Fidane (Foto Atsh)
Qeveria shqiptare miratoi projektligjin që organizon rregulla të qarta për produktet organike që prodhohen në Shqipëri, sipas standardeve të BE-së, shkruan “ATSH”.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se në projektligj rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organikë, përdoruesin e treguesve me etiketën edhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, ruajtjes dhe shpërndarjes, importit dhe eksportit.
Ministrja Denaj tha se në projektligj janë përcaktuar dhe autoritetet përkatëse që do të kenë në përgjegjësi kontrollin zyrtar në cdo hap.
“Ligji përcakton listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve, inputeve si dhe ngritjen e një sistemi elektronik që do të menaxhohet nga MBZHR dhe mundëson vetëdeklarimin e të dhënave për inputet organike, e produktet”,- tha ministrja Denaj, e cila theksoi se ky projektligj vjen në përputhje me BE-në.
Denaj garantoi për cilësinë dhe sigurinë e prodhimeve bujqësore shqiptare, që, siç u shpreh ajo, eksportohen në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare. (Irma)