Maratona e bebeve Pogradec (Foto CMG)
U zhvillua në fund të muajit korrik në qytetin liqenor të Pogradecit Maratona “Enkelana”, ku morrën pjesë rreth 700 vrapues nga 38 shtete të botës. E veçanta e kësaj gare shte se në prag të maratonës u mbajt edicioni i dytë i “Maratonës së bebeve”, një event i veçantë që po kthehet në traditë. Në sheshin “Odeon” të qytetit rreth 100 bebe dhe fëmijë nga i gjithë vendi garuan mes moshatarëve të tyre, duke dhuruar shumë emocione për prindërit, familjarët, por edhe pushuesit dhe qytetarët që e ndoqën nga afër këtë aktivitet. Në garë ishin foshnja nga 6-24 muajshe dhe shumë prej tyre që vinin për të dytin vit radhazi në “Maratonën e bebeve”. Në intervistë për Radio Ejani nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, Entela Gusho flet rreth kësaj nisme.
Nënkryetarja e Bashkisë Pogradec Entela Gusho në intervistë për Radio Ejani
CMG: Përshëndetje zonja Entela dhe mirë se vini në Radio Ejani! Qyteti i Pogradecit çdo vit i ka shtuar aktivitetet social -kultore krysisht gjatë verës. Së fundi krahas maratonës për të rritur “Enkelana”, u organizua edhe një aktivitet për fëmijë “Maratona e bebeve”. Si lindi “Maratona e bebeve”?
Entela Gusho: “Maratona e bebeve” lindi si ide, pasi u organizua maratona për të rriturit “Enkelana”. Duke patur një linjë këmbësorësh dhe biçikletash, Lin -Pogradec prej 21 kilometrash e më pas maratona tjetër 10 kilometra Pogradec -Drilon dhe Drilon- Pogradec u mendua që të organizohej maratona e të rriturve. Vitin e parë pati një pjesëmarrje shumë të madhe dhe ne u habitëm që kjo maratonë pati shumë sukses. Vitin e dytë morën pjesë nga 35 vende të botës dhe këtu na lindi ideja për të organizuar edhe një maratonë për fëmijë të cilën e quajtëm “Maratona e bebeve” jo pa qëllim. Ne po shohim që fëmijët po rriten pranë telefonave, në karroca, nënat më pak të interesuara për edukimin fizik të fëmijëve të vegjël, kështu që menduam të bënim maratonën e bebeve edhe për fëmijët që nuk kanë mbushur ende një vit.
Për të organizuar këtë event të veçantë u konsultuam me mjekë pediatër, të cilët njohin nga afër zhvillimin fizik dhe motorik të fëmijëve, por edhe duke marrë parasysh edhe eksperiencat ndërkombëtare, sepse kjo organizohet edhe në vende të ndryshme të botës. Dolëm në konkluzionin, që kjo maratonë është e shëndetshme edhe për fëmijët nga mosha 6 deri 24 muajsh.
Vitin e parë kishte interes, përveç nënave pogradecare edhe për nënat që pushonin në atë kohë në qytetin tone dhe u bë një aktivitet mbarëkombëtar, interesi për të cilin vijoi këtë vit. Qëllimi kryesor i kësaj maratone ishte që t’u jepnim nënave një mesazh të fuqishëm, për t’i patur sa më aktiv fëmijët në ecje, vrapim, not, sepse në muajin e gjashtë është edhe formimi fizik i fëmijëve. Gjithashtu kemi realizuar edhe biseda me nënat për mirëushqyerjen e fëmijëve, për të patur sa më tepër kohëzgjatje të ushqimit me gji, për ushqime sa më të shëndetshme të gatuara, e larg ushqimeve të konservuara, sa më pranë zarzavateve, frutave dhe sa më larg telefonave, të cilët i shohim shpesh edhe në moshë të vogël.
Viti i parë nisi me më shumë se 40 fëmijë, ndërsa këtë vit erdhi duke u shtuar insteresi. Secili prej tyre kishte numrin përkatës dhe një medalje të pjesëmarrjes. Kjo do ishte një fillesë dhe kujtim shumë i bukur, si medalja e parë në këtë moshë të vogël, më pas në një moshë më të rritur, të jep shkak për të shtuar këto medalje në këtë edukim fizik. Kemi patur nëna, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse edhe një vit më pare, kur i kishin fëmijët nga 6 muajsh dhe këtë vit që i kanë më të rritur erdhën sërish për të garuar. Gjatë këtyre ditëve kishte edhe festë në qytet me animatorë, ku morën pjesë këngëtarë fëmijë, kërcimtarë, që ngjallën interes tek të pranishmit. Ky aktivitet u mbajt në ambjentet e “Odeonit” të qytetit me një kapacitet prej 1200 spektatorësh, ku kishte shumë publik. Ishte bukur teksa prindërit bënin tifozeri për fëmijët e tyre. Në fund u shpallën fituesit sipas grupmoshave.
Maratona e bebeve (Foto për CMG)
CMG: Si ka qenë procedura e garimit të fëmijëve nga mosha 6 muajsh deri në 2 vjeç?
Entela Gusho: Për vetë arsyen e moshës, nuk ka hark kohor për ta, por thjesht kush mbërrinte i pari në finish. Ne tani po mbajmë statistikat e fituesve të një viti më parë dhe atyre të këtij viti, sepse besoj se kjo maratonë, do jetë pjesë e aktiviteteve në kalendarin e bashkisë së Pogradecit. Distancat janë të përcaktuara, për bebet 6 muajsh më pak dhe shtohet në vazhdim. Këtë herë viti i dytë i pati fëmijët pak më të përgatitur, siç duket nënat i kanë parapërgatitur fëmijët të garonin këmbadorazi, përpara se të vinin në maratonë. Do të donim që këta maratonistë të vegjël, t’i kemi në të ardhmen në maratonën e të rriturve, e cila do vazhdojë çdo vit në qytetin tonë.
CMG: Cila do të jetë risia vitin e ardhshëm?
Entela Gusho: Viti i parë ka qenë një ditë, këtë vit u shtua në dy dhe vitin e ardhëm e në vazhdim po mendojmë ta shtrijmë edhe më gjatë, ndoshta edhe në një javë. Do të mundohemi që të organizojmë aktivitete të ndryshme, sporte, mini -gara në ujë, etj.
Maratona e bebeve (Foto nga Klan Kosova)
CMG: Duke qenë se ky aktivitet zhvillohet edhe në vende të tjera të botës, a ka patur interes për të marrë pjesë edhe fëmijë nga jashtë?
Entela Gusho: Në këto dy vite nuk ka patur, por me kalimin e kohës dhe me promocionin që po i bëhet qytetit tone, shpresojmë që të marrin pjesë edhe nga ana tjetër e liqenit, nga Maqedonia dhe shpresoj që të shtrihet gjeografia edhe jashtë Shqipërisë.
CMG: Maratona e të rriturve “Enkelana” organizohet në të njëjtën ditë, apo janë të ndara në ditë të veçanta?
Entela Gusho: “Maratona e bebeve” organizohet një ditë përpara maratonës së të rriturve, në mënyrë që të jetë si një varg aktivitetesh. Maratona e të rriturve quhet “Enkelana” sepse Pogradeci në kohën e lashtë është quajtur Enkelana, pra ne jemi enkelej. Në këtë maratonë ne kemi pjesëmarrje nga shumë vende të botës. Prej fillimit të vitit regjistrohen personat që kanë dëshirë për të marrë pjesë në këtë maratonë.
CMG: Sa ka arritur pjesëmarrja e maratonistëve të rritur?
Entela Gusho: Kemi patur nga mbi 30 vende të botës, nga Greqia, Maqedonia, nga shumë vende të Evropës, por edhe nga Afrika kanë ardhur. Kemi një larmi shtetesh, një kompaktësi që i bashkon sporti, maratona, i bashkon Pogradeci. Ky është një promocion që i bëhet qytetit tonë, por është edhe kënaqësi, që në qytetin tonë të kemi pjesëmarrës nga shumë shtete dhe me një harmoni shumë të madhe. Duhet ta përjetosh këtë festë, këtë entuziazëm. Kushdo që e dëgjon këtë intervistë, u bëj thirrje të aplikojnë për të marrë pjesë në maratonën e vitit të ardhshëm. Grupmoshat janë mbi 18 vjeç dhe grupmosha mbi 60 vjeç. Kemi vënë re një rast të veçantë, një prind ka marrë dy fëmijët e tij me karrocë dhe ka përshkuar 21 kilomenta me ta. Kjo ishte e veçantë sepse u jep fëmijëve mësim që në këtë moshë. Gjithashtu ne kemi pjesëmarrës edhe persona me aftësi ndryshe, duke e bërë më të veçantë këtë konkurs, si dhe duke i shtuar entuziazmin tonë, ashtu si e ka emrin edhe projekti “ Askush mos mbetet pas” .
CMG: Kënaqësi që ju takova, ju uroj suksese me projektet e tjera në vazhdim!
Entela Gusho: Ju falenderoj që Bashkia Pogradec u bë pjesë e programeve tuaja! Suksese!
Maratona e bebeve
Nina, Aron, dhe Amari ishin disa prej bebushëve që arritën të kapnin këmbadorazi vijën e finishit në aktivitetin për fëmijë “Maratona e bebeve” mbajtur në Pogradec. Ky aktivitet sportiv ka në fokus fëmijët dhe argëtimin e tyre. Përgjatë mbrëmjes u zhvilluan edhe aktivitete të tjera për fëmijët si, maskota, ngjyrosje, muzikë argëtuese për fëmijë. Aktiviteti ka për qëllim lidhjen e fëmijëve me sportin. Ishin tre gara që u zhvilluan mes vogëlushëve. E para “Këmbadorazi”, e dyta “Vrapoj vetë” dhe e treta “Vrapoj shpejt”. Ky aktivitet u prit mjaft mirë edhe nga prindërit të cilët u ndanë me mjaf emocione dhe të qeshura. Në fund të aktiviteti, fituesit e disiplinave të maratonës u vlerësuan me trofe, duke ruajtur një kujtim mjaft të bukur për të ardhmen e tyre si fitues të një maratone të vërtetë bebesh, që ndoshta në të ardhmen, mund t’i nxisë për të marrë pjesë edhe në maratonën e të riturve. Me sport, frymën e garës dhe argëtimin e kampionëve të vegjël, u mbyll ky edicion i II-të i "Maratonës së Bebeve" në Pogradec, qytet në të cilin jeta kulturore e sportive tashmë është e pandalshme.
Intervistoi: Sava Lena