Berlini zyrtar u bën thirrje qytetarëve gjermanë të largohen nga Libani
2024-08-02 15:56:59

Ministrja e Jashtme gjermane (Foto Atsh)

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u bëri thirrje qytetarëve gjermanë që të largohen nga Libani, pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon, nga vrasja në Teheran e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe sulmit kundër një komandanti të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Liban, shkruan “ATSH”.

“U bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve gjermanë në Liban të largohen sa më shpejt të munden. Në këtë situatë të tensionuar, çdo vendim ose mund të lehtësojë situatën, ose të nxisë zjarrin”,- shkroi kryediplomatja gjermane në një postim në “X”.

“U bëj thirrje të gjithëve, sidomos Iranit, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin”,- shkroi Baerbock.

Irani dhe Hamasi akuzuan Izraelin për vrasjen e liderit të Hamasit Haniyeh dhe kërcënuan me hakmarrje. Hezbollahu nuk ka komentuar, por ka njoftuar një fjalim të liderit të tij Hassan Nasrallah.

“Është thelbësore që konflikti rajonal të parandalohet tani dhe që i gjithë rajoni mos të zhytet në kaos. Qeveria gjermane po bën gjithçka që është e mundur, në bashkëpunim me partnerët e saj dhe përmes kanaleve diplomatike, për të parandaluar një përshkallëzim dhe konflikt rajonal”,- bëri të ditur Ministria e Jashtme gjermane në postimin në faqen zyrtare të “X”. (Irma)