Rama: Hyrjet nga aeroporti i Tiranës dhe kufiri i Morinës, rritje marramendëse
2024-08-03 15:50:13

Edi Rama (Foto RTSH)

Edi Rama (Foto RTSH)

Kryeministri Edi Rama ka dalë me një videomesazh nga Dhërmiu, ku po kalon pushimet verore, për të publikuar shifrat e hyrjeve në Shqipëri dhe për t’iu përgjigjur të gjithë kritikëve që thonë se në Shqipëri nuk ka turistë. Kreu i qeverisë tha se nga aeroporti i Rinasit kanë hyrë pothuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet, shkruan “Panorama”. Madje, sipas tij, këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë pasagjerë.

Sa u takon aludimeve se vendin e kanë braktisur edhe shqiptarët e Kosovës, Rama përsëri nxori shifrat, duke thënë se kjo është një teori dashakeqëse.

“Nga të dhënat e marra për hyrjet në Shqipëri, nga aeroporti “Nënë Tereza” kanë hyrë pothuajse 1.2 milionë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit europian për rritjen relative me vitet paraardhëse. Edhe shifrat e hyrjeve në Morinë, që i tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës ku mund të lexohet çdo hyrje, tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë makina më shumë se vjet, ndërsa në korrik, 3 mijë më shumë se vjet, duke hedhur poshtë thashethemet për rënie të numrit të tyre”,-  tha Rama.

Kryeministri i konsideroi të gjithë kritikët që mendojnë se në Shqipëri nuk ka turistë si një sy i keq. (Elona)