Arkeologjia (Foto Atsh)
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se qeveria shqiptare miratoi grantin për Bylisin dhe Klosin, prej 6 milionë euro, duke e cilësuar atë më të madhin për një sit arkeologjik, shkruan “ATSH”.
Këshilli i Ministrave miratoi Planin e Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe Klosit (2024-2029), 6 milionë euro, qendër vizitorësh, muze, vende të reja pune, infrastrukturë prezantimi, konservimi trashëgimie dhe mjedisi.
“Vëmendja dhe përkushtimi i MEKI-t, këtë radhë, u fokusua tek Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit, në zemër të Mallakastrës”,- shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
Parku arkeologjik dhe plani i tij i menaxhimit, miratuar tashmë zyrtarisht, mbështetet nga projekti “BE për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillim Ekonomik Lokal i Udhëhequr nga Turizmi me Fokus në Trashëgiminë Kulturore”.
Plani përfshin vijimin e hulumtimeve dhe gërmimeve arkeologjike si dhe investime në punime civile e rrugë aksesi. Ky plan veprimi i drejtuar nga MEKI, dhe institucionet e specializuara të tij, do të mbështetet në partneritetin e financimet e BE-së dhe zbatimin e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim (AICS).
Vizioni dhe qëllimi i planit të menaxhimit janë hartuar si vazhdimësi e punës shkencore dhe gërmimeve arkeologjike shumëvjeçare të realizuara nga Instituti i Arkeologjisë (IA) si dhe të punimeve konservuese e restauruese të kryera nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe institucioneve të tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministri Gonxhja premtoi se Parku Arkeologjik i Bylis nuk është as i pari dhe s’do të jetë as i fundit. MEKI po harton planet e menaxhimit për parqet, sitet arkeologjike dhe qendrat historike, në zbatim të ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe në funksion të përmbushjes së Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm në fushën e trashëgimisë kulturore. (Elona)