Avione amerikane (Foto Panorama)
Shtetet e Bashkuara do të zhvendosin avionë luftarakë dhe luftanije shtesë në Lindjen e Mesme, njoftoi Pentagoni, citon “Panorama”.
SHBA-ja synon ta përforcojë mbrojtjen pas kërcënimeve nga Irani dhe aleatët e tij, Hezbollahu dhe Hamasi.
Irani është zotuar se do të përgjigjet për vrasjen e Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit, më 31 korrik në Teheran.
Tensionet në rajon janë shumë të larta pas vrasjes së Haniyehut dhe një komandanti të lartë të grupit libanez, Hezbollah.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dha pëlqimin për dërgimin e luftanijeve shtesë të Marinës amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Europë, të cilat janë në gjendje të rrëzojnë raketa balistike.
SHBA-ja do të dërgojë edhe skuadrone shtesë të avionëve luftarakë në Lindjen e Mesme.
Pentagoni shtoi se do të rrisë gatishmërinë për të zhvendosur edhe më shumë kundërajrorë tokësorë për t’u mbrojtur ndaj raketave balistike. (Irma)