Zhvillimet e bujqësisë shqiptare janar-korrik 2024
2024-08-02 09:59:06

Nga punët në bujqësi (Foto Balkanweb.com)

Nga punët në bujqësi (Foto Balkanweb.com)

Për 5-mujorin e parë të këtij viti, eksportet bujqësore në Shqipëri kanë shënuar një rritje të konsiderueshme dyshifrore prej 12 përqind. Ato kanë arritur në 182 mijë tonë, nga 163 mijë tonë vitin e kaluar, ose 19 mijë tonë më shumë.

Kjo rritje e qëndrueshme pasqyron përkushtimin e palodhur të fermerëve dhe bujqëve shqiptarë, për të shtuar prodhimin e produkteve “Made in Albania”, pavarësisht kërkesës së fortë dhe në rritje në tregun e brendshëm, për shkak të rreth 40 përqind më shumë vizitorëve të huaj që po vijnë këtë vit në Shqipëri.

Agim Rrapaj Kryetar i KASH në intervistë për CMG

Agim Rrapaj Kryetar i KASH në intervistë për CMG

Shtimi i eksporteve bujqësore shqiptare po nxitet edhe nga politikat e qarta të qeverisë, në mbështetje të sektorit bujqësor. Gjatë korrikut 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nisi ndarjen e fondeve për fermerët dhe blegtorët, të cilët u shpallën fitues nga programet e mbështetjes, të aplikuara për vitin 2024.

Përparësi në disbursim kanë fermerët dhe blegtorët brenda Bashkimeve të Operatorëve Bujqësorë dhe Grupimeve të fermerëve, të cilët këtë vit konsiderohen të parët në fillimin e financimit dhe disbursimit me 100% të vlerës së aplikimit.

Skema e Mbështetjes 2024  ka në qendër të vëmendjes edhe çertifikimin e produkteve organike, përmes Çertifikatës Global GAP dhe çertifikatave të tjera.

Duke pasur në vëmendje subvencionet për këto masa, qeveria po synon rritjen e cilësisë së prodhimit tonë bujqësor e blegtoral, për të hapur tregje me vlerë të lartë për eksportet tona bujqësore.

Qeveria ka objektivin që në vitin 2030, Shqipëria të arrijë nivelin e 1 miliardë euro eksporte bujqësore. Për vitin 2023, eksportet tona bujqësore arritën shifrën e 570 milionë euro dhe shtimi me 12 përqind i tyre për periudhën janar-maj 2024, ështe shenjë që po ecet në drejtimin e duhur,

Ndërkohë, sektori i agroturizmit është një sektor shumë premtues tek ne. Ai paraqitet kompleks dhe ndodhet në fillimet e tij. Skema Kombëtare 2024 e ndihmon në mënyrë indirekte këtë sektor, përmes çertifikimit Global GAP, çertifikimit të produkteve organike dhe mbështetjes së fermave organike.

Dyfishohen eksportet e domates (Foto Probizz.al)

Dyfishohen eksportet e domates (Foto Probizz.al)

Qeveria shqiptare ka hedhur për diskutim publik Strategjinë Kombëtare për Agroturizmin deri në vitin 2030. Menjëherë pas miratimit të kësaj Strategjie, pritet të ketë një mbështetje direkte për agroturizmin nga Skema Kombëtare 2025 e në vitet në vijim.

Në tërësi, Skema Kombëtare 2024 përfaqëson një mbështetje financiare të rëndësishme për bujqësinë dhe zhvillimin rural, e financuar nga buxheti i Shtetit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon që rreth 70 mijë fermerët fitues të përfitojnë nga të gjitha masat e Skemës, duke disbursuar sipas verifikimeve të plota.

Po zbatohen me impakt të qartë edhe programet për rritjen e pagave, zgjerimin e hartës së eksporteve për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin, përmirësimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit, menaxhimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore përmes digjitalizimit, si dhe këshillimin dhe rritjen e asistencës për fermerët.

 

CMG: Z. Rrapaj, jemi në pikun e sezonit turistik të verës. Zhvillimi bujqësor dhe rural i Shqipërisë është i lidhur simbiotikisht me ofertën e tij për industrinë turistike. Si ka përformuar prodhimi ynë bujqësor për plotesimin e nevojave të kësaj industrie?

Agim Rrapaj: Performanca është e mirë dhe parashikimet besoj kanë një bazë, në të cilën ato vlerësohen. Treguesi i parë për të arritur në këtë konkluzion është tregu. Po të shikosh tregun, në të gjitha pikpamjet, është plot. Nga kjo anë, konsumatorit dhe turistit nuk i ka munguar asgjë.

Elementi i dytë është oferta dhe çmimet. Oferta është e mirë dhe çmimet janë në nivele, që krahasuar me ç’ka ne lexojmë në shtypin kombëtar e ndërkombëtar, janë më të leverdisshme, se sa në vende të tjera. Ky është tregues i dytë i rëndësishëm.

Treguesi i tretë është numri i vizitorëve vendas dhe të huaj, që vazhdon të rritet në zonat rurale. Kjo tregon më shumë vëmëndje, më shumë interes dhe më shumë angazhim të të gjithë prodhuesve të vegjël të zonave rurale, në plotësimin e kërkesave të turistëve.

Në këto tre tregues, të gjitha sondazhet që ne si KASH kemi bërë dhe informacionet që kemi mbledhur në gjashtëmujorin e parë, kanë ecur mire. Tashmë ne po ambientohemi me këtë realitet të ri të turizmit, agroturizmit dhe turizmit kulturor në zonat rurale.

Skema kombëtare në bujqësi (Foto bujqësia.gov.al)

Skema kombëtare në bujqësi (Foto bujqësia.gov.al)

Kjo tregon njëkohësisht që ne kemi akoma më shumë potenciale për të plotësuar një kërkesë e ofertë më të madhe të turizmit, veçanërisht në zonat rurale. Potencialet aty janë të mëdha dhe ka vend akoma për investime. Shumë nga emigrantët tanë ekonomikë kanë investuar në banesa në zonat rurale.

Kanë ndërtuar banesa për nevojat e tyre personale, por është e nevojshme tashmë që të bëhet një kombinim midis fondeve të sektorit publik, të donatorëve dhe të vetë privatëve, që këto banesa që janë ndërtuar për nevoja personale, për banim personal, por që nuk banohen për arsye të shpopullimit, të kthehen në banesa për agroturizmin.

Në këtë mënyrë, ne do të mund të shfrytëzojmë investimet e bëra, në kuptimin ekonomik të fjalës, por njëkohësisht, të garantojmë një qëndrueshmëri të rritjes së turizmit, në veçanti agroturizmit, në zonat rurale.

Një element tjetër që vërehet dhe që duhet theksuar, është çështja e bujtinave. Tashmë kemi një rritje të numrit të bujtinave në mënyrë progresive. Ky është një tjetër tregues që vetë fermerët e kanë kuptuar, që përmes bujtinave, përmes shtretërve që ata bëjnë gati për turistët dhe përmes prodhimit të tyre të shumëllojshëm, kjo bën të mundur që ne të plotësojmë një pjesë të mirë të nevojave për turizmin.

CMG: Sa i ka ndihmuar eksportet tona bujqësore Skema e Mbështetjes Shtetërore 2024? A do të shtohet ndjeshëm ajo për gjysmën e dytë të këtij viti, në parashikimet tuaja?

Agim Rrapaj: Ne kemi një zinxhir tashmë të konsoliduar për eksportin. Hallkat e këtij zinxhiri kanë performuar mirë. Fillimisht është konsoliduar hallka e zinxhirit të qëndrave të grumbullimit, të cilat ishin një domosdoshmëri në këtë proces dhe është domosdoshmëri që këto të ruajnë performancën e tyre edhe në vijimësi dhe të shtohen akoma më shumë në aktivitet.

Elementi i dytë ka të bëjë me koniukturën ndërkombëtare. Tashmë Shqipëria, përveçse ka shtuar numrin e turistëve, ka shtuar dhe njëkohësisht promovimin.

Ne po shohim që promovimi që i bëhet produkteve shqiptare në shtypin ndërkombëtar tashmë ka një tjetër performancë. Shohim që vendet perëndimore kanë ndryshuar psikologjinë, kanë ndryshuar kahjen për konceptimin që kishin për Shqipërinë, për produktet shqiptare.

Kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe ka ardhur si rezultat i një pune të jashtëzakonshme që bëjnë fermerët në zonat rurale. Ana tjetër ka të bëjë me rezervat që ne kishim dhe që tashmë po përdoren nga fermerët, për të mundësuar një qëndrueshmëri në eksport.

Hapja në tregjet ndërkombëtare bëri që ne të lehtësohemi nga ky ngërç dhe përfundimisht, problem për të zgjidhur tek ne mbetet kosto e prodhimit, që është e lidhur ngushtë me raportin e investimeve nga fondet publike dhe donatorët.

Ky raport duhet ruajtur, sepse është prishur këto dy vitet e fundit. Ai nuk është sikurse ka qënë vite më përpara, për arsye se mbetet akoma i papërditësuar. Më saktë, kemi akoma pa  miratuar Aktin normativ për shtesën që duhet t'i bëhet Skemës Kombëtare 2024 të Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural. Ky është një element që duhet vlerësuar.

Të gjitha këto bëjnë që eksporti bujqesor të vazhdojë të rritet në mënyrë të qëndrueshme. Sa do të vazhdojë kjo rritje? Kjo do të varet shumë nga kombinimi i të gjithë faktorëve që unë përmënda.

CMG: A është rritur në gjysmën e parë të këtij viti edhe prodhimi bujqësor, krahas rritjes së eksporteve bujqësore?

Agim Rrapaj: Nuk përputhen rritja e eksportit me rritjen e prodhimit bujqësor në tërësi. Nuk përputhen për shumë arsye.

Arsyeja e parë dhe mjaft e rëndësishme është rritja e kostove tek fuqia punëtore. Arsyeja e dytë është mungesa e mekanizimit, që është një tjetër element ku ne, me rritjen e kostos së fuqisë punëtore, injektojmë një shpenzim të tejskajshëm në koston e prodhimit të të gjithë produkteve.

Një element tjetër ka të bëjë me subvencionet, që ndikojnë në kosto në mënyrë jo drejtpërdrejtë, por indirekte. Elementi tjetër është që politikat që ne po bëjmë nuk janë në përputhje me kohën që ne po kalojmë.  Kërkohen politika më agresive, për të realizuar në kohë disa elementë që ne nuk po na ecin siç duhen, sikurse kooperimi dhe koordinimi.

Iniciativa e marrë me Skemën e fundit 2024 të Mbështetjes Kombëtare në Bujqësi, tregon sa të interesuar janë fermerët për këtë proces.

Fakti që ata e miratuan dhe e përqafuan menjëherë këtë masë që u muar në Skemën Kombëtare, ku grupet e fermerëce do të vlerësoheshin të parët, ku grupet do të rimbursoheshin 100  përqind seicili, si dhe ku grupet nuk kishin nevojë të plotësonin disa kritere të pasurisë së tokës, etj., tregoi që grupimi tashmë është një element kyç, për të përballuar kostot e larta të prodhimit dhe për të implementuar të gjitha politikat që duhen.

Këtu jemi të vonuar. Ne si KASH  kemi bërë propozime, kemi vite që po bëjmë propozime në lidhje me këtë proces, por hapat janë të ngadaltë, sipas gjykimit tonë.

CMG: Me këtë gjendje të bujqësisë dhe zhvillimit rural sot, a mund të themi se objektivi i 1 miliardë euro eksporte bujqësore për vitin 2030 është i arritshëm? Ç’duhet bërë më shumë dhe më mirë, për të ndihmuar bujqësinë dhe zhvillimin e qendrueshëm rural?

Agim Rrapaj: Objektivi është vënë para tre vjetësh dhe në harkun e tre viteve kanë ndodhur disa ndryshime.

Cilat janë ndryshimet? Ndryshimet janë rritja e ndjeshme e numrit të turistëve. Kjo ka sjellë që tregu i vendit ka nevojë akoma dhe më shumë për produktet tona.

Kjo nuk shkon në rrjedhën e këtij objektivi të eksporteve, pasi është një rrugë që shkon në të kundërtën e saj.

Elementi i dytë është ikja e fuqisë punëtore të kualifikuar. Kjo bën që ne të mbledhim mëndjen që 1 miliardë euro nuk është një objektiv që mund ta realizosh duke parë një tregues të 5-mujorit apo të 6-mujorit, por është një tregues mjaft ambicioz dhe kërkon një analizë intensive, për të tashmen dhe për perspektivën. Kështu që, të realizosh 1 miliardë euro eksporte bujqësore, duhet patjetër që në strategjinë që është bërë, të bëhen disa ndryshime.

Ndryshimi i parë dhe mjaft i rëndësishëm ka të bëjë me programin financiar afatmesëm, i cili duhet ndryshuar. Ky program afatmesëm me buxhet deri në 2.2 përqind të GDP-së si shpenzime totale, nuk është në përputhje me këtë objektiv. Nuk mund të realizosh këtë objektiv me këtë buxhet.  E dyta, investimet që duhen bërë për mekanizimin, për inovacionin dhe digjitalizimin janë të lidhura ngushtësisht me realizimin e këtij objektivi.

Ne duhet të marrim të gjitha masat që fondet e Buxhetit të Shtetit për bujqësinë dhe zhvillimin rural të rriten ndjeshëm, në mënyrë që të përballojmë vështirësitë që ka bujqësia.

Ndryshimet klimatike janë përsëri një element që duhen vlerësuar në këtë proces . Ana tjetër e rëndësishmë është që në fushën e bujqësisë dhe ekonomisë së ushqimit, tashmë ka marrë një rol parësor siguria ushqimore. Dhe natyrisht, që të eksportosh 1 miliardë euro në vendet e Bashkimit Europian me këtë nivel sigurie ushqimore, nuk është e lehtë.

Na pret shumë punë përpara, në mënyrë që ne të kemi mundësinë që të rregullojmë gjithë këtë proces dhe në mënyrë që të kemi mundësi të realizojmë atë objektiv ambicioz.  Ai është i mundur, me potencialet që kemi, por është i vështirë për situatën që po kalojmë.

Intervistoi Fatos Çoçoli