OSHEE (Foto ATSH)
Vijon të rritet numri i aktmarrëveshjeve të firmosura me OSHEE-në dhe FSHU-në, për shlyerjen me këste të faturave të prapambetura të energjisë elektrike, deri më 31 dhjetor 2022, shkruan “ATSH”.
Sipas të dhënave, që i përkasin periudhës nga datat 3 prill deri në 24 korrik, kur nisi zbatimin skema e re e aktmarrëveshjeve, janë firmosur 3345 kontrata. Prej tyre, 2875 kontrata i përkasin kategorisë familjar, ku 1708 subjekte kanë shlyer njëherësh detyrimin ndaj OSHEE-së, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës në masën 70%. Ndërsa 1167 klientë të tjerë vijojnë pagesat me këste, sipas kategorive të përcaktuara në udhëzimin mbi skemat e shlyerjes së debisë së akumuluar ndaj OSHEE-së.
Po gjatë periudhës kohore, kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE-në, 470 klientë jofamiljarë, nga të cilët, 340 kanë shlyer njëherësh debinë e akumulur, duke përfituar reduktim kamatëvonese në masën 50-100%. Rreth 130 klientë jofamiljarë po vijojnë shlyerjen e detyrimeve me këste lehtësuese. OSHEE-ja bën të ditur se skemat e aktmarrëveshjeve për vitin 2024 përfshijnë faturat e papaguara të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2022. Klientët debitorë, që duan të hyjnë në aktmarrëveshje me OSHEE-në, duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të likuidohen përpara lidhjes së aktmarrëveshjes.
OSHEE-ja fton të gjithë klientët familjarë, jofamiljarë dhe biznes të përfitojnë nga lehtësitë e ofruar, duke shlyer debinë me këste dhe duke përfituar reduktim të kamatëvonesave, nëse paguajnë me një këst të vetëm detyrimin e faturave të papaguara të energjisë elektrike deri më 31 dhjetor 2022. (Elona)