Vizita e kryeministres italiane Meloni në Kinë nxit forcimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik dypalësh
2024-08-02 14:30:15

Në 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Itali, kryeministrja italiane Giorgia Meloni kreu vizitën e parë të saj në Kinë. Në takimin me presidentin kinez Xi Jinping, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan “Shpirtin e Rrugës së Mëndafshit”, me synim  për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik dypalësh. Ndërsa në takimin  mes kryeministrit kinez Li Qiang dhe homologes së tij italiane Meloni u ndanë mendime për nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, të investimeve dypalëshe në fushën e risive tekniko-shkencore, të automjeteve elektrike, të AI-së etj.  Të dy palët publikuan "Planin e Veprimit të Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Italisë për Forcimin e Partneritetit Gjithëpërfshirës Strategjik (2024-2027)". Analisti Artur Nura, botues i portalit online “Përqasje.com” dhe korrespondent i mediave italiane komenton vizitën e kryeministres italiane Meloni në Kinë për Grupin Mediatik të Kinës.

Analisti Artur Nura në intervistë për CMG

Analisti Artur Nura në intervistë për CMG

CMG: Në fund të korrikut u shënua vizita e kryeministres italiane Meloni në Pekin, në kuadër të 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Itali. Opinioni juaj për këtë vizitë

Artur Nura: Padyshim që kemi një vizitë historike nëse i referohemi marrëdhënieve italo-kineze. Kjo është e para pas vizitës së ish kryeministrit italian, i cili mori një vendim të diskutueshëm politik për Perëndimin, që u fut në Rrugën e Mëndafshit pra përfshiu Italinë, një vend anëtar të G7  në këtë nismë kineze. Kurse kryeministrja Meloni  pas vizitës në SHBA dhe ngritjes së performances së saj në këtë post, bëri daljen nga kjo nismë dhe sipas analizave gjeopolitike bëri rikthimin në Kinë në një moment kur ajo politikisht është më e fuqishme në planin kombëtar, por dhe europian, për shkak të shifrave të marra në zgjedhjet europiane.

Vizita tregoi se vërtet Italia ka dale nga Rruga e Mëndafshit, por i gjithë plani strategjik  i Italisë është se mund të ketë një rrugë paralele me Rrugën e Mëndafshit për interesa ekonomike  dhe strategjike. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë strategjike. I ndoqa drejtpërdrejt deklaratat e kryeministres Meloni dhe jo rastësisht ajo iu drejtua historisë antike, që nga koha e Marco Polos, të cilin e trajtoi si lidhjen e Azisë me Europën. Në të gjitha takimet u vu re se interesi i Kinës është jo vetëm Italia, por dhe Bashkimi Europian, që është një treg shumë më i madh. Gjithashtu u soll në vemendje të mediave dhe të politikës roli historik i Marco Polos midis dy kontinenteve, ndërsa Meloni aktualisht është një “Marco Polo politik.

Kina dhe Italia (Foto CMG)

Kina dhe Italia (Foto CMG)

CMG: Ndalemi tek takimi i kreut të shtetit të Kinës Xi Jinping me kryeministren Meloni, ku të dy palët përmendën “Shpirtin e Rrugës së Mëndafshit” . Presidenti kinez u shpreh se thelbi i “Shpirtit të Rrugës së Mëndafshit” është bashkëpunimi paqësor, hapja, të mësuarit nga njeri-tjetri, përfitimet reciproke dhe pasuria e përbashkët. Nga ana tjetër, kryeministrja Meloni u shpreh se “Italia dëshiron ta trashëgojë këtë shpirt për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet e partneritetit strategjik. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Italisë në Azi me një vëllim dypalësh që ka kaluar 70 miliard dollarë për 3 vite radhazi. Mbi 1600 firma italiane bëjnë biznes në Kinë

Artur Nura: Në të gjitha diskutimet dhe analizat gjeopolitike konfirmohen këto shifra dhe ajo që sjell shqetësim në BE, apo Itali, sipas deklaratave të Ministrisë së Jashtme të Italisë është disbalanca në shkëmbime. Kryeministrja Meloni foli për të riparuar këtë disbalancë, duke kërkuar që investimet “Made in Italy” të jenë më prezente në Kinë. Po i referohem deklaratës së Ministrisë së Jashtme Italiane për këtë e cila thekson se po ngushtohet kjo disbalancë, duke shënuar një hap pozitiv për ekportet italiane drejt Kinës, të cilat shënuan një tendencë rritjeje prej 16.8%, duke arritur shifrën 19.2 miliard euro. Shifrat u referohen sektorin farmaceutik, të tekstileve dhe veshjeve dhe makinerive, krahasuar me ato të vitit 2022. Ka një balancim të këtyre raporteve.

Ajo që presidenti Xi kërkoi nga Meloni me një interes të drejtpërdrejtë  ekonomik dhe financiar janë makinat elektrike, që janë bërë një instrument i rëndësishëm i diplomacisë tashmë. Ka një vendim të BE-së që nëpërmjet taksave duan ta frenojnë këtë, por sipa mendimit tim është artificial sepse tregu ka interesa ekonomike, gjithashtu konsumatorët kanë nevojë për këto makina sepse janë më cilësore dhe ofrohen me çmime më të ulta dhe miqësore me mjedisin. Kjo mbetet për t’u pare sepse edhe Italia është një treg me kërkesa për makinat elektrike dhe besoj se do të kemi arritje pozitive në këtë drejtim, pasi roli i kryeministres Meloni në BE është gjithmonë në rritje.

Kryeministrja italiane Meloni dhe kryeministri kinez Li Qiang (Foto CMG)

Kryeministrja italiane Meloni dhe kryeministri kinez Li Qiang (Foto CMG)

CMG: Në planin politik në takimin Xi-Meloni kjo e fundit përmendi mosshkëputjen, njohjen e një Kine, ndërsa në takimin me homologun e saj kinez Li Qiang ajo përmendi bashkëpunimin  e mëtejshëm  ekonomik dhe tregtar, në industri, arsim, mbrojtjen e mjedisit, sigurinë ushqimore. Nga ana tjetër  kryeministri kinez garantoi një mbështetje për kompanitë italiane në Kinë, por i kërkoi dhe palës italiane të sigurojë një mjedis të drejtë biznesi për kompanitë kineze, si dhe lehtësi për shtetasit kinezë që vizitojnë Kinën. Vlerësimi juaj për këto deklarata

Artur Nura: Nga shumë burime mediatike, por dhe njerëzore më rezulton që politika e Italisë ndaj kinezëve është mjaft e ekuilibruar. Mjafton të kujtojmë prezencën e madhe të qytetarëve kinezë në Itali, madje ka dhe italianë që thonë “në çdo 4 vetë, dy jemi kinezë”.

CMG: E kemi parë dhe me eksperiencën tonë personale këtë, nga udhëtimet tona në Itali.

Artur Nura: Italia është mikpritëse ndaj qytetarëve kinezë.  Kryeministrja Meloni e tha në mënyrë të qartë  se Kina është një aktor dhe faktor, që nuk mund të shmanget në zhvillimet globale. Kjo është e rëndësishme në raport me zhvillimet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Presidenti Xi dhe kryeministrja Meloni (Foto Xinhua)

Presidenti Xi dhe kryeministrja Meloni (Foto Xinhua)

CMG: Duke e vlerësuar vizitën e kryeministres Meloni në Kinë si pozitive, një nga rezultatet është publikimi i Planit të Veprimit të Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Italisë për forcimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik 2024-2027. Janë vendosur disa piketa të rëndësishme nga të dy palët për bashkëpunimin trevjeçar.

Artur Nura: Kjo marrëdhënie është strategjike tashmë. Jo rastësisht në fillim të intervistës thashë se është një lloj paralelizmi me kthimin e Italisë në Rrugën e Mëndafshit. Plani strategjik po ta analizojmë zë për zë tregon që Italia nuk është në Rrugën e Mëndafshit, por është në të njejtin nivel, në mënyrë paralele.

Plani Strategjik tregon që tashmë marrëdhëniet ekonomike janë drejt përmirësimit. Roma që në periudhën e lashtë dhe sot në kohët moderne mund të luajë një rol të rëndësishëm sepse bot aka nevojë për paqe. Aktorë të rëndësishëm globalë si Italia, Kina, SHBA dhe NATO  kanë detyrë të reflektojnë për të zgjidhur konfliktet nëpërmjet dialogut.

CMG: Ishte e qartë dhe koncize deklarata e kryeministres Meloni në takimin me presidentin Xi, lidhur me rritjen e pasigurisë në nivel ndërkombëtar dhe Kina është pashmangshmërisht një bashkëbisedues mjaft i rëndësishëm në adresimin e dinamikave, ndaj dy vendet duhet të mendojnë së bashku sit ë garantojnë stabilitetin dhe paqen.

Artur Nura: I është kërkuar në këtë mënyrë Kinës të ndërmjetësojë zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ndërsa dhe pala ukrainase po e konsideron Kinën si një aktor të rëndësishëm për negociata.

CMG: Kryeministrja Meloni theksoi disa here vullnetin për një faze të re në bashkëpunimin me Kinën në fushën e makinave elektrike, të inteligjencës artificiale, të mjedisit, në kulturë të përmbledhura në Planin Strategjik 3 vjeçar të Partneritetit.

Shkëmbimet Kinë-Itali (Foto CMG)

Shkëmbimet Kinë-Itali (Foto CMG)

Artur Nura: Vizita e kryeministres Meloni në Kinë është përgatitur para më shumë se një viti dhe këto janë rezultatet për t’u aplikuar dhe vullnetet janë që të dyja palët të bëjnë kompromise në interes reciprok dhe më gjerë.

CMG: Vizita e kryeministres Meloni në Kinë a pritet të ndikojë në marrëdhëniet Kinë-BE?

Artur Nura: Besoj që po sepse kemi të bëjmë me një aktor të fuqishëm të BE-së dhe Parlamenti Europian po merr një rol të dorës së pare në BE dhe prezenca e ekzekutivit të Melonit dhe aleatëve të saj në BE ka qenë në rritje. Një vullnet i tillë do të konsiderohet dhe nuk mund të injorohet performance e Melonit, por dhe ministri i jashtëm italian Tajani është me shumë eksperiencë dhe ndër më të interesuarit për dialog, jo vetëm me BE-në dhe Kinën, por dhe me Ballkanin. Këta janë instrumente të rëndësishme që mund të japin kontribute dhe të sjellin refleksione në BE. Iniciativa e fundit për makinat elektrike ka ardhur nga Ursula von der Leyen pas disa vizitave që ka bërë në Kinë ndaj mund të gjenden compromise dhe Italia të luajë një rol të rëndësishëm duke përfituar sa i përket rritjes së produkteve “Made in Italy”, por dhe duke sjellë një zhvillim global pozitiv