”, tha ministria në vlerësimin e saj të fundit të publikuar të shtunën.

Në rajonin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, rusët thuhet se kanë konsoliduar pozicionet e tyre dhe humbjet ruse janë ulur pak.

”Ndërsa një mesatare prej 1 262 ushtarësh rusë u vranë ose u plagosën çdo ditë në maj, një rekord, shifra ra në 1 140 në qershor”, postoi ministria në X.

”Megjithatë, tre muajt e fundit kanë qenë më të kushtueshëm për sa i përket humbjeve që nga fillimi i luftës”, bëhet e ditur në postim, duke cituar informacione nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, në shifra që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

“Një mbrojtje efektive ukrainase dhe mungesa e trajnimit rus zvogëlon aftësinë e Rusisë për të shfrytëzuar çdo sukses taktik në përfitime më të gjera operacionale”, shtoi ministria.