< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Neptun Gjata, suksesi në Itali dhe dashuria për skenën shqiptare
2024-08-04 19:53:32

Neptun Gjata në skenë (Foto nga facebook)

Artisti vlonjat  Neptun Gjata, i cili dikur ka kënduar  muzikë popullore  në ansamblin “Labëria”, prej vitesh ai këndon në një tjetër rrymë muzikore, atë liriko-moderne. Ai ka qenë pjesë e shumë konkurseve në Itali, ku ka arritur të triumfojë, si dhe të jetë prezent në spektaklet e këtij vendi me mijëra konkurrentë në shtetin italian. Prej disa vitesh ai është pjesë e studios së artistit të famshëm botëror Andrea Bocelli, ku ka realizuar disa covera muzikore.

I lindur në Vlorë në vitin 1961 Neptuni që në fëmijëri shpesh këndonte me miqtë e tij. Hapat e para drejt muzikës ai i ka hedhur në shtëpinë e pionierit në Vlorë, nën drejtimin e artistit Piro Koka. Neptuni ka marrë pjesë në dy festivale të pionierit dhe në korin e qytetit. Në moshë më të rritur ai ka qenë pjesë e festivaleve të qytetit, në estradën e Vlorës, si dhe në pallatin e kulturës, nën drejtimin e drejtorit artistik dirigjentit Haxhi Dalipi, si dhe drejtuesit artistik të orkestrës simfonike të qytetit të Vlorës Oleg Arapi.

Në disa festivale Neptuni është vlerësuar me çmime  ndryshme dhe në vitin 1989 ka marrë pjesë në  një festival të këngës në Elbasan, ku është vlerësuar me çmimin e tretë. Në 1990 ai mori pjesë në festivalin e këngës në RTSH në Tiranë me këngën “Era e vendlindjes” të  kompozitorit Alfons Balliçi, në quartet me Mustafa Mehja, Irena Ciceri e Gjergji Tase.

Në vitin 1991 ai  emigroi në Itali, ku fillimet nuk kanë qenë të lehta, duke kryer  punë të ndryshme, por asnjëherë nuk e humbi pasionin për këngën, pasi edhe pse me vonesë, ai arriti të angazhohej me aktivitete muzikore në Itali. Ka marrë pjesë në shumë konkurse e festivale, ku ai i fundit ishte “Rumore Bim Festival” dedikuar të madhes Rafaella Cara në vitin 2023, ku u vlerësua me çmimin e tretë në kategorinë Seguir Segnor, në  Rimini. Në vitin 2022 në festivalin kushtuar Rafaella Cara ai është njohur me profesionistin, drejtorin artistik të festivalit, si dhe gjyqtarin e tij në vlerësim j, menaxheri i studios PPG di Bocelli Maurizio Martellini, me të cilin ka realizuar disa bashkëpunime. Që nga viti 2015 Neptuni  merr  mësime private me profesorë profesionistë të operas në Itali. Në intervistë për Radio Ejani ai rrëfehet për projektin e  tij të ri, realizimin e këngës dhe videoklipin "Champagne", por flet dhe për të tjera projekte të tjera në vazhdim.

Këngëtari Neptun Gjata (Foto nga facebook)

CMG: Në fillim të kësaj vere, ti ke sjellë videoklipin e këngës "Champagne". Si lindi idea për të sjellë këtë këngë shoqëruar me videoklip?

Neptun Gjata: Sa i përket këngës “Champagne”, kjo është caktuar nga menaxheri im  Maurizio Martellini, i studios së Andrea Bocellit, i cili ndjek artin tim në Itali dhe ai vendos këngët që unë duhet të këndoj. Pas këngë “Un anno D’amore”, këtë vit ne sollëm në një version më të freskët me orkestracion të ri, këngën “Champagne”. Ndërsa videoklipin e këngës e kemi realizuar nëpërmjet regjisorit e Rait Jimmy Pedini.

CMG: Na trego më tepër rreth realizimit të kësaj kënge. Ka qenë e preferuara jote, apo ta sugjeruan që ta interpretoje këngën "Champagne"?

Neptun Gjata: Kjo ishte idea e Maurizios, për të vazhduar më pas me këngën cover “Io amo solo te”. Kënga i përshtatet vokalit tim liriko-modern, dhe kjo këngë është e përshtatshme për zërin tim ,karakterin tim. Kjo është një mënyrë e mirë edhe për të rikthyer këngët e rifreskuara tek publiku.  

Neptun Gjata në regjistimet në studio (Foto nga facebook)

CMG: Ke kënduar shumë këngë covera të njohura të artistëve të famshëm botërorë.  Flasim rreth tyre

Neptun Gjata:  Unë kam kënduar shumë këngë, covera të artistëve të mëdhenj, dhe më shumë jam i frymëzuar nga këngëtarët Bocelli, Celine Dion, duke qenë një tenor, jam më tepër i fokusuar tek muzika e lehtë dhe ajo lirike, duke i bërë një interpretim të ri këngëve, e jo duke i imituar.

CMG: Cilën këngë ke  më për zemër?

Neptun Gjata: Këngët e mia të preferuara  janë “Champagne”, “Un anno d’amore”, “My heart will go on”, por edhe kënga shqiptare “Vala dhe shkëmbi”, e Kujtim Laros, që e kam kënduar në një event në Shqipëri.

Neptun Gjata në regjistimet në studio (Foto nga facebook)

CMG: Neptun, ti bashkëpunon me studion e tenorit të famshëm Bocelli në Itali. A do e doje një bashkëpunim me të?

Neptun Gjata: Unë nëpërmjet Maurizios jam njohur me studion e Bocellit. Është Maurizio ai që po më ndjek nga ana artistike, duke kuruar programin dhe projektet që unë duhet të ndjek. Përveç dy këngëve që kam bashkëpunuar me të “Un anno d’amore”, “Champagne”, së shpejti do të vijë kënga “Io amo solo te”, dhe pas saj ai do të përgatisë një këngë të re posaçërisht për mua, me të cilën unë do të prezantohem në publikun italian dhe ndërkombëtar. Do të realizojmë edhe tre këngë të tjera cover, ku pas gjithë kësaj pune, do të realizojmë edhe një CD, ku unë do të jem në kopertinë. Është në plan që pas gjithë kësaj, ai do të organizojë që unë do të shkoj i ftuar në disa media lokale dhe shtetërore për të prezantuar këtë projekt në Itali.

CMG: A do të  të shohim në skenat shqiptare?

Neptun Gjata: Unë kam marrë pjesë kohët e fundit tek festivali i kantautorit Gjergj Leka, ku në dy pjesëmarrjet e mia jam paraqitur me këngët “Vala dhe shkëmbi” dhe “Sa larg më ike”, kjo e fundit është një këngë dedikuar nënës time. Kam shumë dëshirë gjithashtu që të marr pjesë në ndonjë festival tjetër në Shqipëri.

Neptun Gjata dhe Oleg Arapi ne TVSh (Foto nga facebook).jpg

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim, a do të qëndrosh në Itali apo do kthehesh në Shqipëri?

Neptun Gjata: Planet janë të shumta, por unë tani po e mendoj karrierën time në Itali, sepse vlerësohet më shumë artisti dhe arti. Ne duhet t’u japin mundësi të gjithë njerëzve që kanë talente, por sidomos talentëve të rinj. Unë jetën artistike e kam krijuar në Itali, por do kisha shumë kënaqësi që të merrja pjesë edhe në ndonjë festival në Shqipëri si konkurrrent apo dhe i ftuar në Festivalin e RTSH-së . Do ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua, për moshën që kam dhe për aq kohë sa unë mund të këndoj ende. Unë kam kënduar dikur në festivalin e RTSH-së këngën “Era e vendlindjes” me Alfon Balliçin, në një kuartet, më pas u largova jashtë e nuk u ktheva më. Do doja të kthehesha edhe një herë të këndoja në vendin tim, të këndoja për publikun tim. Arti në Shqipëri ka nevojë për njerëz që e duan artin, që e duan muzikën dhe që i japin mundësi të gjithë artistëve, të gjithë të talentuarve të ngjiten në skenat shqiptare.

Intervistoi: Sava Lena

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree