Interes i pushuesve kosovarë për bregdetin shqiptar
2024-08-01 10:59:48

Për kosovarët Shqipëria vazhdon të jetë pika parësore që e frekuentojnë shumë për qëllime turistike, e në veçanti pushimet verore, por interesimi këtë vit duket disi më i ulët. Në një intervistë për Radio Ejani, kreu i Unionit të Turizmit Kosovar, Baki Hoti flet për arsyet e këtij trendi, ndër të cilat dhe rritja e çmimeve.

“Lidhur me kërkesat për të pushuar në Shqipëri këtë vit, ne i kemi potencuar edhe më herët që duke pasur parasysh liberalizimin e vizave, që ka ndodhur këtë vit qytetarët e Kosovës janë të interesuar të eksplorojnë edhe vende të tjera evropiane të cilat kanë qenë në regjimin e vizave dhe nuk kanë pasur mundësi t’i vizitojnë. E kemi ditur që do të ketë një rënie të numrit të turistëve, të cilët e frekuentojnë Shqipërinë, por shohim që kjo rënie nuk është aq e madhe, por sido që të jetë po ndihet mungesa e kosovarëve në atë pjesë, duke pasur parasysh se shumë kosovarë tashmë po kalojnë pushimet në Greqi, Bullgari, Itali apo edhe në Turqi. Ndaj, këtë vit kemi më pak pushues nga Kosova të cilët po e frekuentojnë bregdetin e Shqipërisë. Çështja e dytë janë çmimet, pasi resorte të ndryshme sidomos në jugun e Shqipërisë, me sa po kuptojmë nga mediat dhe nga qytetarët, po prezantojnë faturat e tyre të akomodimit, shezlongëve, ushqimit dhe pijet që janë me një kosto jashtëzakonisht të lartë, në raport me vitet e kaluara. Me siguri, kjo ka ndikuar duke ditur që kosovarët nuk vijnë individualisht por si familje, pra 5 apo 6 deri në 7 apo 8 veta dhe normalisht që bëjnë llogaritjet e kësaj pjese”,- tha Hoti.

Baki Hoti (Foto Koha.net)

Baki Hoti (Foto Koha.net)

Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova gëzojnë marrëveshje bashkëpunimi në nxitjen e ndërsjellë të turizmit.

“Lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, Unioni i Turizmit të Kosovës ka marrëveshje me Unionin e Turizmit të Shqipërisë dhe disa organizata të tjera dhe mundohemi bashkërisht të kontribuuojmë për  bashkëpunimin mes tur operatorëve, mes agjencive të Kosovës dhe Shqipërisë që të krijojnë paketa të përbashkëta turistike dhe të shkëmbejmë vizitorë. Kjo është duke funksionuar dhe kemi shumë agjenci nga Kosova apo Shqipëria, të cilët bashkëpunojnë dhe sjellin turistë. Përpos tureve që kanë në Shqipëri frekuentojnë për 1 ose dy ditë edhe në Kosovë, dhe po ashtu edhe agjenci të Kosovës i sjellin në Shqipëri që të vizitojnë, dy ose tre ditë. Bashkëpunimi asnjëherë nuk është i mjaftueshëm ndaj ne jemi duke punuar bashkërisht, por shpresoj që dhe institucionet e dy shteteve të kenë një bashkëpunim më të madh dhe të arrijmë që të sjellim gjithë ato grupe që lëvizin në Ballkan ku të jenë të përfshira Shqipëria dhe Kosova dhe sidomos në turet kulturore, jashtë sezonit turistik”,- tha Hoti.

Për palën kosovare, Hoti thotë se u është bërë apel bizneseve atje që mos të rrisin çmimet.

“Unioni i Turizmit të Kosovës ka bërë apel te të gjitha bizneset e sektorit të turizmit, qofshin ato qoftë të hotelerisë, apo gastronomisë, që të kenë kujdes me çmimet, sidomos gjatë këtij sezoni turistik, kur fluksi më i madh është nga diaspora. Kemi kërkuar që t’i analizojnë mirë llogaritë e tyre dhe mos të ketë rritje të çmimeve për vizitorë të cilët e frekuentojnë Kosovën në këtë sezon. Turizmi nuk është vetëm sot apo nesër, ose për 1 muaj, por turizmi është për shumë më gjatë dhe bizneset duhet të mendojnë që kjo të jetë vazhdimësi dhe të jenë korrekt në raport me shërbimet dhe me çmimet që ofrojnë. Ndaj, nuk kemi parë ndonjë shtrenjtim të çmimeve, qoftë për pjesën e akomodimit, apo të ushqimit në vendet e ndryshme të Kosovës, ose në vendet malore ku kemi plot resorte, bujtina apo dhe restorante tradicionale, të cilat ofrojnë shërbime”,- tha Hoti.

Po ashtu thirrje bëhet edhe për bizneset shqiptare të sektorit të hotelerisë që të kenë kujdes me shërbimin dhe çmimet e aplikuara.

Pamje nga bregdeti shqiptar (Foto Argjiroja.Net)

Pamje nga bregdeti shqiptar (Foto Argjiroja.Net)

“Lidhur me sugjerimet e mia, në radhë të parë duhet t’u bëj apel të gjithë bizneseve të turizmit, hotelerisë dhe gastronomisë në Kosovë dhe Shqipëri, që të kenë kujdes me shërbimet dhe çmimet, duke pasur parasysh që turizmi nuk është vetëm për këtë vit, por duhet të mendojmë për shumë më gjatë. Ky është një apel për gjithë bizneset të cilat veprojnë në industrinë e turizmit dhe u bëj apel të gjithë shqiptarëve ta frekuentojnë bregdetin shqiptar, bregdetin tonë dhe të kalojmë ashtu siç kemi kaluar në vitet paraprake, të vazhdojmë traditën tonë”,- tha ai.

Ecuria e turizmit në Kosovë është pozitive çka tregon një trend rritjeje për pushimet malore edhe në verë.

“Kosova në 6-mujorin e parë të këtij viti ka shënuar një rritje të numrit të turistëve ndërkombëtarë me mbi 22%, pra kemi rritje të numrit të turistëve. Potencialet që i ka Kosova për sa i përket turizmit malor, por edhe turizmit kulturor kanë ndikuar që një numër i konsiderueshëm i vizitorëve kërkojnë që të bëjnë këto ture, malore apo kulturore. Mendoj se dhe promovimi që kemi bërë, ka reflektuar pozitivisht dhe është kjo rritja që shpresojmë dhe urojmë që të vazhdojë dhe të kemi një shtim të numrit të vizitorëve në Kosovë. Po ashtu, duke ditur edhe diasporën, e cila në këtë kohë ka filluar që të vijë në Kosovë dhe e gjithë pjesa malore turistike e Kosovës ka një fluks të vizitorëve, duke i ditur edhe temperaturat e larta që po mbretërojnë këto kohë me gati në 40 gradë celcius”,- tha Hoti.

Pika  kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë( Foto gazeta Shqiptare)

Pika  kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë( Foto gazeta Shqiptare)