foto nga CFP
Pas sulmeve që çuan në vrasjen e udhëheqësve të Hamasit dhe Hezbollahut në Teheran dhe Bejrut, disa vende të Këshillit të Sigurimit bëjnë thirrje për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit në OKB shprehën shqetësimin e tyre lidhur me një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme, ku ndërkohë Izraeli dhe Hamasi ndodhen në luftë.
Zëvendësambasadorja franceze, Nathalie Broadhurst, bëri thirrje për përgjegjësi dhe përmbajtje më të madhe, për të shmangur një përhapje rajonale të konfliktit, citon “Panorama”.
“Ne druajmë se rajoni ndodhet në prag të një lufte totale”, - tha zëvendësambasadori japonez në OKB, Shino Mitsuko. Ai kërkoi përpjekje ndërkombëtare, për ta shmangur një konflikt të tillë.
Pak përpara seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përmes zëdhënësit të tij deklaroi se sulmet në Iran dhe në Liban janë një përshkallëzim i rrezikshëm. Duhet të shmangen të gjitha aksionet, që mund ta zhysin në humnerë Lindjen e Mesme, tha ai. (Elona)