Filipinet duhet të tregojnë më shumë racionalitet
2024-08-02 14:45:23

Në fund të korrikut, Filipinet dhe ShBA-ja zhvilluan raundin e ri të takimit “2+2” të ministrave të Jashtëm e të Mbrojtjes. Kjo është hera e parë që Filipinet e organizojnë këtë takim. Para kësaj, Kina dhe Filipinet arritën marrëveshjen e përkohshme për kontrollin e situatës në gumën Renai, duke zbutur mosmarrëveshjen për Detin e Kinës Jugore. Por sipas deklaratës së përbashkët të bërë në takimin Filipine-ShBA, pala amerikane nuk do një situatë të qëndrueshme në Detin e Kinës Jugore.

Në deklaratë, pala amerikane ritheksoi premtimet e bëra për sigurinë e Filipineve dhe u shpreh se “Marrëveshja e mbrojtjes së përbashkët ShBA-Filipinet” është e zbatueshme për rajonin e Detit të Kinës Jugore, duke u bërë thirrje të dy vendeve të zhvillojnë bashkëpunim në fushën e mbrojtës e të sigurisë me Japoninë e Australinë, për të përballuar të ashtuquajturat "sfida të përbashkëta". Njëkohësisht, deklarata e përbashkët thekson se ShBA-ja do të bashkëpunojë me Japoninë e vende të tjera për të shtuar fondet për Filipinet në fusha të tilla si ajo e sigurisë, ushtarake dhe ekonomike. Pas takimit, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u shpreh që pala amerikane do të japë 500 milionë dollarë fonde për të forcuar aftësinë mbrojtëse të Filipineve. Gjatë takimit me sekretarin Blinken, presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr. u bëri thirrje të dy palëve që të mbajnë kontakte të rregullta, për t'i ndihmuar Filipinet të përballojnë "në mënyrë elastike" tensionet përkatëse.

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një sërë prirjesh tregojnë se ShBA-ja është faktori kryesor që ndikon në politikën filipinase ndaj Kinës dhe Detit të Kinës Jugore. Që nga viti i kaluar, Filipinet kanë bërë herë pas here provokime në gumën Renai, ishullin Huangyan etj. të Kinës dhe ky është shkaku kryesor i problemit.

Si një vend aziatik, në trajtimin e mosmarrëveshjes detare me Kinën, pala filipinase duhet të tregojë më shumë racionalitet e t'i vërë paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale në plan të parë. Por, pas ardhjes në fuqi të administratës së presidentit Marcos, duket se forcimi i aleancës me ShBA-në është bërë politika kombëtare e Filipineve.

Disa politikanë filipinas duhet të jenë racionalë dhe të kuptojnë se premtimet e ShBA-së për sigurinë janë boshe. Aleanca ShBA-Filipine synon të mbrojë hegjemonizmin global amerikan dhe nuk do t’u sjellë Filipineve paqe e lulëzim.

Në takimin e 57-të të ministrave të Jashtëm të ASEAN-it të zhvilluar në fund të korrikut u miratua një deklaratë, ku theksohet rëndësia e zbatimit të gjithanshëm të Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore, duke inkurajuar përdorimin e “Udhëzimeve për shpejtimin e arritjes së Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore” të miratuara nga Kina dhe vendet e ASEAN-it. Ky qëndrim mohon propozimin e qeverisë filipinase për hartimin e një kodi të ri të sjelljes në Detin e Kinës Jugore duke mënjanuar Kinën dhe tregon që zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjes në Detin e Kinës Jugore është konsensus i vendeve të ASEAN-it e se mbrojtja e paqes në këtë det është shpresa e përbashkët e tyre.  (Fani)