Foto nga VCG
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se për periudhën janar-qershor 2024 numri i të siguruarve si të vetëpunësuar në bujqësi arriti në 24.930, me 15.2% më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë, shkruan “ATSH”.
Zbatimi nga qeveria i skemave të subvencionimit në bujqësi, si dhe rritja e ndërgjegjësimit për nevojën e pagesës së kontributeve, kanë sjellë një shtim të numrit të të siguruarve që punojnë si të vetëpunësuar.
Ministri njoftoi se Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe drejtoritë rajonale po ndërmarrin fushata të vazhdueshme të ndërgjegjësimit në terren, me qëllim që të vetëpunësuarit në bujqësi të përfitojnë nga avantazhet që ofrojnë skemat e dedikuara për këtë kategori.
Bujqësia vitet e fundit po vijon të rrisë në mënyrë të qendrueshme kontributin e saj në PBB dhe ka rritur forcën e angazhuar në punë në sektorin rural në nivelin 33.9% të totalit të të punësuarve në shkallë vendi.
Sipas statistikave nga INSTAT-, mbi “Tregun e Punës 2023”, rezulton se bujqësia punëson 33.9 për qind të totalit të individëve në marrëdhënie pune.
Referuar të dhënave nga këndvështrimi i grup-profesioneve, rezulton se në vitin 2023, punonjësit e kualifikuar të bujqësisë dhe të lidhur me tregtinë, përbënin 46.2 % të të punësuarve. (Irma)