Luan Jushuai duke zhvilluar stërvitje vrapimi në Parkun Pyjor Olimpik të Pekinit, 24 qershor 2024 / Xinhua
Shtatë vjet më parë, ai mori pjesë për herë të parë në një garë maratone të plotë dhe e përfundoi Maratonën e Pekinit në kohën 4 orë, 23 minuta e 43 sekonda. Para katër vjetësh ai shënoi rekord personal në Nankin me 2 orë, 25 minuta e 55 sekonda. Sivjet ai u zgjodh me short për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit... Luan Yushuai mishëron talentin, potencialin dhe fatin në mënyrën më të plotë.
Më 10 gusht në mbrëmje, maratona e sportistëve amatorë do të mbahet fill pas përfundimit të garës së maratonës për meshkuj në Lojërat Olimpike të Parisit. Vrapuesit amatorë do të ecin në të njëjtën rrugë me atletët profesionistë, për të shijuar magjinë e lëvizjes olimpike.
Por, atëherë për Luan-in, ky rast u bë një barrë e rëndë. "Nuk bëja shumë stërvitje dhe as që nuk më kishte shkuar ndër mend maratona," kujtoi Luan. "Kur mora ftesën për të marrë pjesë në maratonë, kishte mbetur vetëm një muaj e ca ditë. Nëse do të stërvitesha, kisha frikë që kjo do të më zinte shumë kohë nga puna e pushimi. Por nëse nuk do të stërvitesha, do të çoja dëm një rast shumë të çmuar."
Luan Jushuai në punë si postier, 24 qershor 2024 / Xinhua
Megjithëse nuk kishte bazat e stërvitjes profesioniste, Luan e ka treguar talentin e tij të dalluar sportiv qysh prej fëmijërisë. Kur ishte në shkollën fillore, ai u shpall një herë tetë kampionë si individ lidhura me vrapimin në kampionatet sportive të shkollës. "Atëherë kishte gjithsej 10 disiplina e dy të tjera ishin garat e stafetës."
Duke dashur ta provojë, Luan filloi të bënte përgatitje për Maratonën e Pekinit. Ditën punonte si postier dhe, kur kishte kohë të lirë në mbrëmje, bënte stërvitje. Por, për shkak të kohës së kufizuar dhe punës së ngarkuar, para qëndrimit në pikënisjen e Maratonës së Pekninit, ai vrapoi gjithsej vetëm 70-80 km, prandaj qëllimi i tij i atëhershëm është "përfundimi i garës".
Në fakt, maratona është një provë komplekse për forcën trupore, durimin e vullnetin e një vrapuesi dhe përfundimi normal i garës nuk është një gjë e lehtë. "Kur vrapova deri 30 km, mendova se nuk do të vijoja dot më. Nuk e kisha provuar asnjëherë më parë atë ndjenjë, sikur këmbët nuk më bindeshin." Ai tha se, kur kaloi në një pikë furnizimi, shumë kolegë dhe vullnetarë i dhanë forca. "Atëherë vendosa të vazhdoja me të gjitha fuqitë. Kisha vetëm një mendim: Të mos frikësohem e të mos ndaloj!"
"Në atë garë kisha numrin F2343, ndërsa rezultati im ishte tamam 4 orë e 23 minuta e 43 sekonda," ndërmend ai. "Ndoshta maratona është fati im."
Luan Yushuai duke bërë stërvitje vrapimi në Parkun Pyjor Olimpik të Pekinit / Xinhua
Qysh prej asaj kohe, Luan nisi zyrtarisht "udhëtimin" e maratonës. Në "rrethin e miqve" të "WeChat"-it, ai postonte shpeshherë fotografitë e veta të vrapimit dhe disa prej klientëve të tij, që janë gjithashtu dashamirës të maratonës, kur panë këto fotografi, e ftuan të merrte pjesë në maratonë bashkë me ta.
Me sugjerimin e tyre, Luan-i lidhi qese me rërë në këmbë gjatë punës ditën, për t'u kalitur gjatë ngjitjes së shkallëve kur çon pako. Natën, ai vrapon për mbi dy orë në stadiumin e një universiteti, i cili gjendet pranë zonës ku punon. "Në fillim nëna nuk më mirëkuptoi dhe më pyeti pse nuk punoja si duhet? Pse harxhoja shumë energji jashtë punës? Por unë e kam qartë se ndiej shumë kënaqësi nga vrapi. Nga çdo përmirësim i rezultatit, qoftë edhe me vetëm një sekondë, kam një ndjesi suksesi të pashoq," rrëfen ai.
Deri më sot, ai ka marrë pjesë në mbi 40 veprimtari maratone dhe rezultati i tij më i mirë është 2 orë e 55 minuta e 55 sekonda, i shënuar në Maratonën e Nankinit më 2020. Ky rezultat i dha guxim të paraqiste kërkesën për pjesëmarrje në maratonën për amatorë në Lojërat Olimpike të Parisit.
Luan Yushuai duke bërë parapërgatitje për stërvitje vrapimi në Parkun Pyjor Olimpik të Pekinit, 24 qershor 2024/ Xinhua
"Ecja më këmbë për 1 km është barazi me 5 pikë, vrapimi 1 km me 10. Lëvizjet e ndryshme vlejnë pikë të ndryshme. Me punën e përditshme dhe stërvitjen dyorëshe në mbrëmje, nuk është e vështirë për mua ta plotësoj këtë kërkesë," thotë Luan Yushuai. "Procesi është më i rëndësishëm se rezultati, sepse ky i fundit varet nga fati."
Në vigjiljen e Vitit të Ri Kinez, më 9 shkurt 2024, kur familja e tij u mblodh për darkën e Vitit të Ri, Luan-i mori e-mailin nga Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike të Parisit. Kur pa "Urime" në e-mail, Luan-i ishte i sigurt se ai e fitoi këtë rast me short.
Luan Yushuai duke ia paraqisur gazetarit e-mailin nga Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike të Pekinit/ Xinhua
Qysh nga ajo kohë, Luan Yushuai ka vazhduar stërvitjen dyorëshe përditë, si edhe vrapimin prej 300-400 km në muaj. Në zemrën e tij, vrapi dhe puna si postier janë dy gjëra të rëndësishme që plotësojnë njëri-tjetrin.
Sivjet Luan-i do të mbushë 40 vjeç. Në qarqet sportive kjo moshë nënkupton "tërheqjen", por ai e mendon si një pikënisje të re në jetën e tij. (Wang Lei/ Artani)