Porti Durrës-Porto Romano shënoi rritje me 15% të përpunimit të mallrave në janar-qershor
2024-08-04 17:23:28

Porti i Durresit (Foto Atsh)

Porti i Durresit (Foto Atsh)

Autoriteti Portual Durrës, në një postim në rrjetet sociale ka ndarë shifrat e mallrave të përpunuara në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024.

Sipas APD-së, mbi 3,6 milionë tonë mallra janë përpunuar përgjatë 6 muajve të parë të vitit në kalatat e kompleksit portual Durrës-Porto Romano, duke shënuar kështu një rritje prej 15% krahasuar me volumet e përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, shkruan “ATSH”.

Të dhënat tregojnë se mbizotërojnë mallrat gjenerale të cilat reflektojnë një rritje në masën 22% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Referuar të dhënave analitike të APD-së, mbi 2.9 milionë tonë mallra janë importuar, ndërkohë që rreth 830 mijë tonë janë transportuar për eksport.

Të njëjtat burime saktësojnë se këtë gjashtëmujor, një rritje të konsiderueshme prej 21% kanë njohur edhe volumet e njësive konteinerike, ku në total janë përpunuar 100.290 TEU krahasuar me 82.616 TEU të përpunuara në janar-qershor 2023.

839 mjete lundruese janë akostuar në kalatat e kompleksit portual përgjatë 6 muajve të parë të këtij viti, shifër kjo, e cila shënon 102 mjete më shumë, në raport krahasimor me 6 mujorin e parë të 2023.

Sa i përket sektorit të udhëtarëve, janë 230 mijë pasagjerë të regjistruar në hyrje-dalje të vendit nëpërmjet pikës kufitare të Durrësit, gjatë janar-qershor 2024, ku një rritje në masën 6% reflektohet në shifrat e shtetasve të huaj në vendin tonë.

Trend rritës kanë njohur edhe shifrat e hyrje-daljeve të mjeteve nëpërmjet Terminalit të Pasagjerëve nga ku janë transportuar mbi 99 mijë automjete, kamionë dhe trailerë ose 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë 6 mujore të vitit që lamë pas. (Irma)