Kalaja e Gjirokastres (Foto ATSH)
Vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, e cila arrin sërish një rekord për periudhën 1 korrik-31 korrik 2024.
Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Rritja e muajit që lamë pas llogaritet në 13.78%, krahasuar me vitin 2023, ndërsa shifrat arrijnë në 116.35% nëse krahasohen me dy vjet më parë, shkruan “ATSH”.
35.996 vizitorë ka pasur gjatë kësaj periudhe ose 4359 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023. Qyteti i gurtë është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Krahasuar me kalatë e tjera mesjetare të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja, por ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 metra dhe gjatësia 500 metra.
Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme. (Elona)